• |
ide | kryesore

Presidenti e kërcënoi me largim, por Lerda “nuk di shqip”: derbi stacioni i fundit i italianit

F1, Sport



“Unë nuk kuptoj shqip, nuk e di ca shkruhet”. Tekniku i Partizanit Franco Lerda debuton me këto fjalë në konferencën për shtyp në vigjilje të debit kryeqytetas me Tiranën, edhe pse e ka të qartë se fjalët e thëna pa menduar se po vëzhgohej nga presidenti Gazmend Demi janë ato që qarkullojnë në gjithë ambjentin e kuq.

Për të kuptuar se Tirana është shansi i fundit për teknikun nuk duhet ditur shqip, sepse rezultatet kanë një gjuhë. Lerda ka më shumë humbje se fitore në nëntë ndeshjet që ka drejtuar Partizanin në të gjitha kompeticionet. Skuadra ende nuk ka krijuar një fizionomi dhe loja nuk është impresionuese, pa folur për qetësinë në dhomat e zhveshjes që mungon, nga koha kur u largua ish-tekniku Skënder Gega. Barazimi me Bylis, që ishte konsideruar pika e kthesës nga Lerda e kanë mbushur gotën plot dhe derbi vetëm mund ta derdhë: “Personalisht presidenti Demi nuk më ka deklaruar asgjë – vijoi Lerda – . E kam të vështirë ta besoj diçka të tillë. Nuk e ndjejmë aspak veten nën presion. Nuk e di çfarë do të ndodhë në fund të ndeshjes”.

Konferenca e shtypit e italianit ka patur tone të qetë, në tentativë për të ruajtur gjakftohtësinë në një ndeshje që vlen jashtëzakonisht shumë: “Kjo ndeshje ka një rëndësi mjaft të veçantë. Ne si skuadër kërkojmë pikët, por është e rëndësishme edhe për ambjentin, për vetë historinë që ky derbi mbart në kampionatin shqiptar. Mendoj që është një ndeshje shumë e rëndësishme”.

Formacioni i Lerdës, që u mundua të mos zbulojë asgjë, mbetet peng i dy pedinave të rëndësishme: Telushit në mesfushë dhe Boldor në mbrojtje: “Për sa i përket aspektit se si do ta rreshtoj skuadrën, i referohem pikërisht gjendjes së disa lojtarëve, si Telushi dhe Boldor. Do të vlerësoj gjendjen e tyre dhe më pas do të vendosim si do të luajmë”.

Partizani nuk humbet në një ndërqytetase me Tiranën prej 5 vjetësh dhe të paktën në fushë futet me një avantazh psikologjik, pavarësisht disavantazhit prej 3 pikësh në renditje: “Shpresoj që këto statistika të arrijnë të jenë në favorin tonë. Duam të vazhdojmë këtë traditë dhe të mbetemi të pathyeshëm në takimet që do të zhvillojmë përballë Tiranës” përfundoi Lerda, që hyn kështu në derbin e tij të parë kryeqytetas, me shpresën se për të nuk do të jetë edhe i fundit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *