• |
ide | kryesore

Arrestimi i pretenduar në Itali, Babani depoziton gjurmët e gishtave

Lajme, Të fundit

Kreu i Bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani, ka depozituar shenjat e gishtave në Institutin e Policisë Shkencore, pas akuzave të Partisë Demokratike, që pretendon se kandidati socialist i dalë nga zgjedhjet vendore monopartiake të 30 qershorit, është arrestuar në zonën e Siçilisë për veprën penale “Vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim”.

Në mbështetje të akuzave, PD-ja ka publikuar   dy ditë më parë dokumentet që dëshmojnë sipas selisë blu arrestimin e kreu të njësisë vendore të Vaut të Dejës. Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se Babani, duke përdorur emrin e rremë “Marq Babaj”, është arrestuar më datë 4 Prill 1994 në Itali, duke vjedhur makina. “Kandidati i Edi Ramës për Vaun e Dejës ka qenë pjesë e një grupi kriminal që vepronte në zonën e Siçilisë dhe që kishte kryer disa vjedhje.”- tha më tej Bardhi.

Sipas selisë blu, Babani ka qëndruar në burg deri më datën 6 Maj 1994 dhe më pas është dënuar dhe dëbuar nga shteti Italian. Më herët, bazuar në të dhënat e formularit të Vetëdeklarimit të kryebashkiakut, PD-ja ngriti pretendimin se Babani, “në mënyrë ilegale ka mbajtur edhe disa identitete të tjera, të padeklaruara në Formularin e Dekriminalizimit, si më poshtë:

Mark Ndoc Babani, i datëlindjes 24.12.1965

Marq Saimir Babaj, i datëlindjes 11.06.1967

Ylli Saimir Babaj, i datëlindjes 02.11.1968”

Njësoj si në rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të dorëhequr të Shkodrës, Valdrin Pjetri, si edhe të kryebashkiakut në detyrë të Vorës, Agim Kajamaku, PD-ja i është referuar të dhënave të sistemit TIMS, nëpërmjet të cilave, sipas selisë blu rezulton se Babani nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë përgjatë periudhës 1994 – 2005 me identitetin e tij real.

“Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Mark Babani ka deklaruar se ka jetuar për 5 vite në Itali. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Mark Babani nga periudha 1994 – 2005 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë me identitetin e tij real, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”- argumenton PD-ja në kërkesën adresuar Prokurorisë për kryerjen e verifikimeve ndaj figurës së Babanit, shoqëruar nga firmat e 500 qytetarëve.

Në këto kushte, sipas PD-së, Babani duke qenë subjekt i Ligjit të Dekriminalizimit, nuk mund të ushtrojë funksione publike. Ndërkohë, përkundër pretendimit të ngritur nga selia blu, Babani, në disa prononcime për mediat ka mohuar kategorikisht akuzat, duke u shprehur se “kam pasur absolutisht vetëm emrin Mark” dhe se në periudhën kohore për të cilën pretendohet nga PD-ja, ka udhëtuar drejt Italisë. Ndërsa, përsa i përket akuzave lidhur me përdorimin e identiteteve të rreme, Babani është shprehur se: “E kemi pas mbiemrin Babaj dhe në 1993 e kemi kthy e kemi bërë Babani që unë e kam përshtat edhe në dokumentet e mia.”

Ky është rasti i tretë në radhët e kryebashkiakëve socialistë që akuzohen nga PD-ja për fshehjen e një të kaluare kriminale, pas Valdrin Pjetrit të dorëhequr nga drejtimi i Shkodrës dhe Agim Kajmakut në Vorë, për të cilin Gjykata e Janinës konfirmoi përmes një dokumenti të publikuar dje nga selia blu, se ka qenë në kërkim nga drejtësia greke, pasi është arrestuar në Janar 2003 me emrin “Jorgo Toto”, fakt që e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.

 

2 Comments

  1. O Neandertal i Epokes se Gurrit, analfabet gjenetik, produkt i erresirave te honeve dhe shpellave, nese te kane marre gjurmet e gishtave ik se e bete balte fare. Ky milet meriton gjithecka por kjo eshte me te vertete e tepert.

    1. ti thua qe os ti jepte gjurmet e gishtave ? Ne komentin tuaj lexoj me shume sharje por jo dicka logjike ?

      Pra sipas teje meqe prokuroria i paska marre gjurmet e gishtave , ky duhet te hiki se e paska bere balte fare ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu