• |
ide | kryesore

VIDEO/ Premtoi fundin e mësimit me dy turne, Veliaj nuk mban fjalën

Lajme, Të fundit



Mësimi me dy turne në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në kryeqytet, do të vijojë edhe përgjatë vitit shkollor të saponisur 2019-2020, pavarësisht premtimit të kryebashkiakut të konfirmuar në detyrë, Erion Veliaj, për zgjidhjen e kësaj “anomalie” deri në fund të mandatit të tij të parë.

Në një deklaratë në nëntor të vitit 2015, pas marrjes së detyrës si kryetar bashkie, Veliaj u zotua se brenda harkut 4-vjeçar të mandatit që i ishte besuar, do t’i shpërblente ndër të tjera kryeqytetasit me ndërtimin e 20 shkollave të reja, pikërisht me synimin për t’i dhënë fund zhvillimit të mësimit me dy turne. Ky premtim u propagandua në kronikat e panumërta televizive dhe u pasua nga deklarata të ngjashme edhe në vitin e mëpasshëm (shiko videon bashkëngjitur më poshtë).

 

 

I njëjti avaz përsëritet si refren edhe në vitin 2017, kur 33 shkolla 9-vjeçare zhvilluan mësim me dy turne, përfshirë edhe disa gjimnaze, si: Ismail Qemali, Sami Frashëri etj (video më poshtë).”U kërkoj mirëkuptim prindërve që, teksa po bëjmë mësim në shkollat alternative, se në një periudhë prej pak muajsh do të kemi totalisht të rikonstruktuar shkollën ekzistuese plus klasat e reja, që zgjidhin të gjithë këtë anomali që kemi pasur në Njësinë 10. Ashtu si edhe në Njësinë 8, edhe në disa njësi të tjera të Tiranë i kemi dhënë fund mësimit me dy turne, gradualisht në të 24 njësitë do të vazhdojmë me këtë ritëm për t’u siguruar që fundi i këtij mandati na gjen të sistemuar. Ne mund të kemi debate të tjera në zgjedhjet e ardhshme, por jo debatin e shkollave me dy turne“, shprehej Veliaj asokohe.

 

 

Në vitin 2018 mësimi me dy turne vijonte pothuaj me të njëjtin densitet, por sipas Veliajt Bashkia e Tiranës “kishte vënë përpara një pjesë të ambicies për të ulur mësimin me dy turne”.

 

 

Përkundër këtyre premtimeve, sipas Veliajt aktualisht në Tiranë numërohen vetëm 5 shkolla të reja të ndërtuara, që janë: shkolla “Kosova”, “Ardian Klosi”, “Betim Muço”, “Servete Maçi” dhe “Hoxha Tasim”. Por, në të vërtetë, mes tyre mund të veçohet si ndërtim i nisur nga themelet vetëm shkolla “Ardian Klosi”, pasi shkollat e tjera thjesht i janë nënshtruar rikontruksionit. Thënë këto, mbetet për t’u parë nëse praktika e mësimit me dy turne do të mund të marrë fund gjatë mandatit të dytë të kryebashkiakut, që sikurse premtoi zero leje ndërtimi, e shndërroi Tiranën në “kantierin” e vendit.

 

 



6 Comments

  1. Po edhe ju nuk mbeteni me pas se ky persa i perket mashtrimit. Shkolla Kosova, psh edhe ajo u nis nga themelet, duke qene se ishte djegur plotesisht dhe deri para ndertimit ishte nje parking makinash. Genjeshtarin nuk eshte e nevojshme ta luftosh me nje genjeshter tjeter sic po thoni per shkollen Kosova. Te pakten dy shkolla nga themelet edhe mund t’ia quani….

  2. Ate taksen “e perkoheshme” per arsimin, do ta heqesh o Ndrio!!! Se c’kuptim ka te quhet e perkoheshme! Apo edhe ti si bariu tend vepron. Takse e perkohshme, prokurore e perkoheshme, kusare te … perhershem.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *