• |
ide | kryesore

Dosja “Santiago Malko”/ Ndryshon akuza për dëshmitarin e vrasjes, Blendi Teta

Lajme, Të fundit



Blendi Teta, 39-vjeçari i arrestuar si personi që ka dijeni mbi itenerarin e ndjekur nga vrasësit e ish-policit, Santiago Malko, nuk po hetohet vetëm për veprën penale të moskallëzimit të krimit, por mbi të rëndon edhe akuza e vrasjes me paramendim.

Informacioni është bërë i ditur nga gazetarja e televizionit informativ “News 24”, Klodiana Lala, e cila dha këtë detaj të ri mbi hetimet në lidhje me ekzekutimin mafioz të Malkos rreth një muaj më parë, në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet.

Aktualisht dosja ka kaluar te Krimet e Rënda. Bledi Teta është i vetmi i arrestuar për ngjarjen. Teta po hetohet për vrasje të paramenduar, ndryshe nga më parë, që hetohej vetëm për moskallëzim të krimit. Rezulton se Teta është i lidhur ngushtë me personat e dyshuar për vrasjen e Malkos. Në kohën që kërkohej nga policia, ai është fshehur në shtëpinë e bashkëjetueses së tij, ndërsa ka aplikuar dhe për vizë për në Kubë”, ka informuar Lala.

Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e xhamllikut në Tiranë, u ekzekutua në makinën e tij tip “BMW X5”. Ish-polici ishte pjesë e bandës së Ervis Martinajt, i njohur ndryshe si bosi i lojërave të fatit. Malko kishte gjithashtu në pronësi disa pika bastesh sportive. Ai ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit 2018, ku dhe ndodhi vrasja e Fabian Gaxhës në ish-Bllok pas një përplasjeje me armë. Gjithashtu ish-polici i vrarë është përfshirë në një sherr me dy vëllezërit Lashi në vitin 2016 për një borxh prej 1 mijë eurosh. Megjithatë, pavarësisht kësaj ngjarjeje të rëndë, Santiago Malko ka qenë pjesë e Inspektoriatit të Mjedisit dhe Pyjeve, ku ka punuar si inspektor edhe pse ka qenë i shpallur në kërkim.

Lidhur me këtë ngjarje, Policia ka shpallur në kërkim tetë persona, ndërsa Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për të gjithë. Aktualisht, në pranga ka rënë vetëm Teta, i cili është lënë në burg pa afat nga Gjykata e Tiranës. Në këtë ngjarje janë të përfshirë edhe vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, Ervis Metani, Ilir Selmani, Oltian Loga, Dritan Aga, Aleksander Maxhaku, si dhe Fatmir Hyseni, i njohur ndryshe me pseudonimin “Doqja”. ©Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *