• |
ide | kryesore

Meta po kërkon të “shpëtojë” dhe Venecian

2, Ide



Ilir Meta ka shpallur disa herë vetveten të vetmin mbrojtës dhe interpretues të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Epitetin e parë ia ka mveshur vetvetes pa pasur një kompetencë të tillë kushtetuese. Si duket, në versionin e tij të Kushtetutës, Shqipëria nuk është republikë parliamentare që i nënshtrohet kontrollit dhe balancimit të pushteteve. Epitetin e dytë gjithashtu ia ka mveshur vetës, duke marrë mbi supet e tij rolin e autoritetit të vetëm të interpretimit të Kushtetutës, duke zëvendënsuar kështu në mënyrë heroike boshllëkun e krijuar nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Edhe kjo kompetencë e atribuuar vetvetes nuk gjindet askund në Kushtetutën e Republikës.

Ilir Meta gjithashtu ka shpallur disa herë vetveten të vetmin shpëtimtarë të Republikës nga përplasja civile. Rolin e shpëtimtarit të Republikës ai e ushtron përmes nxjerrjes së dekreteve. Këto të fundit kanë vetëm një të metë. Nuk bazohen në dispozitat e Republikës së Shqipërisë. Ky konstatim mbështetet nga jo më pak, se trupi këshillëdhënës me reputacionin më të lartë sa i përket cështjeve kushtetuese në kontinentin evropian dhe më tej – Komisioni i Venecias. Raporti i Komisionit të Venecias shkaktoi një brengë të thellë te Ilir Meta. Por, jo sepse ai kishte konstatuar se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, duke nxjerrë dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, kishte tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese. Ilir Meta është thellë i brengosur sepse atij tashmë i është shtuar edhe një detyrë – ajo e shpëtimtarit dhe mbrojtësit të Komisionit të Venecias dhe i cili, me nxjerrjen e raportit të fundit, paska tejkaluar mandatin e saj, qenka ndikuar skajshmërisht dhe paska vënë në pyetje integritetin e kredibilitetin e saj. Por Ilir Meta, nuk do të lejon që Komisioni i Venecias të degradoj. Ai në intervistën e tij dhënë në Klan deklaroi se të nesërmen do të nxjerr raportin e tij për të ndihmuar Komisionin e Venecias dhe për të shpëtuar të njetjën nga turpi i madh që e ka kapluar kur konstatoi se Presidenti Ilir Meta nuk paska kompetencë për të anuluar dhe shtyrë zgjedhje në Republikën e Shqipërisë.

Jo. Ilir Meta nuk e ka ndërmend të mbaj premtimin e radhës për të dhënë dorëheqje. Premtimi i dhënë u kushtëzua tashmë. Për të dhënë ai dorëheqjen do duhen plotësuar dy kushte sipas tij. Ai duhet të sigurohet se Venecia nuk është cmendur fillimisht, dhe më pas, të gjeturat e saj, duhet të bindin Presidentin. Kërkesa që ai duhet të jetë i bindur me të gjeturat e Komisionit të Venecias nuk morri vëmendjen e duhur në debatin që u pasua nga analistët pas intervistës së tij. Kërkesa që ai duhet të jetë i bindur nënkupton që asnjë raport i Venecias që nuk përputhet me interpretimin kushtetutes të vet Ilir Metës, nuk është i pranueshëm për të. Pra ose Venecia duhet të pajtohet plotësisht me interpretimin që i bën Ilir Meta Kushtetutës ose Venecia është cmendur dhe Ilir Meta do të angazhohet për shpëtimin e saj. E njejta do të vlej medoemos edhe për Gjykatën Kushtetuese. Ose kjo e fundit do të interpretoj Kushtetutën sipas shijeve të Ilir Metës, ose që në fillet e punës së saj, ka rrezik të shpallet e cmendur dhe pjesë aktive e lëvizjes konspiracioniste vendore e ndërkombëtarë që është vënë në lëvizjë aktive kundër Ilir Metës, shpëtimtarit të Republikës.

Faktet dhe realiteti alternativ që mbizotëron në Presidencën e Republikës së Shqipërisë, kanë rezultuar në disa shkelje kushtetuese. Nuk eshte hera e pare qe Ilir Meta tejkalon kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk do të jetë as e fundit. Megjithatë, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe deri në themelimin e saj, është e vetmi tejkalim kompetencash kushtetuese deri më tani i saktësuar nga një institucion me reputacion ndërkombëtarë. Gjetjet e këtij të fundit e shënojnë fillimin e fundit të një Presidenti që në një konferencë për shtyp të mbushur plot dramë, me 10 qershor 2019, duke anuluar dekretin e vet për shpalljen e zgjedhjeve, tejkaloi kompetencat e tij kushtetutese me të gjithë publikun shqipëtar dëshmitar. Dëshmitarë ishin të gjithë po ashtu të mbylljes së kësaj performance publike me një simbol shqiponje. Shqiponja nuk dukej edhe aq krenare para një Kushtetute të Republikës së Shqipërisë të shkelur nga vet Presidenti i saj.

Brenga e madhe e Ilir Metës se Komisioni i Venecias ka tejkaluar mandatin e saj është e pabazë. Komisioni i Venecias nuk rrëzon President. Komisioni i Venecias nuk zëvendëson parlamente e Gjykata Kushtetuese të shteteve sovrane. Komisioni i Venecias jep opinione mbi cështjet kushtetuese e të cilat i janë adresuar. Pesha e këtyre opinioneve qëndron në reputacionin ndërkombëtarë dhe të pakontestueshëm të Venecias. Brenga e madhe e Ilir Metës andaj, nuk ndërlidhet me mandatin e Komisionit, por më përgjegjën që ai dha. Në pyetjen nëse Presidenti ka kompetencë të anuloj zgjedhje në Republikën e Shqipërisë, u përgjegj negativisht. Arsyetoi se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, veproi në kundërshtim dhe tejkalim të kompetencave të tij kushtetuese. Përtej këtij konstatimi, Venecia sqaroi se vendimi politik për propozimin e shkarkimit të Presidentit është në kompetencën e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa konstatimi nëse shkelja kushtetuese e Presidentit është serioze dhe rrjedhimisht shkarkimi i tij, në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, deri në vendimin e këtyre të fundit, Komisioni i Venecias sqaroi qartësisht dy cështjet më kontestuese në përditëshmërinë e diskutimeve politike e juridike në Republikën e Shqipërisë: vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe kundërkushtutshmërinë e dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Konstatimi i Komisionit të Venecias për vlefshërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit nuk është i pari. Se bojkoti i Kuvendit dhe i zgjedhjeve lokale ishte zgjidhje vetanake e opozitës dhe se ky bojkot nuk afektonte funksionimin e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ishte konfirmuar fillimisht nga Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë. E njejta, përkundër vërejtjeve e rekomandimeve, u konfirmua nga raporti i OSBE/ODIHR. Më me rëndësi, cdo tentativë për të manipuluar me vlefshmërinë e zgjedhjeve, morri fund përmes Raportit të Komisionit të Venecias, dhe i cili, duke konstatuar se zgjedhjet e 30 qershorit janë të vlefshme, thekson qartësisht se bojkoti i opozitës ka qenë zgjidhje vetanake dhe vullnetare e partive opozitare në Republikën e Shqipërisë dhe nuk mund të i atribuohet shtetit; se bojkotet e zgjedhjeve, nuk mund të rezultojnë në anulim të tyre, por përkundrazi mund të rezultojnë në mundësi për reformë elektorale; se anulimi i zgjedhjeve në fakt afekton të drejtat zgjedhore, përkundër tentativave të Ilir Metës për të argumetuar se anulimi i zgjedhjeve qenka në mbrojtje të të drejtave zgjedhore, dhe në mënyrë specifike, fuqimisht rrëzon tentativat e tij për të argumentuar se vendimi i tij bazohet në vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e njërit prej të cilëve, pasi që ekipi i tij ligjor gabimisht ia kishte gjetur, iu referua Presidenti me entuziasmin e një gjetje spektakolare para Komisionit Hetimor të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Këto raporte të institucioneve ndërkombëtare, në realitetin alternativ të Ilir Metës, janë në kundërshtim me prioritetet e Shqipërisë në rrugën e integrimit Evropian. Ai vazhdon të argumentoj se zgjedhjet janë të pavlefshme dhe se dekreti i tij i nxjerrë pa kompetenca në Kushtetutë, i shërben rrugëtimit evropian të Shqipërisë, respektimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeritut e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Sipas Ilir Metës, nuk janë Komisioni Evropian, OSBE e Këshilli i Evropës mekanzimat e mandatuar për të vlerësuar perspektivën evropiane të Shqipërisë. Raportet e tyre janë sekondare dhe duhet të i nënshtrohen vlerësimit dhe intepretimit të Ilir Metës. Vizioni i tij i rrugëtimit evropian të Shqipërisë, përkundër raporteve dhe qëndrimeve të institucioneve zyrtare evropiane, nuk e pengoi Presidentin e Republikës që një javë para mbajtjes së takimit të Këshillit të Ministrave, të ndërmarrë hapin e paprecent, të konfirmuar nga Komisioni i Venecias, për anulim të njëanshëm dhe pa kompetencë të zgjedhjeve vendore. Nuk e pengoi që një javë para zgjedhjeve të 30 qershorit, dhe në mungesë aftësie për të menaxhuar dëshprimin se zgjedhjet lokale do të mbaheshin edhe përkundër dekretit të tij, të i drejtohej OBSE-së, duke pasqyruar Republikën që ai përfaqëson në një platformë ndërkombëtare, në rastin më të mirë, në mënyrën më të errët, në kërkim të shpëtimit të dekretit të tij jokushtetues nga një organizatë, të cilën Republika e Shqipërisë është në radhë të udhëheq dhe përfaqësoj. Nuk e pengoj që një javë para takimit të Këshillit te Ministrave për hapjen e negociatave për Shqipërinë, të caktoj zgjedhjet vendore të 13 tetorit, e të cilat mund të mbahen vetëm në mendjen e Ilir Metës. Si për ironi, dekretit të Presidentit për mbajtjen e zgjedhjeve të 13 tetorit, OSBE në raportin e saj për zgjedhjet, i referohet në një fjali të vetme. Për Komisionin e Venecias nuk ekziston.

Me kaq u mbyll cështja e vlefshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit, sepse edhe pse Gjykata Kushtetuese do të thotë fjalën e fundit, do të ishte e papredentë nëse ajo do të injoronte ne teresi gjetjet e Komisionit të Venecias. Do të ishte poashtu e paprecentë, nëse Gjykata Kushtetuese do të injoronte gjetjet e Komisionit të Venecias sa i përket dekretit të 10 qershorit 2019, për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Sa i përket këtij dekreti, Komisioni i Venecias ishte shumë i qartë. Janë të kota tentativat e dëshpruara për të grisur raportin për të gjetur nëse dhe ku ai ka përdorur fjalën shkelje, shkelje serioze, mungesë kompetence e tejkalim kompetence. Raporti në tërësinë e tij ka sqaruar se në traditën kushtetuese të shteteve evropiane zgjedhjet shtyhen vetëm përjashtimisht dhe jo bazuar në perceptimin individual të autoriteteve relevante mbi krizat politike, përplasjet civile, e rreziqet për djegje parlamentesh, por gjithnjë ose në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ose bazuar në ndryshime kushtetuese, ose në raste dhe rrethana të cilat janë saktësisht të përcaktuar në ligje. Anulimi i zgjedhjeve të 30 qershorit nuk përkon më asnjeren nga këto rrethana. Raporti gjithashtu ka sqaruar që jo anulimi, por shtyerja e zgjedhjeve do të ishte e mundur vetëm bazuar në konsensusin e të gjithave palëve, por gjithnje duke u bazuar në një bazë të qartë ligjore që mundëson shtyerjen e zgjedhjeve, ose krijimin e një baze të tillë, përmes kalimit të një ligji apo amandmenti. Anulimi i zgjedhjeve të 30 qershorit nuk përkon as me këtë situatë. Komisioni i Venecias sqaron se kompetencat e Presidentit të listuara në nenin 92 të Kushtetutës duhet të ushtrohen në përputhshmëri me kufizimet e përcaktuara në nenin 94 të Kushtetutës. Komisioni i Venecias sqaron se edhe vet kompetenca e Presidentit për të caktuar datën e zgjedhjeve është e kufizuar në afatet dhe kushtet e përcaktuara në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor, ndërsa theksoi specifikisht që Presidenti i Republikës nuk ka asnjë kompetencë për të anuluar dhe shtyer zgjedhje, dhe atë, as në rast të gjendjes së jashtëzakonshme. Arsyetimin e Ilir Metës se dekreti i tij i 10 qershorit shpëtoi Republikën nga përplasja civile, u mbyll kur Komisioni i Venecias, i rikujtoi Presidentit se në Republikën e Shqipërisë nuk ishte e shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Kjo e fundit nuk nënkupton një kualifikim individual mbi një krizë e cila në vlerësimin subjektiv mund të ketë epitetin e të jashtëzakonshmes, por, sic sqaron Komisioni, nënkupton shpalljen e një gjendje të jashtëzakonshme përmes procedurës kushtetuese e e cila, për dallim prej Kushtetutës të cilën mund të ketë në posedim Ilir Meta, në Republikën e Shqipërisë shpallet nga Kuvendi, më kërkesë të Këshillit të Ministrave.

Gjithashtu, nuk duhet lënë anash faktin që Komisioni i Venecias, mbylli diskutimin mbi precedentët e mërparshëm mbi shtyerjen e zgjedhjeve nga Presidentët paraprak të Republikës. Komisioni i saktësoi qartësisht dallimet në mes rasteve të mërparshme për shtyerje zgjedhjesh në Republikën e Shqipërisë, duke i hedhur poshtë të gjitha argumentet se Ilir Meta nuk kishte bërë asgjë të jashtëzkonshme duke i anuluar zgjedhjet pa asnjë kompetencë kushtetuese dhe ligjore, dhe për më tepër, në kundërshtim me to.

Ilir Meta nuk është i bindur me analizën e Komisionit të Venecias. Nuk janë të bindur as avokatët e satelitët e tij. Kriza politike në Shqipëri, hapka udhë që shkeljet kushtetuese nga ana e Presidentit të jenë të lejueshme. Megjithatë, cdo diskutim mbi krizën politike në Shqipëri e mbi vlerësimin e ligjshmërisë të veprimeve të bartësve tjerë të funksioneve publike, dallon në mënyrë përmbajtësore nga ai për vlerësimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë të veprimeve të Presidentit të Republikës. Ky i fundit, për dallim nga të gjithë të tjerët, është i mveshur me petkun e përfaqësimit të unitetit të popullit dhe është i vetmi, betimi i të cilit për të iu bindur Kushtetutës e ligjeve të vendit, rëndon mbi faqet e Kushtetutës e Republikës. Është Presidenti i një republike parlamentare, që përkundër kompetencave të kufizuara kushtetuese, duhet të reflekton simbolin e shtetit të së drejtës. Pa marrë parasysh bindjen e secilit në raport me veprimet politike të Ilir Metës, nuk është kontestuese tashmë, që Ilir Meta si politikan dhe Ilir Meta si President nuk qëndrojnë në raport të drejtë më tej. Ilir Meta si politikan, ka rrënuar pavarësinë e institutcionit të Presidentit të Shtetit, dhe ka futur vetveten në rrethin vicioz të shpikjes së vazhdueshme të argumenteve politike, për të arsyetuar veprimet e pa bazuara në asnjë normë kushtetuese, përpos në interpretimin e tij. Ndërsa, Ilir Meta, si President, vazhdon të nxjerrë dekrete të cilat nuk kanë asnjë efekt.

Në qershor të këtij viti, Presidenti i Shtetit nxorri dy dekrete. Asnjëri nuk u zbatua. Zgjedhjet e 30 qershorit janë mbajtur përkundër dekretit për anulimin e tyre. Zgjedhjet e 13 tetorit nuk do të mbahen përkundër dekretit për shpalljen e tyre. Dy dekrete pa asnjë efekt të Institucionit të Presidentit të Shtetit, i shëndërron ato në dekrete personale të Ilir Metës të nxjerra duke përdorur Zyrën e Presidentit të Shtetit. Por, përgjegjësia për nxjerrjen e tyre nuk mund të zvogëlohet duke iu atribuuar vetëm Ilir Metës si politikan, por ngërthen në vetvete edhe përgjegjësinë e tij si President Shteti, dhe cili, në një sistem parlamentar i nënshtrohet kontrollit të Kuvendit dhe të Gjykatës Kushtetuese. Mungesa e kësaj të fundit nuk e liron Ilir Metën nga vlerësimi i kushtetutshmërisë së veprimeve të tij dhe bartja e përgjegjësisë për to. Deri në themelimin dhe thënien e fjalës së saj, fjalën e ka thënë Komisioni me reputacionin më të lartë në drejtësinë kushtetuese – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në nxjerrjen e dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, tejkaloj kompetencat e tij kushtetuese.

Eshtë e qartë që Ilir Meta nuk pajtohet me kete konstatim. Eshte e qartë që moszbatimi i dekreteve të tij është faji i cdokujt tjetër përpos i tij. Është e qartë që institucionet ndërkombëtare që kanë nxjerrë raporte duke e thënë të kundërtën, janë duke u ballafaquar më kriza të mëdha kredibiliteti derisa të binden e pajtohen se i vetmi interpretues i saktë i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është Ilir Meta. Ai, sipas trendit tashmë të vendosur, mungesën e argumenteve kushtetuese dhe për pasojë tentativën e tij për të bindur te tjerët se vepron në respektim të Kushtetutës, në paraqitjet e tij publike do të vazhdoj të i zëvendësojë me përsëritje të vazhdueshme të fjalës Kushtetutë, atdhe, demokraci, gjak shqipëtari, me nënshkrim dekretesh të përcjellur me bërje shqiponje, deri në shpallje të vetvetës Avni Rrustem e Mic Sokol, e cili për më tepër, do e mbrojë atdheun nga konsiparcionistët vendor e ndërkombëtarë, duke mos harruar të theksoj se Kushtetuta që ai mban në duar është i vetmi version zyrtar dhe se të tjerët, që për ndonjë moment mund të iu ketë shkuar mendja të dyshojnë në kushtetutshmërinë e veprimeve të tij, mund të mos jenë duke e lexuar versionin e saktë. Kjo edhe mund të jetë e mundur. Kushtetushmëria e veprimeve të Presidentit mund të jetë e bazuar në versionin që vetem ai posedon.
Lapsi.al



11 Comments

  1. spiuni gjithmone prane qeverise, duhet shitur gruri i serbise. kete detyre ka Baton mashtruesi. bo bo cfare servili, larg qofte ta keshe komshi. Hiqjani shtetesine shqiptare ketij spiuni

  2. Vendimi i pare,qe duhet te marre gjykata kushtetuese,menjehere sapo te krijohet,duhet :Shpallja non grata e ketij qelbesire serbe,qe ysht rrugacet si Rama me shoke.

  3. Drejtësia qoftë e Kosovës e qoftë e Shqipërisë (meqë Batoni si “shtetas” i Shqipërisë fut hundët edhe në politikën e Shqipërisë) duhet ta hetonte këtë person për lidhjet me shefin e shërbimit të fshehtë serb Stanishiç,
    Nuk bëhet pra fjalë thjeshtë për një “servil” dallkauk të Ramës, por për një person që vepron në dëm të interesave kombëtare të Kosovës e Shqipërisë.

  4. Përsëri e nxorri kokën gjarpëri serb. Sa i pafytyrë që është! Si mundet vallë, të përrallisë kaq gjatë ky sahanlëpirës i Beogradit dhe i Ramës të marrë guximin të na bind se vetëm ky dhe ata që i ngjajnë këtij i ditkan mirë se kush ka dhe kush nuk ka të drejtë. Kujt i del zot dhe kë sulmon. Sa larg ka shkuar në futjen e hundëve në punët e Shqipërisë! A duhet lejuar ky sojsëz deri këtu? A e di ky se në Shqipëri nuk funksionon asnjë institucion sipas ligjeve, përveç institucionit të Presidentit dhe se sipas tij dhe krysunduesit tonë edhe ky duhet likujduar. Nuk na duhet Gjykata e lartë. Nuk na duhet Gjykata kushtetuese. Prokuroria nuk funksionon. Policia njësh me krimin dhe për krimin. Nderkombëtarët thonë se kemi ecur bukur, japin rekomandime e lesh me qime, që kur vjen puna dalin pa vlerë. Ramës dhe Batonit si këshilltar i tij kaq tejmençur, i hapen negociatat tash 3 vjet me rradhë, festojnë, dekorojnë, turpërohen dhe ecim mbrapsht. Kushtet sa vinë e shtohen, sepse ne nuk kryejmë asnjë detyrë , por lodrojmë mbi skandale. I di Batoni këto, apo ka marrë persiper të bëjë avokatin e djallit?! Për çfarë e këshillon Ramën ky? Për anologji, dikush e pat pyetur ministrin e brendshëm, në një intervistë: “Çfarë e këshilloje Ramën, kur ishe këshilltar i tij, kur Shqipêria u përmbyt nga droga?” Po ti Baton çfarë këshillash i jep Ramës herëpashere? Turp dhe faqe e zezë që guxon të luftosh Presidentin tonë padrejtësisht dhe të mbash anën e dikut që punon çdo minut kundër atdheut të vet bashkë me shokë si ti! Me ndihmën tënde dhe të Sorosit ne po shkojmë në theqafje. Vetingu po ecën sikur ta bënin armiqtë tanë të betuar.

  5. O Lapsi ju lutem mos e beni pjese tuajen kte person,qe vjell vrer per presidentin tone. Historikisht Shqiperia eshte infektuar nga vemje te tilla. Gjithsesi nje shprehje popullore e jona thote: Pemes qe ben fruta i gjuajn me gure( per te shkundur frutat)plepit jo se nuk fitojn gje.
    Cdo dite qe kalon,me shtohet rrespekti per Presidentin tim.Vazhdo keshtu zoti President.Nxirrja kallajin kesaj qeverie ( qe fatkeqsisht prej jush na u instalua ).Me mir vone se hic.Duke e bere kete korigjoni dhe gabimet tuaja te me parshme,dhe per te treguar me kurajo se me te vertete je burre shteti.Sipas meje Politikani me me bole sot per sot ne shqiperi.

  6. Pse sa here qe politikane app analista nga Shqipetaret e Kosoves anatemohen nga sherbyesit e Sali Berishes dhe Ilir Metes qe Jane agjente te Beogradit. Ky analist ka te drejten e pamohueshme si shqiptar te jape mendimet e tij per gjendjen politike ne shqiperi. Kur do te qyteterohemi si njerez e te flasim me kulture e pa ofendime. Analiza e tij eshte e sakte per mua ne baze te vendimit te Komisionit te Venezia’s. Mjaft me keto politikane dhe qe e rropen kete popull dhe pergatisin revolta per te derdhur gjak shipetari.
    Populli po ndergjegjesohet se me keto politikane shqiperia nuk ecen perpara, se kalvari I vuajtjeve dhe varferise do ti vjere fundi kur shteti ligjor dhe drejtesia e pakorruptuar do veproje me interes te popullit e te ardhmes.
    Gjithe keto abuzues te parave te popullit do pergjigjen para drejtesise.
    Po iken koha kur njerezit mashtroheshin nga keta politikane te korruptuar.
    Shqiperia po rilind. Njerezit po zgjohen dhe drejtesia nuk do vonoje per te vendosur drejtesi ne emer te ketij populli. Shqiperia ka pasur e do te kete njerez te ndershem e patriote qe te cojne perpara kete vend te zhytur me korrupsion e mjerim.
    Ju lutem te nderprisni gjuhen e urrjetjes e te talljes.

  7. Ky qen spiun me kete emer te perçudshem, vegel e lepireje bythe serbeve, Shqiperine e Kosoven ku mut i ka nxjerre me kohe ne ankand, e vetem tradhetira i ben shqiptareve

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *