• |
ide | kryesore

“Lufta e dekreteve”, Kuvendi “rrëzon” sërish Metën

Lajme, Të fundit



Në fundin e seancës së sotme parlamentare, me votat kryesisht të mazhorancës janë rrëzuar dy dekrete të radhës të presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Bëhet fjalë për dekretin për Kodin Penal, si edhe për Akademinë e Shkencave. Sipas eksponentëve të qeverisë, ndryshimet në Kodin Penal synojnë parandalimin e krimeve, veçanërisht ndaj bluzave të bardhave apo armëmbajtjes pa leje. Ndërsa, në arsyetimin e dekretit të tij për kthimin në Kuvend të këtij ligji, Meta vlerësonte se nenet e ndryshuara paraqesin paqartësi në formulimin e disa paragrafëve të tyre dhe në disa raste mbivendosen me parashikime të tjera të Kodit Penal. Për rrjedhojë, argumentonte kreu i shtetit, ndryshimet mund të sjellin zbatim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cënimin e parimeve kushtetuese dhe të sigurisë juridike.

Neni 3 i ligjit 44/2019, që synon ndryshimin e nenit 121 të Kodit Penal, që parashikon veprën penale të ndërhyrjeve të padrejta në jetën private, krijon mbivendosje me dispozitat e tjera të Kodit Penal dhe nuk është në harmoni me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale. Neni 6 i ligjit nr. 44/2019, që ndryshon nenin 201 të Kodit Penal, në paragrafët 2-5 përmban shprehje abstrakte, përdorimi i të cilave jo vetëm e bën të pamundur zbatimin këtyre paragrafëve në praktikë, por krijon rrezik që të sjellë një precedent në ushtrimin e ndjekjes penale apo dhënien e dënimeve në mënyrë jo proporcionale. Neni 7 të ligjit 44/2019, i cili parashikon shtimin e një figure të re të veprës penale, atë të transportimit të mbetjeve, është i paqartë në mënyrën se si është miratuar dhe e bën aplikimin e kësaj dispozite të vështirë nga ana praktike”.

Sakaq, rrëzimi i dekretit për Akademinë e Shkencave  u mbrojt nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, sipas së cilës ligji në fjalë e fuqizon institucionin më të rëndësishëm shkencor i vendit. “Ligji i ri për Akademinë e Shkencave e fuqizon këtë institucion duke i dhënë mundësinë për t’u shndërruar në përfaqësuesen më të denjë të vlerave më të mira intelektuale që Shqipëria duhet t’i promovojë jo vetëm në vend, por edhe jashtë saj”, tha Shahini.

Meta e ktheu këtë ligj për rishqyrtim në Kuvend, duke argumentuar se projekti binte ndesh me parashikimet e Kushtetutës, cënonte autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, kompetencat e Presidentit të Republikës dhe se nuk qendronte në harmoni me kuadrin ligjor ekzistues të vendit.

Më tej, në kërkesën për rishikimin e ligjin, Meta vërente se Akademisë së Shkencave i jepej një status më i lartë në hierarkinë e kërkimit shkencor. Madje, në argument konstatohet se me këto ndryshime Akademia e Shkencave kthehet në institucionin e vetëm përsa i përket hulumtimit të gjuhës shqipe. Ndërsa, kreu i shtetit argumenton se ky është një proces vendimmarrës madhor që duhet të përfshijë edhe katedrat përbërëse të fakulteteve të gjuhës, të shkencave sociale, të gazetarisë etj.

“Akademia e Shkencave nuk mundet dhe, në fakt, nuk do duhej të trajtonte e vetme problematikat delikate të përshtatjes, unifikimit, ndryshimit të simbolit kryesor të identitetit të kombit tonë, me ndryshimet e vrullshme që jeta ka sjellë që nga kongresi i fundit gjuhësor i mbajtur në vitin 1972”, shkruhej në dekret.

Një tjetër pikë që kërkohej të rishihej ishte mbivendosja e funksioneve të Aademisë së Shkencave me ligjin për arsimin e lartë, ku institucionet e arsimit humbasin autonominë. Në vijim, Meta tërheqte vëmendjen në ndryshimet për marrjen e statusit të anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku theksoj se pranimi i kandidatëve prezumohet se kryhet individualisht dhe jo në grup. Po ashtu, kreu i shtetit shtonte se shqyrtimi kryhet nga Asambleja, rast pas rasti dhe mbi bazën e kritereve jo diskriminuese pozitive ose negative me karakter etnik për secilin kandidat të paraqitur.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *