• |
ide | kryesore

“Flamurtari skuadër më e mirë se Luftëtari”: ish-kampioni Vasil Ruci bën analizën e kampionatit dhe zgjedh tre pretendentë

Sport



0 pikë në katër javët e para, janë një dramë e papërjetuar më parë për Flamurtaruin, që vazhdon të jetë në pozita shumë të vështira financiare, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes administratorit të klubit Sinan Idrizi dhe Bashkisë Vlorë. Ambjenti sportiv në qytetin bregdetar është sigurisht i shqetësuar dhe gjithnjë prezent me opinione, por si fondi i emergjencës ashtu dhe pritja për miratimin e ligjit të sponsorizimeve nuk duken zgjidhje për Vasil Rucin. Ish-futbollisti kuqezi e ka të qartë se të dyja këto lëvizje kërkojnë kohë, ndërsa Flamurtari ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme: “Duhet gjetur nje zgjidhje, mes presidences aktuale dhe bashkisë së qytetit, e cila është pronare e klubit. Dëgjoj për fondin e emergjencës, apo se ligji i sportit është ai cfarë kërkohet, por kam parasysh këtu Kosovën dhe e di mirë se edhe nëse aprovohet hyn në fuqi në vitin tijetër, ndërsa në kushtet aktuale, drejtuesit e klubit, presidenca si administrator i klubit dhe Bashkia si pronar i saj, duhet të ulen, e të ndërhyjnë menjëherë”.

Ruci e ka të qartë se ky do të jetë një sezon shumë i vështirë për Flamurtarin, por e ka pikasur skuadrën që kuqezinjtë do të lënë pas në renditje: pikërisht atë që i mundi në javën e fundit të Superiores Luftëtarin. Ajo që i jep njëfarë shprese ish-sulmuesit të famshëm vlonjat është fakti që me përjashtim të ndeshjes me Kukësin, në të tjerat skuadra ka humbur ngushtësisht: “Jemi skuadër më e mirë se Luftëtari,me lojtarët që kemi do ta lëmë pas në renditje. Futbollistët duhet të tregojnë se pavarësisht përgatitjeve të nisura me vonesë, në fushë japin më të mirën e tyre. Do të jetë një kampionat i vështirë, në të cilën do të luftojmë deri në fund”.

Në analizën e katër javëve të para, Ruci i bën elozhe Tiranën, por e konsideron të brishtë, ndërsa favorit sheh Kukësin, për potencialin organik që ka. Në mënyrën si i vlerëson gjërat vlonjati, janë tre skuadrat që do të luajnë për titull: “Tirana është e brishtë, por luan mirë dhe është e bukur ta shohësh. Megjithatë Kukësi më duket më i konsoliduar: mund të luajë keq, por fiton falë individualiteteve që ka në skuadër. Partizani ndoshta do të rikthehet një kundërshtar i fortë, por në momentin që flasim, është i paqartë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *