• |
ide | kryesore

Anti-autokrati

Lajme, Të fundit



Në Kosovë, fituesi i zgjedhjeve Albin Kurti premton ndryshime rrënjësore. Nëse kjo do jetë e suksesshme, është e pasigurt. Por, për Ballkanin Perëndimor, mosvotimi për autokratët e korruptuar është një sinjal i fortë

Nga Keni Verseck, SPIEGEL

Për dy dekada, Kosova drejtohej pothuajse ekskluzivisht nga ish-kryekomandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata janë të korruptuar, kanë punësuar familjarët dhe miqtë e klaneve në poste kyçe dhe dyshohet se kanë kryer krime të rënda lufte. Nën sundimin e tyre, lulëzuan nepotizmi dhe krimi i organizuar, ndërsa shumë njerëz u larguan nga vendi përballë varfërisë së hidhur dhe mungesës së perspektivës.

Tani në Kosovë po lajmërohet një ndryshim epokal. Në zgjedhjet e parakohshme të së dielës triumfoi partia e majtë e opozitës, Vetëvendosja e ish-liderit studentor, Albin Kurti. Ai ndoshta do të jetë kryetar i qeverisë. 44-vjeçari, që dikur ishte i burgosur politik në Serbi dhe keqtrajtohej ndërsa ishte në paraburgim, ka qenë një kritik i pamëshirshëm i establishmentt politik në atdheun e tij për vite me radhë. Ai gëzon një reputacion të madh në popull, pasi konsiderohet i papërkulur dhe i pakorruptueshëm. Dhe ai premton një transformim rrënjësor të Kosovës drejt sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe kushteve të pranueshme shoqërore të jetesës.

Politikanët dhe komentatorët e mediave të pavarura në Kosovë e kanë përshkruar me entuziazëm rezultatin e zgjedhjeve si një tërmet politik. Vetë Kurti shkruan në faqen e tij në Facebook se ‘qytetarët e penguan që drama kosovare e një shteti të marrë peng të kishte një fund tragjik’.

Në fakt, Vetëvendosje ka qenë prej kohësh forca më e fortë politike në vend. Sidoqoftë ajo deri më tani ishte e përjashtuar nga pushteti. Jo vetëm establishmenti politik ndjehej i kërcënuar nga programi reformator i partisë. Edhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë e bojkotonin Kurtin si partner për bisedime, mes të tjerash sepse konsiderohej problematik. Ai edhe anëtarët e partisë së tij organizonin shpesh protesta të dhunshme në rrugë dhe në parlament, duke avokatuar bashkimin me Shqipërinë.

Rebeli politikan sugjeron tone më të moderuara

Por për vite me radhë, rebeli politik po përpiqet për më shumë pajtueshmëri, veçanërisht në stil, por edhe sa i përket përmbajtjes. Vetëvendosje nuk propagandon më bashkimin me Shqipërinë e Madhe si një projekt konkret politik, përkundrazi ai preferon të flasë për një ‘komb në dy shtete’ dhe për mundësinë afatgjatë të rritjes së bashku. Në të kundërt, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë kanë kuptuar se koalicionet e luftës së UÇK, të cilat kanë sunduar në vend, e kanë çuar atë në rrugë pa krye dhe se Vetëvendosje si faktor politik nuk mund të injorohet në planin afatgjatë.

Kurti tani po përballet me negociata të vështira për koalicion me partinë e vendit të dytë, konservatorët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Edhe kandidatja kryesore e LDK-së, Vjosa Osmani, konsiderohet gjithashtu një politikane me integritet. Por pjesë të partisë së tyre i përkasin gjithashtu establishmentit të komprometuar.

Dialog për dialogun

Me Kurtin si shef qeverie, Kosova do të përballet me një periudhë emocionuese. Do të jetë interesante se si do e zgjidhë problemin e administratës së bukosur, se si do të luftojë korrupsionin dhe se si sjellë një politikë më të mirë sociale në vendin e varfëruar. Përballë fuqive të huaja, të cilat për mendimin e tij janë shumë të shqetësuara me elitën e korruptuar, ai paraqitet me një vetëbesim anti-kolonial.

Edhe marrëdhënia me Serbinë mund të jetë edhe më e stuhishme se më parë. Kurti kërkon një dialog të brendshëm në Kosovë përpara se të nisin bisedimet bilaterale me Serbinë. Kurti kundërshton pjesëmarrjen në qeveri të Listës Serbe, të kontrolluar nga Beogradi, por dëshiron të punojë me politikanë të pavarur serbë. Mbetet të shihet nëse Kurti do të sinjalizojë sulmet e vazhdueshme ndaj serbëve të Kosovës dhe marxhinalizimin e tyre.

Sidoqoftë, zgjedhjet parlamentare të Kosovës të dielën e kanë pasur një efekt tashmë: Pas ‘Revolucionit shumëngjyrësh’ në Maqedoni në vitin 2016, ato i dërgojnë një sinjal të fortë të gjithë Ballkanit Perëndimor- gjithashtu edhe Bashkimit Europian. Është një sinjal se shumica e votuesve janë të lodhur nga sunduesit e tyre të korroptuar, të cilët për vite me radhë konsiderohen si partnerë gjoja të mirë të Brukselit. Në fillim të vitit, dhjetëra mijëra dolën në rrugë në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi- pa sukses. Kosova nuk ishte pjesë e kësaj ‘Pranvere ballkanike’ të shkurtër. Por tani qytetarët e saj thjesht kanë votuar kundër korrupsionit dhe autokracisë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *