• |
ide | kryesore

Zgjedhjet në Kosovë, Haradinaj me 100 zotime dhe “luftë” në dy fronte

Arkiva, Lajme, Të fundit



Kryetari i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në fushatë me 100 premtime. Betejat e Ramush Haradinajt me gjykatën, lufta politike brenda vendit dhe betejat edhe me faktorin ndërkombëtar. Politikani i drejtpërdrejtë që qeveris si “komandat”.

Lufta me armë në dorë për Pavarësi dhe lufta për një Kosovë të zhvilluar, të njohur ndërkombëtarisht me kufijtë ekzistues dhe të integruar, janë dy epoka dhe një personazh. I tillë është kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i dorëhequr dy muaj më parë për t’u përballur për të tretën herë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Dy herë ka fituar pafajësinë dhe tashmë është e treta dosje që i hapet ndërsa ai ishte në krye të qeverisë me akuzën për “krime lufte”, por mund ta sjellë edhe më të fituar dhe protagonist më të madh në politikë. Ai mbetet faktor në Kosovë, jashtë petkut të një politikani artikuluar, deri në bishtim të së vërtetës, por i drejtpërdrejtë, popullor dhe mbi të gjitha i vendosur. Fushata elektorale për zgjedhje të parakohshme është në kulmin e saj dhe Haradinaj ka dalë me shifrën e 100 premtimeve dhe një kontratë me qytetarët e Kosovës.

Nëse fiton besimin publik, bashkë me aleatët, Haradinaj mund të marrë qeverinë për të tretën herë, por përballja do ketë kosto dhe duket se ai është i përgatitur për të qenë i vendosur kundër çdo ideje për “korrigjim kufijsh”, apo për të mbajtur deri në njohjen e Kosovës taksën 100 % për produktet serbe.

I ardhur nga “fronti i luftës” si Komandant i UÇK-së në zonën e Dukagjinit, Haradinaj sot ka beteja të tjera për të fituar, jo nga ata ballore ku e di kush është armiku që të ka pushtuar, por në llogoret e politikës, herë e errët dhe herë e gri, por që për një politikan të drejtpërdrejtë duket paksa e vështirë të mbijetojë, ndonëse koha në shumë raste i ka dhënë të drejtë.

100 zotimet…

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka parashtruar se cilat do të jenë 100 zotimet e tij si kandidat për kryeministër. Zotimi i parë është Kosova e 17 shkurtit, jo ndarje dhe taksa do të mbetet deri në njohje. Zotimi i dytë ishte statusi i kandidat për BE deri në vitin 2020, ndërsa vijon me liberalizimi i vizave, rritja ekonomike në 8 % deri në fund të mandatit, hapja e 25-30 mijë vendeve të reja pune çdo vit, rritja e pagës minimale deri në 350 euro në fund të katër viteve, zhvillime infrastrukturore dhe rritje pagash për të gjithë nivelet deri në 10 %.

Gjithashtu ai rendit të gjithë projektet që do të ndërhyhet që nga rrugët, hekurudhat, vënien në funksion me kapacitet të plotë të Ministrisë së Trepçes, apo investime në fushën e sportit. Analistët politik shprehen se fushata elektorale duket e goditur, pasi veç premtimeve, Haradinaj është i pranishëm në çdo takim elektoral nën siglën e partisë së drejtuar prej tij AAK. Nëse shumë nga premtimet, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimin ekonomik, rritjen e nivelit të jetesës dhe forcimin e shtetit ligjor, ka një “program të pashpallur” që lidhet me mënyrën politike të sjelljes ndaj Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar.

Jo pa qëllim pika e parë e premtimit mbetet Kosova e 17 shkurtit (pra momenti i shpalljes së Pavarësisë) me kufijtë ekzistues dhe taksa 100% me Serbinë, deri ku kjo e fundit të njohë Kosovën shtet. Ashtu si në Shqipëri, edhe në Kosovë vuajmë nga “sëmundja kronike” e shumë premtimeve, por pak mbajtjeve të tyre. Në rastin Haradinaj, ngjit diçka ndryshe, dhe atë të parët po e kuptojnë vetë qytetarët atje.

Lufta e brendshme dhe trysnia nga jashtë

Në momentin e parë që Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi u shpreh me idenë e “korrigjimit të kufijve” me Serbinë, i pari që reagoi ashpër, prerë dhe gati nën “besë” se sa të jetë i gjallë kufijtë nuk preken, ishte Ramush Haradinaj. Për disa kohë vijoi kjo betejë politike në Kosovë, ku Thaçi dhe Haradinaj ndaheshin tërësisht në këtë ide.

Ende vijon ky qëndrim i kundërt, por për momentin, ngjan se i “fituar” doli Haradinaj, pasi BE, veçanërisht Gjermania, rrëzoi çdo ide të korrigjimit të kufijve, pasi i druhet se kjo mund të shkaktojë një efekt zinxhir në të gjitha Ballkanin, çka mund të sjellë deri në konflikte të dhunshme etnike.

Është nga ato rastet e rralla, për të mos thënë të vetmet, pasi nuk gjendet një i ngjashëm që një politikan shqiptar ti thotë Jo “lutjeve” të dy personazheve të rëndësishëm të politikës Europiane Angela Merkel dhe Emannuel Macron. I kërkuan pezullimin e taksës 100 % për produktet serbe, por Haradinaj vendosi veton, duke marrë mbi shpinë një kosto më të madhe se vetë Samiti i Berlinit.

Aty pati edhe një debat fort të ashpër me kryeministrin Edi Rama, i cili mësohet se në sy të “dy miqve” të Europës këmbëngulte që Haradinaj të pranonte heqjen e përkohshme të taksës së lartë. Nuk u tërhoq, edhe pse nga ai samit iku si i vlerësuar që ishte mbrojtës për të mos lejuar “korrigjimin e kufijve”, por me një kosto të madhe se nuk pranoi që tërhiqej nga vendimi për të mbajtur në fuqi taksën 100% për mallrat serbe. Nuk është vetëm një kosto ekonomike për fqinjët e shpallur “armiq” të përhershëm, por mbi të gjitha politike, ku Kosova e vogël bëhet faktor, qoftë edhe me qëndrimet e prera të një kryetari qeverie./Mapo



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *