• |
ide | kryesore

Kapen 11 kg heroinë në Durrës, arrestohet një 50-vjeçar rezident në Zvicër

Arkiva, Lajme, Të fundit

Policia Kufitare sekuestroi 11 kg heroinë në Portin e Durrësit.

Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të analizës së riskut, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në pikën e kontrollit të mjeteve, në mjetin tip Opel me drejtues shtetasin A. S. shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur edhe qenin antidrogë kanë konstatuar se në brendësi të automjetit kishte lëndë narkotike.

Menjëherë është njoftuar grupi hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës. Gjatë kontrollit të imtësishsëm të automjetit në gomën rezervë dhe në brendësi të vendit ku ajo vendoset, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 25 pako me lëndë narkotike, me peshë 11 kg, e dyshuar Heroinë.

Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit  A. S., 50 vjeç, banues në Zvicër, drejtuesi i mjetit.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu