• |
ide | kryesore

“Ngeci” në vetting, KPA merr vendimin për prokurorin Bujar Hoti

Lajme, Të fundit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për shkarkimin e prokurorit të instancës së Apelit në Durrës, Bujar Hoti.


Hetimi adminisrtativ i KPK-së doli në përfundimin se Hoti rezulton me disa vlera fiktive pagesash për një apartament në bregdet si dhe për një zyrë noteriale të bashkëshortes. Gjithashtu, nuk është arritur të argumentohet se përse është përdorur një kredi prej 70 mijë eurosh.


KPK-ja deklaroi se Hoti nuk ka të ardhura të ligjshme për pasuritë e tij, edhe pse Inspektorati i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë |(ILDKPI) në raportin e tij e kishte cilësuar të saktë dhe të ligjshme pasurinë e TIJ.

Edhe vëzhguesi ndërkombëtar Teo Xhakobs, i pranishëm në seancën e verifikimit pak ditë më parë, i cilësoi të çuditshme hartimin e disa kontratave me çmime dhe referenca të ndryshme për blerjen e një apartamenti.

Vetë subjekti i rivlerësimit, prokurori Bujar Hoti, u shpreh se ai dhe bashkëshortja e tij kanë të ardhura të ligjshme dhe të deklaruara sipas ligjit, që jo vetëm justifikojnë pasuritë, por e tejkalojnë disa herë vlerën e tyre dhe konstatimet e hetimit administrativ.

Ndërsa, Hoti kishte rezultuar i përshtatshëm sa i përket kriterit të pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.

Vendimi i dhënë sot nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Albana Shtylla relatore, Luan Daci, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.31/2018, datë 06.11.2018, për ankimin e subjektit të rivlerësimit Bujar Hoti kundër vendimit nr. 64, datë 10.09.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi në mënyre unanime:

Lënien në fuqi të vendimit nr.64, datë 10.09.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Bujar Hoti.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 16.09.2019.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu