• |
ide | kryesore

Albin Kurti Kryeministër, çdo skenar tjetër e çon vendin në dhunë

2, Ide

Deri tash Presidenti Thaçi ka qëndruar në heshtje të plotë. Tash është momenti kur ai fillon të punojë vullnetarisht, jashtë orarit të punës, dhe çka është edhe më befasuese edhe pa pagesë. LDK duhet të dalë shpejt dhe qartë kundër çdo koalicioni tjetër, përveç me LVV. Këta të fundit duhet të sillen me modestinë e fituesit

Nga Berat Buzhala, Express

Sovrani bërtiti. Ishte një zë i ndrydhur që e kishte mbajtur brenda vetes tash e sa vite. Në momentin që të dy partitë kryesore opozitare, LVV dhe LDK, vendosën që të mos bënin tregti me PDK’në, por t’i rrekeshin punës në mënyrë të sinqertë, që ta portretonin njëra-tjetrën partnerë të ardhshme, atëherë edhe sovrani e tha fjalën e tij në një referendum të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ua dha LVV’së dhe LDK’së minimalisht 61 mandate deputetësh, respektivisht 31 dhe 30.

Sovrani ishte i kujdesshëm edhe në këtë drejtim. I donte të dyja këto parti njëlloj, por LVV’në pakëz më shumë. E dinte sovrani se Kurti kishte më shumë konsistencë, kishte mrizuar gjatë në opozitë, kishte bërë burg kohë pas kohe. Me një fjalë kishte qenë në gulag për dy dekada. Prandaj, si shpërblim për sakrificën dy dekadash ia dha një mandat të deputetit më shumë se sa rivalit direkt në garë LDK’së, për të cilën sovrani i kishte dilemat e tij. Për partitë e tjera, në këtë fazë nuk kemi as çfarë të themi. Nëse themi që e morën atë që e merituan, ka mundësi që nuk po e themi gjënë e duhur. Partia e tretë meritonte shumë më shumë se sa dënimin që e mori. Sido që të jetë, për këtë subjekt më e keqja ende nuk ka ardhur. Kur t’i shijojë PDK bankat e forta, të ftohta dhe të thata të opozitës, kur të fillojnë të largohen prej saj oligarkia, kur fillojnë financat të tëhollohen, ata do ta shohin se sa është e vështirë të fitohet vota me ide.

Por le të kthehemi tash te fituesit. Ata të cilët sovrani i mandatoi me një mandat plebishitar që ta udhëheqin vendin, duke mos ua pasur nevojën as një vote tjetër të askujt. Aq më pak të Listës Serbe. Ani pse minimalisht ngushtë LDK duhet ta dijë se zgjedhjet i ka fituar Albin Kurti. Pra, këto zgjedhje kanë fitues, e fituesi e ka një emër. Vendi i dytë duhet të sillet si vendi i dytë, kurse vendi i parë duhet të sillet me modestinë e një fituesi që respekton të tjerët, e posaçërisht ata me të cilët ai synon që ta qeverisë vendin, ndoshta jo vetëm në këtë mandat.

Për të mos e zgjatur këtë stërhollim të panevojshëm, duke i pasur në mendje rregullat e shkruara dhe të pashkruara të demokracisë dhe parlamentarizmit, ajo që dihet dhe që do të duhej të dihej dhe thuhej prej të gjithëve është se sovrani e ka zgjedhur kryeministër Albin Kurtin. Lidhja Demokratike do të duhej të ishte subjekti i parë që do ta thoshte këtë gjë zëshëm dhe pa asnjë dyshim.

Nuk ka këtu POR, nuk ka këtu NËSE. Akrobacionet e ndyra politike, të natyrës se një koalicion i LDK’së me këtë parti, a me atë parti, plus me minoritetet, i bëjnë kaq e aq numra jo që nuk ofrojnë zgjidhje, por e rrezikojnë integritetin e zgjedhjeve, kurse shoqërinë tonë e çojnë në drejtim të rrezikshëm. Është deklaratë e butë nëse thuhet se tentativat e tilla e destabilizojnë. Një tentativë e tillë, duke e joshur LDK’në me pozitën e pamerituar të kryeministrit janë ftesë për dhunë, për cenim të demokracisë. Këtu nuk e kam asnjë dyshim që Presidenti Thaçi do të mund të punonte për herë të parë vullnetarisht, jashtë orarit të punës dhe pa pagesë, për të eksperimentuar. Sigurisht që ka edhe brenda LDK’së të tillë, që siç thotë populli, e pinë duhanin tinëz, kurse Thaçi është i gatshëm të lëshojë muzikë të mirë për veshët e tyre.

Për të mos ardhur deri në këtë situatë, kur situatën politike do ta rrëmbente Presidenti Thaçi, Lëvizja Vetëvendosje, duhet ta inkurajojë liderin e vet, fituesin e zgjedhjeve, që të vazhdojë të negociojë me LDK’në, respektivisht me Isa Mustafën si kryetar i këtij subjekti dhe Vjosa Osmanin mandatare për kryeministre, për të gjetur një zgjidhje të mirë për të dyja palët. Mundësia për të arritur një marrëveshje është enorme. Ka pozicione të mjaftueshme për t’u ndarë, duke e përfshirë këtu edhe atë të Hashim Thaçit. LVV dhe LDK duhet ta dinë një gjë, që çfarëdo marrëveshje që arrihet sot në mes tyre, do të jetë një marrëveshje që do të mund të zgjaste një dekadë, prandaj hidhërimet për gjëra banale, që sot do të mund të dukeshin të mëdha, janë të papranueshme.

Shqiptarët e Kosovës ia kanë dhënë opozitës 61 mandate. Këto mandate ua kanë dhënë për t’u liruar nga pushteti i gjatë 12 vjeçar i PDK’së. Kushdo që mendon ndryshe është duke e tradhtuar këtë mandat dhe këtë votë. Këtë duhet ta dijë edhe Lutfi Haziri, edhe Agim Veliu, por edhe pjesa lepekeiste dhe uçekeiste e LVV’së, që për hir të së vërtetës do të ishin më të gatshëm që të qeverisin me Thaçin se sa me pinjollët e Ibrahim Rugovës. Dhe të tillë persona destruktivë në LVV ke sa të duash.

9 Comments

  1. Qe duhet dhe qe do jete kryeminister kete nuk e luan as topi .
    Vetem nje kerkese kisha per z.Albin Kurti : Te lutem mos na zhgenje .
    Zhgenjimi nga ana jote do te ishte perfundimisht ekzekutim i shpreses se Shqiptareve .
    Te pergjerohem : Mos na e vra te vetmen gje qe na mbane akoma gjalle , mos na e vra shpresen , boll te zhgenjyer jemi . Tregoji Shqiptareve dhe gjithe botes se kush jane Shqiptaret e vertete , tregoji botet vlerat e verteta te Shiptarit . Shpresoj ta lexosh kete koment . Nuk jane fjale zemre , jane fjale shpirti . Zemra edhe tradheton , shpirti kurre . Ishallah terheq kemben zvarre edhe per ne Shqiptaret e Shqiperise z. Albin Kurti .
    Tung te gjithe Shqiptareve kudoqofshin .

    1. Vlla,me Kurtin nuk ka fitu vetem Kosova, Ka fitu Shqiperia,shqiptaret ne Maqedoni,Mal te Zi ,Presheve etj.Kane fitu emigrantet tane kudo ne bote,pa marre parasysh a jane nga Kosova apo Shqiperia. Shume nga ne shqiptaret kemi mosbesim,por nuk e kemi idene cfare patrioti do te udheheq njerin shtet shqiptar.e te jesh patriot dmth qe nuk ja do te miren dhe nuk punon vetem per krahinen/shtetin qe udhehesh apo jeton por per cdo shqiptar kudo ndodhet ne bote. Do te bindesh shume shpejte ,dhe aspak sdo zhgenjehesh. Te vetmit qe do zhgenjehen,jane serbet.Eshte vetem dita e pare e fitores,dhe nje nga ekstremistet me antishqiptar, Marko Gjuric, pothuajse e luti Kosoven(Kurtin), qe te marr partine serbe (Lista Serbe) ne qeveri,nderkohe qe deri dje e dime se si kjo krijese (parti) serbe ka shantazhu Kosoven. Pra qe diten e pare,cfare ndryshimi te detyruar beme serbet(se shkau vetem forcen e respekton), llogarit tash si do ndryshojne kur Kurti te rris buxhetin per ushtri ne 400 milion euro sic ka premtu, kur te fuqizohet Kosova shume me shume, kur te krijohen aleancat ballkanike nga ne shqiptaret, me shtete antiserbe, por me Kroacine, Bullgarine, Hungarine e cdo shtet anti serb,Kur deri dje dhteti serb e ka kolonizu veriun me serb ,e tash Kurti do beje ate qe ka kohe qe e ka pegatit per veriun e per gjithe shqiptaret /Kur Shqiperia dhe Kosova do jene me te bashkuar se kurre etj etj..Pra vertete fitorja e djeshme eshte fitore e gjithe shqiptareve

  2. Buzhale!Ne shqiptaret e anes detit themi “politika eshte kurve” Albin Kurti ka mandatin e besimit te popullit te kosoves per kryeminister. Diferencat jane te vogla midis tre partive kryesore. E “kurvat” e njohin mire zanatin e tyre. Besoj se kosova ka nevoje per reforma te medha, e keto reforma kerkojne nje mbeshtetje me baze te gjere. Keshtu qe Albinit i duhet te beje kompromise me moral potiken e tij e te partise se tij. Une e shoh te mundeshme dhe frytdhenese nje marveshje per qeverisje midis VV, LDK dhe partise se Ramushit. Kjo do krijonte nje qeveri te qendrushme e Kurti do kete kohen e duhur per te treguar fuqine e tij per reforma social ekonomike.

  3. Zgjedhjet shembullore ne Kosove te mbajtura nen nje fryme teper pozitive na frenon ne shqiptaret anes detit t’i japim mend vellezerve nga Kosova sesi duhet te qeverisin! Mbas 1 shekulli e ca shtet ne te buze detit dhe mbas 1 dekade e ca shtet dardanet, Kosova na dha leksione sesi duhet respektuar dhe degjuar vota e sovranit!! Persa i perket temes duhet pranuar se e gjithe vemendja mbare-shqiptare kishte syrin e veshin tek keto zgjedhje sepse proçesi i nje marreveshjeje Kosove-serbi ka arritur piken kulminante, ndaj edhe gjithe ky interesim. Eshte e vertete se Albin Kurtit dikur aktivist mund t’i gjejme plot kunderthenie Albin Kurtit te sotshem kandidat per kryeminister. Por nese Albini opozitar arriti te bindi votuesit me premtimet e tij, sot duhet te na vertetoje sesa i afte do jete t’i mbaje keto premtime! Sa i afte do jete te krijoje nje ekip qe do te dale fitimtar me ide ne tryezen me serbine per njohjen e Kosoves dhe sa i afte do jete te rimekembi ekonomine kosovare ku sipas Albinit duhet te mbizoteroj ligji!!! Keto jane sfidat me te cilat perballet sot Kosova dhe me te cilat do te vendoset edhe fati politik i Albinit bashke me Vetvendosjen! Personalisht ju uroj suksese nga zemra qeverise se ardhshme se Kosoves, me shpresen se nuk do te na zhgenjejne…

  4. Ajo që duhet përshëndetur nga shqiptarët e Shqipërisë londineze, është modeli kjartazi perëndimor i zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Zgjedhje të qeta e të rregullta demokratike ndonëse me alternativa tepër antagoniste politike.
    Veç kësaj, në Shqipëri , zgjedhjet e fundit në Kosovë dhanë edhe shembullin e përfundimit të proçesit të përfundimit të numërimit të votave, njëlloj si në vendet ,më të zhvilluara demokratike perëndimore, mbrenda 24 orëshit të zgjedhjeve. E pra shqiptarë janë në të dy krahët e kufijve të këtyre dy shteteve me shumicë të njëjtë etnike. Në Kosovë doli fituese një lëvizje sovraniste me një mendësi që shkon më shumë majtas. pikërisht në vendin ku sovraniteti i shetit ka qenë shumë më i kufizuar sesa në Shqipëri.
    Nuk po zgjatem më tej për këtë realitet, pasi cilido e ka të drejtën ta shohë me këndvështrimin e tij.
    Kosova me sa duket, do të ketë një koalicion qeverisës me dy parti , një të majtë që për herë të parë do të qeverisë, dhe partinë më të vjetër politike që krijoi Rugova, LDK, parti që pati krijuar edhe qeverinë e parë të pamvarur nga Serbia në ilegalitet e që është pjesë e grupimit të madh europian të partive të djathta popullore.
    A nuk është ca si shumë herët për të folur për një qeveri të tillë koalicioni, veç një ditë pas zgjedhjeve, akoma pa u formuar kjo qeveri ?
    Zakonisht në demokracitë perëndimore, qeveritë e dala nga zgjedhjet, vlerësohen në performancën e tyre që në 100 ditët e para të qeverisjes..Edhe mbrenda 100 ditëve të para, do të kjartësohen se sa do tentohet të realizohen premtimet elektorale.
    Elektorati mund të tërhiqet me retorikën e patriotizmit e të sovranitetit kombëtar, por pasi përfundon kjo eufori, njerëzit e thjeshtë fillojnë e shohin nga xhepat e tyre, se sa ja ka shtuar qeveria që kanë zgjedhur paratë. si po i zgjidh problemet ekomomike e të papunësisë. Sa do të luftojë ajo korrupsionin e padrejtësitë.

  5. o Berat, ce pate fat… bone gjith ket artikull dhe si ke kuptu thelbin politikes. Ti thu qe duhet te jete me patjeter Albin Kurti kryeminister, por qe une besoj se kjo nuk eshte detyruese ne demomraci. nese LVV nuk formon dor nje koalicion qe te drejtoje vendin, radha per te formuar qeverine i kalon partise se dyte qe eshte LDK, vetem me 1 deputet me pak. Nese LDK josh PDK dhe kjo e fundit i leshon zonjen Osmani si kryeministre, te jesh i bindur qe Albini yt (tashme i fryre, i tjetersuar, me mendime te devijuara, i futur ne rolin e kryeministrit, shtetarit) nuk do ta marri deryren qe ai pretendon… ne demokraci ndodh gjithcka. te kujtoj se ne italine e afert ishin ne pushtet 5 yjet dhe lega deri para 2 muajsh, sot 5 yjet qeveriain me pd dhe lega shkoi ne opozite. politika eshte e cuditshme, per ta kuptu nje kosovar kokethate si ti o Berat

    1. Nje kosovar kokethate?Nuk i drejtohesh dot ne emer pa ia shtu ate bishtin, more Qiri i jakos? Nqs eshte dikush qe nuk e ka kuptu thelbin e politikes, je ti,qe ne momentin kur thua Vjosa e LDK mund te beje koalicion me PDK, kur ajo dhe LDK e saj ne fakt e kane deklaru shume here dhe i ka dhene besen elektoratit qe nuk do bashkeqeverisin me PDK,apo ku di ti ca eshte besa. Po te pakten te ishe informuar,se smund ta besh ekspertin e politikes ketu dhe ti fyesh te tjeret kur as nuk qenke informuar as per premtimet kryesore te Vjoses gjate zgjedhjeve.Hajt Qirjakos tung

    2. O QIR JAKO , SHKALLES SE INTELIGJENSES SE BERATIT NUK I AFROHET DOT NJERI KETU NE SHQIPERI . TI DOJE TE THOJE NJE FJALE DHE E THE , E HODHE EDHE TI GURIN NE LUM .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu