• |
ide | kryesore

As Sadiku e as Mavraj, por katër portierë dhe dy lojtarë që nuk luajnë: Edy Reja do fitoren në Turqi…

F1, Sport



Dy transferta, delikate po aq sa të rëndësishme, e ku natyrisht luhen shanset për kualifikimin në Euro 2020. Shqipëria përballet me Turqinë, një kundërshtar që na mundi në debutimin në kualifikuese, pikërisht në ndeshjen e parë që tekniku Edy Reja ndoqi kuezinjtë nga tribuna e Loro Boricit dhe kundër Moldavisë, fitorja e parë e italianit në pankinën e Shqipërisë. “Ndeshja në Shkodër ishte ndeshje tjetër. Kam shumë besim te kjo skuadër e re – tha Reja -. Turqia në shtëpi zhvillon ndeshje me intensitet të lartë. Po e përgatisim skuadrën për një ndeshje me këtë intensitet dhe me këtë rëndësi”.

Italiani nuk ka ngurruar të bëjë zgjedhjet e tij, që ndonjëherë dikujt edhe mund të mos i pëlqejë: jashtë edhe njëherë Sadiku e kapiteni Mavraj, ndërkohë që janë thërritur 4 portierë, shumë për dy ndeshje, edhe pse Reja ka filozofinë e tij: “Kam folur me Mavrajn. Ka për të bërë një operacion në krah. Më ka kërkuar pushim. E di që do pyesni edhe për Sadikun. Ka kërkuar pushim për probleme familjare. Xhaka nuk është grumbulluar, kam folur i kemi sqaruar gjërat. Dua të njoh lojtarët e rinj si Selhai dhe Seferi”. Për portierët tekniku analizoi: “Nuk kemi një çështje Berisha në Kombëtares, mjafton që ata të vijnë në grumbullim, të japim më të mirën dhe mos krijojnë probleme. Selmani po merr minuta në kampionatin turk, më duket e arsyeshme që ne ta kemi në konsideratë, sidomos këtë ndeshje ndaj Turqisë…”

Në kombëtare vijnë ata që kanë më shumë minuta në këmbë. Kyu ka qenë kushti prej gjithmonë dhe Reja e ka të qartë se në zgjedhjet e tij janë lënë jashtë lojtarë që nuk i kanë këto minuta, por në anën tjetër janë prezentë edhe lojtarë që nuk luajnë: “Është shumë e rëndësishme që lojtarët të luajnë dhe të kenë minuta. Dua të veçoj Dermakun, nuk po luan me Parmën, por ku grumbullohet me Kombëtaren, jep diçka më shumë. Kumbulla është vetëm 19-vjeç, shënoi gol dje dhe është një lojtar i rëndësishëm. Hysaj nuk po gjen më hapësira te Napoli. Nuk preferoi të shkonte në tribunë me Napolin, por preferoi të stërvitej”.

Në konferencën për shtyp para dy sfidave kualifikuese, tekniku e ka bërë të qartë se kundër Turqisë nuk ka rëndësi asnjë rezultat tjetër që nuk është fitorja: “E dimë shumë mirë që kjo është mundësia e fundit për të shkuar në Europë. Ambjenti është gati për të marrë një fitore ndaj Turqisë. Edhe barazimi nuk na intereson”.

Kontrata e teknikut, ashtu si bëri të ditur në momentin e prezantimit me kuqezinjtë, është 6 mujore, por Reja e ka bërë të qartë tashmë dëshirën e tij për të vazhduar punën me kuqezinjtë. “Për vlerësimet do merremi në nëntor. Kemi krijuar një grup të mirë që gradualisht po integrohet me njëri-tjetrin. Dëshira ime është të vazhdoj me Kombëtaren”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *