• |
ide | kryesore

Gëzimi i panevojshëm për rënien e John Bolton

1, Arkiva, Ide



Opozita shqiptare dhe pjesa më e madhe kritikëve të një marrëveshjeje Kosovë- Serbi, që kalon përmes ndryshimit të kufijve, po shfaqin një entusiazëm naiv, pas shkarkimit të paralajmëruar të John Bolton nga Presidenti Trump.

Sipas tyre, rënia e ish këshilltarit të fortë dhe arrogant të Sigurisë Kombëtare është një lajm i mirë, si për frenimin e një marrëveshjeje që mund të hapë kutinë e Pandorës në Ballkan, po aq sa edhe dobësim i krahut që e përkrahte në mënyrë imorale binomin Rama- Thaçi në pushtet.

Prej kohësh, në Tiranë, gëlon një teori konspirative se amerikanët po i amnistojnë krimet e Edi Ramës, po tolerojnë pushtetin e tij monist dhe organizimin e zgjedhjeve pa opozitë, për shkak të faktit se ai është i implikuar në planin okult për ndarjen e Kosovës, se ai u ka hapur portat muxhahedinëve iranianë, se ai po e luan më së miri rolin e shefit të një republike bananesh duke përzënë diplomatët e Teheranit nga Tirana.

Në fakt, John Bolton ka qenë në qendër të të gjitha këtyre. Tashmë janë të njohura deklaratat e tij jo vetëm kundër pavarësisë së Kosovës, por edhe qëndrimet favorizuese për aventurën shkëmbimit të popullsive dhe territoreve. Po ashtu në rrafshin ndërkombëtar, dihet më së miri qëndrimi i pakompromis i këtij përfaqësuesi ekstremist të krahut konservator, që ka kontribuar më parë në administratat Regan e Bush, kundër regjimit teokratik të mullahëve dhe mbështetja për opozitën iraniane në ekzil.

Në këtë kuptim, rënia nga pushteti e këtij karakteri të fortë, është një dobësim taktik i fijeve që mbanin mundimshëm të lidhura Tiranën me sferat e larta të Uashingtonit.

Por, që të jemi të qartë, John Bolton u flak nga Donald Trump për tjetër gjë.

Prej kohësh presidenti amerikan kishte më shumë kontradikta sesa duhet me këshilltarin e tij: Afganistani, Koreja e Veriut, Irani dhe Venezuela ishin kthyer në mollë sherri midis tyre. “Unë nuk isha dakord me shumë nga sugjerimet e tij ashtu sikurse shumë të tjerë brenda kësaj administrate”, deklaroi Trump pas shkarkimit në llogarinë e tij në Twitter. Më parë, pas dështimit për të rrëzuar regjimin e Maduros në Karakas, presidenti amerikan pati pohuar: “John ka një vështrim tepër të ashpër për gjërat, por kjo nuk prish punë. Në fakt e pabesueshme është se shpesh jam unë ai që e moderoj John-in”. 

Pkërisht bindjet e forta të shprehura publikisht të këtij republikani konservator, të cilat Trump i përgënjeshtronte më pas me aktet e tij, e bënë atë të ketë fatin e shumë prej pjestarëve të tjerë të presidencës.

Lexo me tej:

Prapaskenat/ Pse iku Bolton, “armiku” i shqiptarëve që këshillonte Trump

Por ajo që na intereson më shumë ne në Tiranë, është dilema, nëse bie apo jo, së bashku me Botonin edhe ajo pjesë politikave të tij që na prekin drejtpërdrejt?

Për këtë akush nuk mund të vërë bast.

Prandaj festa për rrëzimin e tij, duket sa e përshpejtuar po aq edhe naive. Ajo shpesh i ngjan një filmi që e kemi parë.

Kush i mban mend mitingjet e opozitës anti nanoiste në vitet e para 2000, me siguri i kujton parrullat e spikatura Berisha- Bush- Berluskoni. Ato shprehnin një bestydni të papranueshme në politikë, se ardhja në pushtet, në SHBA dhe Itali, e dy të njohurve të djathtë të doktorit, do të ndryshonte gjërat edhe këtej në anët tona. Të gjithë ata që shpresuan se këto ndryshime gjeopolitike do të përthyheshin automatikisht edhe këtu, u zhgënjyen duke pritur gjatë rënien e Nanos, ndërkohë që shihnin në mediat e pushtetit, imazhet e “armikut” të tyre, përkrah liderëve botërorë që u kishin ngjallur aq iluzione.

Kryeministri socialist u bë “aleati” i parë neokonservatorëve, që i shpallën luftë Irakut dhe miku i Berluskonit në dasma dhe stadiume.

E njëjta histori u përsërit edhe pas hyrjes surprizë së Trump në Shtëpinë e Bardhë. Edhe atëherë konspiracioni se njeriu më i fuqishm i botës do e ndëshkonte atë që pati guxuar ta quante “turpi i njerëzimit”, bashkë me këlyshët e Sorosit që e mbështesnin, rezultoi një fluskë voluntariste.

Të njëjtin gëzim naiv duhet t’ia kursejnë vetes edhe sot të gjithë kundërshtarët e Ramës. Shpresa se me rënien e John Boltonit, do të marrë një goditje edhe plani për ndarjen e Kosovës e, bashkë me të edhe një nga faktorët e mbështetjes së përtej Atlantikut për kryeministrin shqiptar, është një rrugë që nuk të çon gjatë. Vërtet ish Këshilltari i Sigurisë Kombëtare pati një rol të dorës së parë në këtë proces, por bazimi i politikave tek personat dhe i bindjeve e ideve tek lëvizjet taktike, sjell gjithmonë një rezultat zhgënjyes.

Të gjithë ata që e luftojnë idenë e shkëmbimit të territoreve, mënyrën si ajo është ngjizur dhe efektet që ajo mund të shkaktojë, i kanë atutë e mjaftueshme për t’u rreshtuar kundër saj. Boll t’i qëndrojnë parimeve se ai është një projekt personal, që niset nga premisa raciste se ballkanasit nuk janë të aftë për bashkëjetesë, që mund të shkaktojë një efekt të tmerrshëm domino, për të bërë betejën e tyre. Në afatgjatë kjo është ku e ku më efikase, koherente dhe intelektualisht e ndershme sesa të fërkosh duart e të presësh se kush bie dhe kush ngjitet në administratën amerikane, qoftë ky edhe kontraversi John Bolton.

©Lapsi.al



5 Comments

  1. DO BJER EDHE PALMER ,THACI,VUCIC,BATONI,RAMA, DHE NJERZIT E SORASIT SEPSE KY KOMB KA DY SHEKUJ QE DEPERTAMENTIN AMERIKAN PRA SHBA E KA NE KRAH DHE ESHTE ME FATE QE TA KETE SEPSE PER KATA TIPAT E PERMENDUR DHE RUSIN SHQIPERIA ZHDUKEJ NGA HARTA DHE SIPAS RAMES SHQIPERI QUHET NE SHKUMBIN E POSHT ME KRYEQITET VLOREN PJESA TJETER TE VEJ KU TE DOJ NUK E NJEH DHE KA ALERGJI POR PO U VJEN FUNDI.

  2. Ne nuk jetojme te izoluar ne Shqiperi e Ballkan o Bushat. Histo(e)ria e armeve kimike; rritja e cmimit te naftes, muxhahedinet etj. na e kujtojne me se miri kete. Duhet te gezohemi qe iku njeri qe me sajesat e tij nxiti luften shkaterrimtare ne Irak dhe kishte synimin ta bente nje gje te tille,por ne nje shkalle shume me te madhe, me Iranin. Shume presidente kane qene kukulla te keshilltareve te cekuilibruar. Kosova eshte aq e vogel dhe e parendesishme sa mund te binte viktimeve e tekave te nje keshilltari te larte si Bolton. Fale Zotit dhe Trump-it nuk ra. Ne cdo aspekt ta shohesh gezimi eshte krejt legjitim.

  3. Po që kur gazetaria qënka bërë “shkruaj çfarë do Andi,pa asnjë fakt apo dokument..”?
    Ku e di ti që ky na qenka gëzim naiv dhe i parakohëshëm?
    Apo mos,edhe ti si Ngjela arrini të parashikoni të ardhmen!?
    Prit një herë moj aguridhe ,të ngjasin ndodhitë..pastaj na interpreto…
    Kur askush,as nga media më futuriste në Amerikë nuk di ende asgjë se çdo ngjasë,gjithëkush ka të drejtë te shpresojë,apo të mos shpresojë si Andi..
    Ndryshimi qëndron vetëm në faktin se Andi ka portal…
    Pse te lexojme jemi karë,por kjo nuk na pengon të të themi se je kryekar..me portal…

  4. Si shumë larg ke shkuar o Bushat me subjektivizmin tënd majtist, për të bërë analizat politike të liderëve të djathtë botërorë, përfshi edhe presidentët e SHBA që nga Regan, për të përshkruar qëndrimin e Boltonit si këshilltar i vjetër i presidentëve republikanë.
    Ka pasur padyshim njëfarë ndryshimi të politikave midis republikanëve e demokratëve në SHBA, por ky ndryshim ka pasur të bëjë më shumë me politikat e mbrendëshme ekonomike e sociale, sesa politikën e jashtëme ku ka dominuar dipllomacia pragmatike nga të dy palët,
    Në një vështrim të përgjithshëm, pasi është tepër e vështirë të depërtosh me detaje ne prapavijat e politikës amerikane, ashtu siç ke marë përsipër ta bësh ti, nuk ka nevojë të jesh “analist portalesh”, për të kuptuar se në politikën amerikane një rol të rëndësishëm luajnë lobet nacionale. Dihet se SHBA është një shtet i madh e i fuqishëm, por edhe multietnik e multireligjioz.
    Veç lobit më të fuqishëm anglo-sakson, në SHBA ka edhe dhjetra e dhjetra miliona emigrantë të vjetër e të rij nga të gjitjë kontinentet, që përbëjnë diaspora të organizuara në lobe të fuqishme, që ndikojnë edhe në politikën e shtetit amerikan.
    Kemi edhe ne shqiptarët një diasporë të vjetër e të re që ka luftuar për çështjet tona kombëtare, por mos të harojmë se lobi sallavo ortodoks është shumë herë më i madh se diaspora shqiptare.
    Fakti që ndonëse me një diasporë të vogël, shqiptarët arritën që të kenë mbështetjen amerikane, ka të bëjë me çështjen e drejtë për të cilën ata luftuan, si në luftën për përmbysjen e diktaturës komuniste, ashtu edhe në luftën për pamvarësi të Kosovës.

  5. Bushat ke filluar ti ngjash Agim Neshos ose Gimi i puros,peshoje pak vehten se dukesh i lehte e pastaj behesh lango si Shkullaku qe na flet pet bletet dhe minatoret.Injoranca dhe lavdia kane ne mes dijen qe eshte shume e holle dhe ska nevoje per komente boshe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *