Një seri tërmetesh që iniciuan me një tronditës të orës 16:04 po shkundin vendin prej ditës së djeshme.
Shqipëria është lëkundur plot 17 herë nga tërmetet e forta. Tërmeti i parë ishte dhe më i tmerrshmi, me një magnitudë 5.8 ballë të shkallës Rihter, që ishte dhe më i forti i tre dekadave të fundit.
Epiqendra e tërmeteve ishte në Detin Adriatik, me një thellësi jo shumë larg qytetit të Durrësit, ndaj dhe pasojat më të mëdha kanë qenë në qytetin bregdetar.
Ky tërmet shkaktoi dëme të mëdha në Durrës dhe Tiranë, duke shkatërruar qindra banesa dhe dhjetra pallate, si dhe duke lënduar me dhjetëra qytetarë. Pas kësaj lëkundjeje dramatike, që shkaktoi panik e tmerr te qytetarët e Durrësit dhetë kryeqytetit, lëkundjet kanë vijuar gjatë gjithë kohës, por me magnitudë më të vogël.
Një tjetër tërmet i fortë u shënua dhe në mesnatë pak pas orës 00:00, me magnitudë 5 ballë, ndërsa lëkundje të tjera të forta janë shënuar gjatë natës, duke bërë që shumë qytetarë të kalojnë natën jashtë.
Ministria e Shëndetësisë ndërkohë ka dhënë informacion mëngjesin e sotëm lidhur me qytetarët e lënduar nga tërmeti i fuqishëm. Ministria thekson se 10 qytetarë ndodhen në kujdes mjekësorë, ndërsa pjesa tjetër ka lënë spitalet.
Sipas këtij institucioni, gjithsej kanë marrë shërim mjekësor 105 qytetarë të lënduar nga tërmeti, 75 prej të cilëve janë vendosur te “Trauma”, kryesisht me dëmtime të shkaktuara nga rrëzimet apo goditjet. Tashmë, MSH thekson se janë 7 qytetarë te “Trauma” dhe 3 në Spitalin e Durrësit, që vijojnë të marrin shërbim mjekësor.
Sizmiologët: Lëkundjet do të vijojnë
“Ka qenë një natë me më pak lëkundje se dje. E vetmja lëkundje e fortë ishte ajo 4.9 ballë. Që prej pasdites së djeshme, janë regjistruar 297 goditje. Nga ora 12 e natës janë regjistruar 87 goditje, por me magnituda të vogla.” – tha sizmiologu shqiptar Rrapo Ormeni.
‘Apokalipt’ i paralajmëruar
Pak muaj më parë, Presidenti i vendit Ilir Meta paralajmëroi se vendet e Ballkanit pritet të goditen nga një valë tërmetesh apokaliptike. Ai apeloi ndaj institucioneve përkatëse që të marrin masa paraprake dhe të tregojnë kujdes të shtuar.
Në një intervistë për Top Channel, sizmiologu grek Akis Tselentis, i cili u citua më herët dhe nga presidenti Meta për pasoja të tilla të mundshme nga tërmeti tha se duhet pasur kujdes në vazhdim, pasi godinat e dëmtuara nga tërmeti kryesor mund të përdhosen nga një lëkundje më e lehtë.
“Do te kete vazhdimisht lekundje per disa kohe. Dhe mundet qe nje prej ketyre lekundjeve te jete edhe me eftekte shkateruese,pasi ne se nje shtepi ose banese eshte demtuar paksa edhe me nje lekundje me te lehte mund te shembet. Do kujdes te vecante ne oret e ardheshme.” – u shpreh Akis Tselentis.
Dëmet dhe dëshmi
Në Durrës dhe Tiranë ka pasur plot krisje të forta në ndërtesa. Erion Veliaj tha se po inspektohen 42 pallate dhe 70 shtëpi me krisje. Në Durrës situata është edhe më e rëndë. Fasada pallatesh kanë rënë e janë shkëputur.
Nga një pallat i dëmtuar në Durrës, është rrezikuar seriozisht jeta e shumë qytetarëve për shkak se kanë rënë depozitat e ujit.
“Ka qenë tmerr i paparë, kemi shpëtuar nga depozita e ujit, që desh na ra në tokë. Na ka ruajtur Zoti, nuk kam çfarë flas, nga ajo që kam parë dje. Thyenin qafën duke vrapuar për të dalë jashtë qytetarët”, tha një banore e zonës.


Krisje ka pasur edhe në Muzeun Historik Kombëtar dhe në Kryesinë e Kuvendit.

Rrugët në Tiranë dhe Durrës u mbushën plot me njerëz, të tmerruar nga lëkundjet.

Ka pasur plot njerëz që kanë zgjedhur të flejnë jashtë nga frika se një tërmet tjetër do të jetë fatal për ta. Disa kanë zgjedhur shezllongët, disa makinat e tyre, të tjerë pikat e emergjencës të ngritura nga autoritetet.
https://www.instagram.com/p/B2sTgbdgn-F/?utm_source=ig_web_copy_link

Masat për tëmetet
Kryeministri Edi Rama thirri mesnatën e kaluar në një mbledhje urgjente qeverinë, pas tërmetit shkatërrimtar 5.8 ballë të shkallës Rihter, që goditi Shqipërinë, rreth orës 16:05 të pasdites së djeshme.
Mbledhja u zhvillua në orët e mesnatës, ndërsa lëkundjet e tërmetit vijonin të godisnin vendin. Një lëkundje e fortë, 5 ballë, është shënuar pikërisht teksa po zhvillohej live mbledhja e qeverisë. Ka qenë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili po raportonte mbi masat policore ndaj pasojave të tërmetit, kur ka thënë se “po përpiqem mos më lëkundet zëri mua, se godina po lëkundet”.
Mbledhjet kanë qenë të njëpasnjëshme. Rama është takuar me ministrat, deputetët, kryebashkiakët, gjeneralët dhe prefektët.
Duke iu ndarë punën prefektëve, ushtrisë, policisë, por edhe ministrave e deputetëve, Rama ka kërkuar tri gjëra të rëndësishme, që duhen realizuar brenda ditës së sotme, duke filluar nga komunikimi me qytetarët e prekur, te lirimi i Stadiumit për familjarët, e deri të harta me identifikimin e të gjitha pikave të prekura nga dëmet.
Pas urdhrit të kryeministrit, ka nisur puna në qytetin e Durrësit për të mbushur me shtretër dhe çadra stadiumin “Niko Dovana”, ku të mund të qëndrojnë të gjithë qytetarët e prekur nga tërmeti 5.8 ballë.
Kryeministri Rama tha se të gjithë deputetët, ministrat dhe kryebashkiakët do të ndahen në të gjitha zonat e prekura nga tërmetet, për të zhvilluar komunikime me qytetarët, të cilët vijojnë të jenë të traumatizuar nga lëkundjet e forta.
“Të gjithë bashkë duhet të ndahemi sipas zonave, dhe pjesa tjetër e bashkive, të fokusohemi në pikat kritike, duke u përpjekur të mbulojmë të gjitha shtëpitë dhe për çdo familje të ketë një kontakt sot.” – u shpreh kryeministri.
Ndaj situatës së rëndë ka reaguar zyrtarisht edhe LSI-ja opozitare. Në një dalje për media, Petrit Vasili i kërkoi qeverisë që të shpallë gjendjen e emergjencës dhe të mos bëjë shoë në televizione.
“Përballimi i situatës, përgjegjësi e qeverisë. Qeveria 4 orë para TV, qytetarët nuk kanë nevojë për shoë. Qytetarët kanë nevojë për punë në terren”, tha mes të tjerash Vasili.
©LAPSI.AL