• |
ide | kryesore

Historia e trishtë e shqiptarit në SHBA: Jetoj në kishë që të mos më deportojnë

Lajme, Planet



Një gjykatës federal në Detroit pushoi të enjten një padi të ngritur në emër të një emigranti shqiptar, i cili u strehua në një kishë të zonës, me qëllim që t’i shpëtonte deportimit, ndaj ICE-së, agjencisë ligjzbatuese për imigracionin (ICE).

Gjyqtarja Denise Page Hood e Gjykatës së Michiganit Lindor, argumentoi se çështja në fjalë është jashtë juridiksionit të këtij organi gjykimi.

Në janar të vitit 2018, Ded Rranxburgaj, 49 vjeç, nga Southgate u strehua në Kishën Qendrore të Bashkuar Metodiste, pasi agjentët e ICE-së e kishin paralajëmruar se do të deportohej. Ranxburgaj, një ish-kuzhinier, shpjegoi se ndejti në SHBA më shumë nga ç’parashikonte viza e tij, në mënyrë që të kujdesej për gruan e tij të sëmurë, Flora, e cila vuan nga një sklerozë e shumëfishtë.

ICE-ja e shpalli Ranxburgajn si të arratisur, por nuk ka provuar të depërtojë në kishë që e klasifikon si “institucion të ndjeshëm”. Në vendimin e saj, gjykatësja Hood tha: “Ky nuk është forumi i duhur për të adresuar çështjen e Rranxburgajt. Meqenëse ai pretendon për një urdhër përfundimtar të largimit, ai duhet të ndjekë kërkesën e tij në Gjykatën e Apelit ”, vijoi Hood.

Në qershor të vitit 2018, avokati i shqiptarit, George Mann, ngriti një padi duke i kërkuar gjykatës të ndërhynte për të anuluar largimin e tij. Sipas Mann-it, Rranxburgaj nuk ishte i arratisur. Në fakt, gjykatësja Hood nuk pohoi të kundërtën, por thjesht tha se Gjykata e saj nuk ishte vendi i duhur për të marrë këtë vendim.

Mann i tha “Press Free” se ai po mendon të paraqesë një ankesë, por ende po rishikon vendimin e Gjykatës para se ta apelojë në Apel.

Mann tha se Rranxburgaj nuk mund të konsiderohet i arratisur, sepse emigranti shqiptar e mbajti ICE-në “plotësisht të informuar për vendndodhjen e tij.” “ICE e di mirë mirë se ku mund të gjendet Rranxburgaj,”- tha Mann.

Mann shtoi se ka qenë e vështirë për Rranxburgajn të qëndronte brenda kishës për më shumë se një vit e gjysmë. Ai shpresonte të merrte lirinë e tij me një vendim gjykate.

Procedimi gjyqësor u ngrit kundër krerëve të Departamentit të Sigurisë së Brendshme, ICE, zyrës së Detroit të ICE-së, dhe Prokurorit të Përgjithshëm të atëhershëm, Jeff Sessions.

“E vetmja mundësi e zbatueshme për Z. Rranxburgaj është që t’i lejohet qëndrimi, për t’i lejuar atij të vazhdojë të kujdeset për gruan e tij me aftësi të kufizuara.”- vëren avokati.

 

Ded Rranxburgaj flet në një konferencë për shtyp në Kishën Qendrore të Bashkuar Metodiste ndërsa u përball me dëbimin në Detroit ( e martë, 16 Janar 2018). Ded Rranxburgaj dhe bashkëshortja e tij, Flora Rranxburgaj (në karrige me rrota) të dy nga Shqipëria emigruan në SH.B.A. 17 vjet më parë dhe aplikuan për statusin e refugjatit brenda 5 muajve nga mbërritja e tyre. (Foto: Romain Blanquart, Detroit Free Press)

Mbrojtësit e emigrantëve mbajtën protesta në mbështetje të tij në nëntor në Detroit gjatë kohës që po zhvillohej seanca gjyqësore. Khaalid Walls, zëdhënësi i Detroit ICE-së, nuk komentoi vendimin e gjyqtares, por tha se ICE në përgjithësi shmang vendet e ndjeshme si kishat.

Rranxburgaj udhëtoi nga Kanada për në Shqipëri dhe më pas erdhi në Sh.B.A. 18 vjet më parë si vizitor, së bashku me gruan e tij. Ai më parë ishte kuzhinier në një restorant Coney Island. Djali i tij i madh, Laurence, 24 vjeç, është një marrës i DACA-s, dhe djali i tyre më i vogël, Erik Rranxburgaj, 16 vjeç, është një qytetar amerikan.

ICE ka thënë se nuk po jep urdhër depërtimi ndaj gruas së tij, Flora Rranxburgaj, për shkak të sëmundjes së saj të rëndë.

Rranxburgaj është emigranti i parë në Detroit që ka kërkuar strehim në një kishë gjatë administratës Trump.

Disa kongregacione të tjera në Michigan dhe përtej SH.B.A. kanë qenë banesa të shenjta për emigrantët që përpiqen të shmangin dëbimin./ Marrë nga: Detroit Free Press. Përshtati: ©Lapsi.al

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *