• |
ide | kryesore

KLP shtyu mbledhjen, reagon Komisioneri Publik: Afati për shqyrtimin e ankimimit mbaron sot

Lajme, Të fundit



Pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) njoftoi shtyrjen e mbledhjes së parashikuar për ditën e sotme, për shkak të mosardhjes së letrës zyrtare nga Komisioneri Publik lidhur me kandidatin Olsian Çela ka ardhur reagimi zyrtar i organit mjaft të rëndësishëm në procesin e vetting-ut.

Në një njoftim për shtyp, Komisioneri Publik shprehet se nisur nga fakti që afati 15-ditor, në rastin konkret, mbaronte më datë 21.9.2019, ditë e shtunë, bazuar në nenin 148 të Kodit të Procedurës Civile dhe nenit 56 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për paraqitjen e ankimit mbaron ditën e punës që vjen pas asaj të pushimit, pra sot, e hënë, datë 23.9.2019.

Në mbledhjen e KLP-së pritej të publikohej lista e kandidatëve pёr postin e Prokurorit tё Pёrgjithshёm, që plotёsojnё kushtet ligjore pёr tё vazhduar mё tej garёn, pas kryerjes së vlerёsimit paraprak. Sipas KLP-së, mbledhja u shty për shkak se nuk ishte marrë letra zyratre nga Komisioneri Publik lidhur me kandiadatin Olsian Çela.

Katër  kandidatët që kanë shprehur interesin për detyrën e kryeprokurorit janë: Arta Marku (kryeprokurore në detyrë), Olsian Çela, Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj.

DEKLARATA E PLOTË

Institucioni i Komisionerëve Publikë, në vijim të informacioneve të publikuara sot në media, rreth shkaqeve të shtyrjes së Mbledhjes së radhës së KLP-së, që kishte në rend dite miratimin e listës përfundimtare të kandidatëve për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, bën më dije se vendimi nr.185, datë 23.7.2019, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Olsian Çela, bazuar në nenin 63, pika 1, të ligjit nr. 84/2016, i është njoftuar Komisionerit Publik në datë 6.9.2019, nëpërmjet shërbimit shtetëror postar.

Bazuar në nenin 63, pika 1, e ligjit nr. 84/2016, Komisionerët Publikë kanë afat 15 ditë, nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për ta ankimuar pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Nisur nga fakti që afati 15-ditor, në rastin konkret, mbaronte më datë 21.9.2019, ditë e shtunë,  bazuar në nenin 148 të Kodit të Procedurës Civile dhe nenit 56 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për paraqitjen e ankimit mbaron ditën e punës që vjen pas asaj të pushimit, pra sot, e hënë, datë 23.9.2019.

Komisionerët Publikë, duke qenë institucioni i vetëm, ndër tri institucionet e rivlerësimit, që në bazë të ligjit, kompetencën e tij kushtetuese për të ankimuar ose jo vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e ushtron brenda një afati të prerë kohor, 15 ditë, janë duke përmbushur detyrimet e tyre me kapacitet të plotë.

Ju bëjmë më dije se nga data 4.9.2019, Komisionerëve Publikë u janë njoftuar 10 vendime nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të cilat njëkohësisht janë në proces shqyrtimi nga Komisionerët Publikë.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, të gjitha vendimet e marra nga Komisionerët Publikë, për të ushtruar ose jo ankim ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, publikohen menjëherë në faqen zyrtare të institucionit:  http://ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *