• |
ide | kryesore

Tërmetet/ Shtegu që i duhej qeverisë për paketën antishpifje

Lajme, Të fundit



Lajmi i rremë i përhapur mbrëmjen e djeshme në disa portale, që lajmëronin rënien e një tërmeti prej 6 ballësh në prag të mesnatës, është instrumentalizuar nga mazhoranca në një kalë Troje, për të legjitimuar nevojshmërinë e pasjes së një paketeje antishpifje.

Për hir të së vërtetës, alarmi fals që mori dhenë dhe i futi të dridhurat edhe mendjeve racionale, nuk është krejt i patolerueshëm, pasi mbi të gjitha nuk plotësonte parakushtin për t’u quajtur lajm: çfarë paraqitej si fakt ishte spekulim, duke mos përmbushur kriterin e vërtetësisë që i shërben interesit publik. Mirëpo, gjithaq e pakapërdishme është trumbetimi që po i bëhet tërthorazi paketës antishpifje, duke bërë “theror” dy gazetarë.

Kryeministri Rama ishte i pari eksponent i mazhorancës që përmes një shënimi të gjatë në rrjetet sociale, u shpreh “thellësisht i revoltuar, që një idiot apo disa syresh së bashku, përhapën një Fakenews kriminal për ardhjen e një tërmeti shkatërrues dhe kallën mbrëmë panikun në shpirtin e shumëkujt prej jush!”. Në koherencë me të, janë shprehur pothuajse edhe të gjithë ministrat nga terreni, që kishin hequr petkun e zyrtarit të lartë, për të inspektuar, pa harruar shpurën e kamerave nga pas, dëmet e konsiderueshme materiale të shkaktuara nga dy tërmetet e fuqishme të së shtunës.

Në një deklaratë për shtyp të mbajtur pak më herët, numri dy i qeverisë “Rama 2”, zëvendëskryeministri Erion Braçe theksoi se autorët dhe zotëruesit e “rrjetit kriminal të përhapjes së fake news-eve”, do të përballen me ligjin. “Nuk kam ndërmend të fal ankthin dhe frikën e tejskajshme të prindërve, nuk kam ndërmend të fal mundin dhe stërmundimin e të moshuarve që mezor dje janë çuar nga shtrati, nuk bëjmë kompromis me atë që ka ndodhur dje.”- dramatizoi Braçe.

Kështu, papritur e papandehur, teksa oponenca e paketës antishpifje rritej bindshëm, jo vetëm nga grupet e targetuara apo opozita, por ndër të tjera edhe nga vetë OSBE-ja (përfaqësuesi i të cilës për Lirinë e Medias, Harlem Désir, i dërgoi kreut të qeverisë, Edi Rama, një letër për rishikimin ligjor të ndryshimeve në “Ligjin për Media Audiovizuale në Shqipëri”), lajmi i rrejshëm për tërmetin e mbrëmshëm ishte si një “Deus ex machina” që u përdor pa ngurrim nga makina propagandistike qeveritare.

Megjithatë, nuk duhet humbur kthjelltësia, vigjilenca dhe rezistenca ndaj paketës antishpifje, pasi sipas një parimi universal të drejtësisë, “më mirë njëqind të fajshëm jashtë sesa një i pafajshëm në burg”, që në rastin konkret mund të konvertohet në “më mirë të lejojmë njëqind medie të fajshme sesa të ndalojmë një media të pafajshme”. Të metat e kësaj nisme janë të shumta. Në një raport të gjatë zyra e OSCE-së në Vjenë, i sugjeronte Ramës rishikimin e disa pikave të “Ligjit të për Komunikimet Elektronike”, për arsye se bien ndesh me standardet ndërkombëtare të lirisë së shprehjes.

Përfaqësuesi i OSBE-së, Désir, në letrën drejtuar Ramës, nënvizonte ndër të tjera se përkundër parashikimit të përcaktuar në këtë paketë, “AMA ose ndonjë organ administrativ apo rregullator nuk duhet të merret me çështjet e shpifjes, të cilat duhet të mbeten nën kompetencat e gjykatave.” Përveç kësaj, paketa cënon të drejtën e apelimit, duke i bërë të zbatueshme menjëherë gjobat e AMA-s, që për më tepër janë disproporcionale. Më tej, në kundërshtim me konkluzionin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, paketa antishpifje e vendos lirinë e shprehjes më poshtë se liria e dinjitetit të personit, çka e dëshmon vendosja e gjobave penalizuese të majme ndaj subjektit shpifës, që me gjasë do të shpallë falimentin.

Shqyrtimi ligjor i përfaqësuesit të OSBE-së ngrinte shqetësime edhe rreth nocioneve të sigurisë publike, dhe të drejtave themelore dhe çdo dispozitë të përfshirë në sistemin ligjor shqiptar. Në letër nënvizohet se këto nocione janë të definuara në mënyrë të gjerë, që mund të sjellë rënien në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të sigurisë juridike, proporcionalitetit dhe të domosdoshmërisë, pasi nuk përfshijnë rregulla specifike për mënyrën e sigurimit të mbrojtjes së lirisë së shprehjes.

Sa më sipër, ekspozon rrekjet për vendosjen e një diktati të pakundërshtueshëm kryeministror. Nëpërmjet paketës antishpifje, po synohet kontrollimi dhe asgjësimi i mendimin ndryshe, për të lënë shoqërinë në mungesë të burimeve kritike të informimit. ©Lapsi.al



7 Comments

  1. Duke njohur te gjithe shqiptaret karakterin e pabese te tij, nuk eshte çudi qe edhe kete here kryellumi ja ka dhene vete kete lajm per te justifikuar miratimin e paketes anti shpifje. E ben gjoja te revoltuarin, ky qe nuk pyet per familjen e tije, po u preokupoka per shqiptaret.Si perhere edhe kete here, bastardi hedh gurin e fsheh doren. Ps: thone se keta te gjatet vdesin shpejt nga zemra. Urojme qe te mos jete rasti, per te.

  2. Investigoni nga cili rrjet social ka dale lajmi qe me pas u botua nga portalet dhe me siguri qe do shikoni se lajmi fillimisht eshte perhapur nga ndonje profil i rreme qe i perket ndjekesve te qeverise.

  3. Po dhe keta mut gazetaresh kur e dine punen pse nuk citojne burimin ose ta verifikojne nje cik ate mut lajmi qe japin……. keshtu qe sdo kishte nevoj per kontroll qeveritar po keta thone pse sna lini te qete te bejme ca na ngrefet ..babale ne nje krah… fake news ne krah tjeter dhe prisni qe mos te nderhyj qeveria ptu rrac e keqe. E dashkit me dru se paska pas keq Enveri. Sa jam penduar qe kam dal si bole ne klas te 7 kunder ketij burri shteti qe e njihte aq mire popullin e vet….

  4. Ky eshte qelbesire, por edhe ju te portaleve ngelet duke shkruar “tmerr, shkundje,katastrofe etj etj”..edhe ju duhet te kuptoni gabimin tuaj..

  5. Nje koment pozitiv per Kishen Katolike e cila publikisht ka mbeshtetur njerzit. Teper interesant fakti qe kisha katolike ka qene teper korrekte dhe e artikuluar jo vetem ne kete rast por edhe kunder droges etj probleme shoqerore. Ajo ortodokse, Komuniteti Musliman dhe ai Bektashi fare. Opo hic, asnje llaf asgje. Mos ma merrni per ters, vete jam bektashi. Si e spjegoni juve??

    1. Katolicizmi është fe e reformuar që në shekullin e 16, ndërsa këto fetë lindore janë fe që ju imponohen njerëzve, sidomos kur ata besimtarët nuk janë të arsimuar dhe është më e lehtë ti imponohesh një të tilli.

  6. Mua më duket se hallin më të madh edvini e ka me Ilir Metën, sepse ju kthye në bumerang përpjekja për tu tallur me Metën nga informacioni që ju kishte dërguar Meta. Pas kësaj që ndodhi Meta ka fituar shumë pikë ndërsa edvini ka falimentuar të paktën moralisht.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *