• |
ide | kryesore

Vettingu/ Shkarkohet gjyqtari i Apelit për Krimet e Rënda

Lajme, Të fundit



Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka vendosur shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Gjovalin Përnoca.

KPK-ja konstatoi probleme në kriterin e deklarimit e pasurisë të gjykatësit Përnoca. Ky i fundit kërkoi shtyrje të seancës për të siguruar provat që mund të justifikonin pasurinë, por trupa gjykuese i hodhi poshtë si të pamjaftueshme.Vendimi u mor nga trupa e KPK-së e përbërë nga: Xhensila Pine, Suela Zhegu dhe Olsi Komici.

Përnoca është gjykatësi i radhës që del nga sistemi si rrjedhojë e procesit të rivlerësimit të parashikuar nga vetting-u.

Çfarë ndodhi në seancën dëgjimore:

Në një seancë maratonë që zgjati gjashtë orë, gjyqtari i Apelit për Krime të Rënda, Gjovalin Përnoca u përball me disa mangësi.

Gjovalin Përnoca e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si ndihmës-prokuror dhe prokuror në Kukës e në Mirditë. Në vitin 2003, ai është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, detyrë të cilën e ushtron tashmë prej 15 vitesh.

Përnoca u përball për herë të dytë në seancë dëgjimore me KPK-në, pasi më 30 korrik ai kërkoi më shumë kohë për të siguruar 7 prova, që ai i cilësoi vendimtare për procesin. Por seanca e së martës la pas sërish probleme me pasurinë.

Relatori Olsi Komici tha në fillim të seancës se gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda kishte marrë një raport negativ nga ILDKPKI, i cili konstatonte deklarime të pasakta dhe mungesë burimesh të ligjshme për pasurinë. Gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shkuan në të njëjtën linjë me raportin e ILDKPKI-së.

Për një apartament me sipërfaqe 108.4 m2 me vlerë 49 860 m2 në katin e gjashtë të një pallati dhe dy garazhe nga 19 m2 të ndodhura në Tiranë, në bashkëpronësi me biznesmenin S.G., Komici identifikoi disa probleme. Sipas Komisionit, Përnoca kishte deklaruar si burim të krijimit të kësaj pasurie pagesën e kryer nga S.G. në formë huaje. Komici u shpreh se Përnoca ka deklaruar se jeton në këtë apartament që prej vitit 2008 dhe S.G. ka hequr dorë më pas nga pronësia, pasi i ka shlyer shumën që ai kishte paguar fillimisht.

Relatori deklaroi se me apartamentin ishin kryer disa transaksione derisa përfundoi në pronësinë e Përnocës. Ai shtoi gjithashtu se çmimi i blerjes së këtij apartamenti është më i ulët nga ai i referencës dhe se ka mospërputhje të sipërfaqes në katër dokumente të ndryshme.

“Subjekti është pyetur lidhur me njohjen që ka pasur me biznesmenin S.G., për të cilin ka sqaruar se e ka takuar që prej vitit 2001 nga miq të përbashkët. Duket se subjekti nuk ka deklaruar trajtimin preferencial dhe pritjen për shlyerjen,” tha në seancë relatori Komici.

KPK ngriti dyshime për blerjen e një apartamenti në Golem në vlerën 1.9 milionë lekë në vitin 2005, e shitur gjashtë muaj më pas me dyfishin e vlerës; në 3.4 milionë lekë. KPK ka gjetur se edhe personi që e kishte blerë nga Përnoca, e kishte shitur sërish këtë apartament në vlerën 1.95 milionë lekëve. Sipas Komisionit, Përnoca ka shpjeguar se e ka shitur më shtrenjtë pasi ka kryer punime dhe vlera e shtëpisë ishte rritur dhe se nuk e di përse blerësi e ka rishitur në një vlerë të ulët. Komisioni ngre dyshimet për veprime fiktive të blerjes dhe shitjes së apartamentit në Golem.

Subjekti rezultoi gjithashtu të kishte blerë truall me sipërfaqe 105 m2 dhe ndërtesë prej 75 m2 në 1998 në vlerën rreth 3.1 milionë lekë në rrugën ”Niko Avrami” në Tiranë. Burimi për këtë pasuri është deklaruar të jetë shitja e shtëpive në Shkodër dhe Rrëshen, të dyja të përfituara nga privatizimi. Komisioni konstatoi se ka mospërputhje të deklaratave për çmimin dhe sipërfaqen e ndërtimit, pasi banesa nuk e ka sipërfaqen 75 m2, por gati dyfishin në 158 m2.

Sipas Komicit, për këtë shtëpi ka mospërputhje pasi është deklaruar si banesë 2+1, ndërkohë që në kontratë rezulton godinë trekatëshe dhe me truall. Gjithashtu, u identifikua edhe mospasqyrimi i kryerjes së ndërtimit pa leje të një sipërfaqe 11.8 m2 dhe i papafingos me sipërfaqe 57 m2 në deklaratën veting dhe mungesë burimesh të ligjshme për blerjen e pjesës së babait në vitin 1998. Relatori Komici tha se subjekti nuk kishte mundësi financiare për blerjen e shtëpisë dhe të truallit në Tiranë dhe se vlera e përfituar nga shitja e një shtëpie në Rrëshen nuk është llogaritur si burim i ligjshëm.

Po ashtu, Komisioni ngriti dyshime edhe lidhur me përfitimin e një apartamenti tjetër në Shkodër nëpërmjet privatizimit, po si i pastrehë, në nëntor 1997 në vlerën 1.2 milionë lekë.

“Ky apartament është shitur vetëm 5 ditë më vonë në vlerën 30 mijë USD,” theksoi relatori Komici i cili shtoi se subjekti nuk ka dokumentuar pagesën e tatimit të fitimit. Shpjegimet e Përnocës se ai ia kishte shitur banesën e tij një firme italiane nuk ka qenë shumë bindës për Komisionin, që konstaton se gjyqtari kishte pasur detyrim të paguante 3% tatime.

Komisioni ngriti dyshime për veprime fiktive lidhur me blerjen e një autoveture tip “KIA”, ndërkohë që edhe blerja e një makine nga ana e bashkëshortes së subjektit u dyshua për çmim të ulët.

KPK ngriti pikëpyetje edhe për çmimin e blerjes së një sipërfaqe pyjore 1000 m2 në zonën e Shëngjinit nga bashkëshortja e gjyqtarit Përnoca në shumën 186 mijë lekëve, për të cilin kanë deklaruar si burim pagat. Komici tha se pas kalimit të barrës së provës, subjekti ka depozituar një kontratë tjetër me të njëjtin çmim. Blerja dhe më pas shitja e një apartamenti në Sarandë me vlerë 20 mijë euro më shumë u komentua gjithashtu në kuadër të veprimeve fiktive, pavarësisht se gjyqtari Gjovalin Përnoca deklaroi se “vlera ishte rritur si pasojë e investimeve”.

Lidhur me likujditetet, Komisioni ka konstatuar mosdeklarimin e hapjes së një depozite në vlerën 35 mijë USD nga bashkëshorjta e Përnocës në vitin 2003 dhe mbylljen në janar të vitit 2004. “Subjekti pranon hapjen e kësaj llogarie dhe shpjegon se kanë qenë para të vajzës së vëllait të bashkëshortes që jeton në Britaninë e Madhe,” pohoi relatori Komici.

Gjyqtari Gjovalin Përnoca kundërshtoi gjetjet e KPK-së në lidhje me pasurinë, ndërkohë që fajësoi institucionet për mospërputhjet e konstatuara. Ai shtoi gjithashtu se sipas një eksperti financiar, bilanci i del pozitiv dhe se ka pasur burime të ligjshme.

Për shtëpinë e blerë në Golem për 1.9 milionë lekë dhe të shitur për 3.4 milionë, Përnoca tha se vlera ishte rritur për shkak të investimeve të kryera.

“E pajisëm dhe e zbukuruam e rikonstruktuam. Vendosëm mobilje të vjetra italiane. Nuk e bleva për ta shitur, e punuam me dashuri,” pohoi gjyqtari Përnoca, i cili shpjegoi më tej se kishte pesë vite që i kishte kërkuar dikujt në Tiranë që t’i gjente ndonjë apartament dhe ndaj ishte detyruar të shiste shtëpinë e Golemit.

Subjekti pranoi pasaktësitë dhe mospërputhjet e konstatuara lidhur me deklarimin e shtëpisë dhe truallit në rrugën “Niko Avrami” në Tiranë.

“Është e vërtetë se në 2003 i kam rënë shkurt, se nuk kishim eksperiencë. Duhej ta citoja si ishte në kontratë. Nuk e quaj mospërputhje, por deklarim jo të detajuar,” tha gjyqtari në lidhje me deklarimin e thuajse gjysmës së sipërfaqes së shtëpisë.

Vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs, duke ju referuar dy rasteve të blerjes së një apartamenti në Tiranë nga një biznesmen dhe shit-blerjes me dyfishin e çmimit në Golem pyeti se si persona të tillë mund të rrezikonin veten për gjyqtarin Përnoca. Subjekti u përgjigj se kishte qenë me fat në dy raste dhe se nuk ndjehej në borxh me njerëzit që e ndihmonin.

Gjyqtari Përnoca u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

“Ndihem krenar për figurën dhe profesionalizmin. Tek pasuria kam gabime e lapsuse, por nuk kam fshehje. Mendoj se jam më i dobishëm se sa i dëmshëm për drejtësinë dhe se do e meritoja emrin gjyqtar,” përfundoi Përnoca.



4 Comments

  1. Ky qyqari me mbiemer cubi (apo diversanti neper filma), paska humbur kohen kot si gjyqtar, ky duhet te shpallet si eksperti imobilar kampion bote qe blen nje apartament per rreth 10000€ dhe e shet per 5 dite 30000€. Po kur thone se i ploteson kushtet e aftesi profesionale, keta jane aq gomere sa qe tjeter deklaruan ne 2003 dhe tjeter deklarojne ne vijim si puna e xhezair zaganjorit, ore hajvane te pakten mbani nje kopje te deklerates te vitit parardhes qe te perputhet me deklarimet e vitin pasardhes. Imagjinoni cfare gjykatesish dhe prokuroresh kane ne dore hallet tona, analfabete qe nuk dine se gjurmet shkresore nuk humbasin kurre, aq me shume sot ne epoken dixhitale.

  2. Një gjë nuk kuptoj unë dhe as këta të vetingut nuk na e kanë shpjeguar: Këta kanë probleme pasurie sepse janë korruptuar, që do të thotë se kanë dhënë vendime në kundërshtim me ligjin, atëherë pse dalin në rregull nga ana profesionale dhe pastërtia e figurës?! Se kështu i bie që vetingu i shkarkon nga detyra se kanë marrë euro e dollarë kot si dhuratë nga njerëzit që i vinte keq për rrogat e tyre të ulta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *