• |
ide | kryesore

Operacioni “Limit”, jepen masat e sigurisë për 24 prej të arrestuarëve

Lajme, Të fundit



Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë për 24 nga 58 personat e arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Limit”.

Për 21 prej të ndaluarëve është vendosur masa “arrest me burg”, ndërsa tre të tjerë: Bektash Zenelin, Fejzo Danën dhe Agron Mankën, janë lënë nën “arrest në shtëpi”.

Para dy ditësh Policia njoftoi shpërbërjen e 4  grupeve kriminale dhe shpalljen në kërkim të 7 personave, si rezultat i operacionit “LIMIT”.

Në një deklaratë për media, Policia e Shtetit bëri të ditur se aktiviteti kriminal i këtyre grupeve realizohej duke siguruar fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat kalonin tranzit fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Shqipëri, ku dhe kultivoheshin. Lënda narkotike trafikohej në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e tyre të trafikut të drogës.

Mësohet se këto grupe kriminale organizonin dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, që vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.

Në cilësinë e provës materiale, gjatë operacionit në Shqipëri dhe në Greqi, këtyre grupeve iu është sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis, një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndricim artificial, telefona celularë dhe disa automjete.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *