• |
ide | kryesore

Dështimi “universal” i qeverisë me dixhitalizimin e transmetimeve televizive

Lajme, Të fundit



Xhemal Mata, 56-vjeç, është një nga kryefamiljarët në ndihmë ekonomike që tre vjet më parë ka përfituar nga skema e subvencionimit të dekoderave televizivë nga qeveria shqiptare, si pjesë e procesit të mbylljes së transmetimeve analoge dhe kalimin në transmetime numerike. “Përveç këtyre që janë me pagesë, kanalet e tjera i kap të gjitha shumë mirë,” shprehet babai i 5-fëmijëve i ulur në dhomën e tij të ndenjes në lagjen Kodër Mëzes të Tiranës, duke treguar aparaturën elektronike që mori falas nga njësia administrative në vitin 2016.

Dekoderi për transmetime numerikë që mori Xhemali nuk ka fole për kartë dhe nuk i jep mundësi familjes së tij që të blejë paketa televizive me pagesë. Gjatë tre viteve të fundit Shërbimi Social Shtetëror, me ndihmën e njësive vendore administrative, ka shpërndarë më shumë se 81 mijë dekodera të ngjashëm për familjet në nevojë në katër anët e vendit me një kosto për taksapaguesit që kap disa milionë euro. Megjithatë, të dhënat edhe dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë që këto pajisje që mundësojnë marrjen e transmetimeve televizive numerike edhe në televizorë analogë, janë jashtë standardeve ligjore që specifikojnë shpërndarjen e dekoderave universale, të cilët do të evitonin blerjen e një dekoderi të ri nëse konsumatori dëshiron të marrë edhe programet me pagesë.

Familjet në ndihmë ekonomike nuk janë të vetmet për të cilat janë shpërndarë dekoder që nuk janë universal. Të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtë informimi dhe vëzhgimet në treg dëshmojnë se pjesa dërrmuese e aparateve marrës dhe televizorëve që shiten në vend nga shoqëri tregtare dhe transmetuesit numerik – Digitalb, Tring TV dhe RTSH janë jashtë standardit që ka miratuar qeveria shqiptare.

Institucionet përgjegjëse publike nuk mbajnë përgjegjësi për futjen në treg të dekoderave nën standardet ligjore, ndërkohë transmetuesit numerik privat Digitalb dhe Tring TV nuk iu përgjigjën një kërkese për koment nga BIRN. Ndërkohë RTSH që shet dekodera nëpërmjet një kompanie private, deklaroi se kontrata që ka nënshkruar nuk e ngarkon me përgjegjësi që të verifikojë nëse këto pajisje përmbushin kushtet ligjore. “RTSH nuk e ka bërë një verifikim të tillë për shkak se nuk e ka pasur në kushtet e kontratës por dhe sepse vendimi i qeverisë detyron institucionet e tjera për një kontroll të tillë,” i tha BIRN drejtori i përgjithshëm i RTSH-së, Thoma Gëllçi.

Dekodera (jo)universalë

Marrës televiziv jo unviersal për shitje në një dyqan pajisjesh elektronike në Tiranë

Me fikjen e sinjalit analog në Tiranë e Durrës gjatës javës së parë të tetorit, shkon në pesë numri i qarqeve ku shihet televizioni dixhital. Më herët AMA ka mbyllur sinjalet analoge në Berat, Korçë e Fier. Dixhitalizimi në Shqipëri ka nisur që në vitin 2006 me nënshkrimin e konventës së Gjenevës e duhej të përfundonte në qershor të 2015-ës.

Si pjesë e strategjisë kombëtare të kalimit nga transmetimet analoge në ato numerike, në qershor 2015 qeveria shqiptare miratoi rregullat teknike për dekoderat që mund të importoheshin në Republikën e Shqipërisë. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave me nr. 485, datë 3 qershor 2015, të gjithë dekoderat dhe TV-të që importohen, prodhohen dhe tregtohen në Shqipëri duhet të jenë sipas standardit DVB-T2/MPEG4, me ndërfaqe të përbashkët.”

Inxhinier Pirro Koçi, ish-drejtorit teknik të AMA-s, shpjegon se specifikimet teknike të vendosura në vendimin e Këshillit të Ministrave e kufizonin importin e dekoderave në modele të ashtuquajtura ‘universalë’ të cilat lejojnë marrjen e transmetimeve numerike me dhe pa pagesë nga kompani mediatike të ndryshme duke mos pasur nevojë për të blerë pajisje të re.

“Pajisja e dekoderëve të destinuar për marrjen e programeve pa pagese me një modul CAM do te evitonte blerjen e një dekoderi të ri nëse konsumatori dëshiron të marrë edhe programet me pagesë,” tha ai.

“Specifikimeve teknike të miratuara në vendimin e qeverisë, është të minimizojnë shpenzimet e konsumatorit dhe të garantojnë një konkurrencë të ndershme midis operatorëve në treg duke u ardhur në ndihmë sidomos shtresave në nevojë,” shtoi Koçi.

Ish-kryetarja e AMA-s, Endira Bushati, e cila ka drejtuar institucionin në kohën e hartimit të Strategjisë së Dixhitalizimit, i tha BIRN se dekoderi universal nënkupton që qytetari të ketë akses në të gjitha programet ‘free-to-air,’ por, në rast se ai dëshiron programet me pagesë, dekoderi universal ofron mundësinë që të abonohet në secilën nga platformat televizive private, përmes kartës smart.

“Pra, një dekoder universal “i aftë” që të pranojë kartën smart të çdo platforme,” shpjegoi Bushati. Ish-anëtari i bordit të AMA-s, Zylyftar Bregu shprehet se aparatet universale kanë si qëllim të ulin kostot për familjet shqiptare kur zgjedhin platformave të ndryshme numerike për segmente të ndryshme kohore.

“Quhen universalë për shkak se ato duhet të pranojnë të gjitha kartat e shërbimit televiziv me pagesë,”tha Bregu. “Ato mund të zgjedhin ose të mos vendosin asnjë kartë dhe të shohin të gjitha stacionet televizive pa pagesë, ose për një segment kohe, sipas dëshirës dhe mundësive, të abonohen në njërën apo tjetrën prej kompanive që ofrojnë shërbime me pagesë, pa ndërruar dekoder, por vetëm kartën,” shpjegoi ai.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të qershorit 2015, të gjitha dekoderat e importuar dhe që do të tregtoheshin në Republikën e Shqipërisë tre muaj pas miratimit të VKM-së duhet të përmbushnin specifikimet teknike të miratuara nga qeveria.

Këshilli i Ministrave ngarkon me zbatimin e vendimit për standardet teknike të dekoderave Ministrinë e Financave, ministrin i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Megjithatë, një vëzhgim i tregut i realizuar nga BIRN dhe të dhënat e mbledhura nga institucionet publike nëpërmjet ligjit për të drejtë informimi, tregojnë që institucionet e lartpërmendura kanë dështuar universalisht në zbatimin e vendimit të qeverisë, duke lejuar tregtimin e dekoderave jashtë standardeve ligjore.

Tregu i mbushur me dekodera jashtë standardi

Dekoderat e kompanisë Digitalb dhe Ting TV janë të kriptuar dhe nuk funksionojnë si pajisje marrëse universale

Më 1 tetor 2019, Autoriteti i Mediave Audiovizive mbylli zyrtarisht transmetimet analoge për Tiranën dhe Durrësin, ndërsa njoftoi se nga të dhënat e mbledhura prej operatorëve të ndryshëm ka rezultuar se në treg ka numër mëse të mjaftueshëm dekoderash, që plotësojnë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

Megjithatë, nga një vëzhgim i bërë nga BIRN në tregun shqiptar, përfshi këtu kompanitë kryesore të shitjes së pajisjeve teknologjike por dhe operatorëve audioviziv, ka rezultuar se dekoderat në treg nuk janë universal,  ose janë teknikisht universal por të kriptuar për të mos njohur kartat dhe hapur kanalet e operatorëve konkurrentë.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk ka të dhëna të sakta në lidhje me numrin e dekoderave që kanë hyrë në Shqipëri nga Shtatori 2015 – Shtator 2019, pavarësisht se VKM-ja 480/2015 detyron këtë institucion jo vetëm të monitorojë aparatet marrëse DVB-T2 që importohen në vend, por dhe të kujdesen që ato të jenë “universal”.

“Nga ana e sistemit tone informatikë nuk mund te nxirren të dhëna për dekoderat me emërtesat specifike qe ju keni paraqitur , pasi  nuk ka kod të veçante tek kodet tarifore sipas Nomenklaturës së Kombinuar të  Mallrave , për këtë mall,” tha Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në një përgjigje me shkrim. “Përshkrimet e hollësishme  janë të parashikuara në një kuadrat të  veçantë të Deklaratës Doganore, plotësimi i së cilës nuk është  detyrues,” shtoi ajo.

Në prag të skadimit të afatit të përcaktuar nga AMA për mbylljen e transmetimeve analoge, ne jemi prezantuar si blerës por dhe kemi kontaktuar shërbimet e klientit të kompanive tregtare Shpresa-al, Neptun, Go-tech, Globe dhe AZA Electronics. Të gjitha shoqëritë, përveç Globe e cila nuk tregtonte dekodera, shisnin aparate marrës të thjeshtë, pa kartë, që aksesonin vetëm kanalet pa pagesë. Gjithashtu, është kontaktuar shërbimi i klientit për operatorët numerikë Tring dhe Digitalb, punonjësit e të cilëve konfirmojnë se aparatet e tyre funksionojnë vetëm me kartat e kompanisë dhe jo me ato të operatorëve të tjerë në treg. Ky fakt, është konfirmuar dhe nga një ndërrim i thjeshtë kartash i dy paketave dixhitale.

Të pyetura nga BIRN, Digitalb dhe Tring TV nuk i përgjigjën një kërkese për koment në lidhje me kriptimin e dekoderave që ato tregtojnë në treg. BIRN ju drejtua Inspektoriatit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, në lidhjet e shkeljes së rregullave të importit dhe të tregimit të dekoderave televizivë nga kompanitë vendase,  por ky institucion deklaroi se nuk i kishte monitoruar këto kompani.

“Ende nuk ka zhvilluar inspektime të dedikuara për operatorët që tregtojnë dekodera DVB-T2 pasi nuk ka pasur ankesa nga ana e konsumatorëve apo bizneseve lidhur me këtë kategori produkti,” tha ISHMT. “Janë kryer inspektime mbi këto produkte gjatë procedurave të rastësishme që institucioni zhvillon ndaj subjekteve për sigurinë e përgjithshme dhe mbrojtjen e konsumatorit”, shtoi ISHMT, pa shpjeguar nëse janë evidentuar problematika lidhur standardet dhe cilësinë e aparateve marrës.

E pyetur nga BIRN mbi tregtimin e dekoderave jashtë standardeve, Autoriteti i Mediave Audivizive u shfajësua duke thënë se nuk është autoriteti përgjegjës për monitorimin e dekoderave të shitur në treg. “AMA nuk është autoriteti i ngarkuar me ligj, për verifikimin e përputhshmërisë së karakteristikave teknike të dekoderave që hidhen në tregun shqiptar me kuadrin ligjor në fuqi, pra nuk monitoron tregun e shitjes së dekoderave,” tha Autoriteti Medias Audivizive në një përgjigje me shkrim.

Marrëveshja e dyshimtë e RTSH-së

Ndryshe nga operatorët e tjerë numerik në treg- Digitalb dhe Tring TV, Radio Televizioni Publik Shqiptar nuk shet në mënyrë të drejtpërdrejtë dekoder në treg. Megjithatë, me 20 dhjetor 2017, RTSH ka lidhur një marrëveshje me kompaninë ‘Netron RP’ Sh.p.k, për shitjen e dekoderëve DVB-T2 me logon e RTSH-së në tregun shqiptarë. Marrëveshja është nënshkruar pas një oferte për bashkëpunimin të dërguar në RTSH nga kompania Neutron RP në fund të nëntorit 2017. Një javë më vonë, në 7 dhjetor 2017, Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar ka autorizuar Drejtorin e Përgjithshëm Thoma Gëllçi për të negociuar dhe nënshkruar një marrëveshje me kompaninë për plotësimin e nevojave në treg për dekodera marrës DVB-T2.

Me datë 20 dhjetor 2017, Drejtori i Përgjithshëm i RTSh-së ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me administratorin e kompanisë Neutron RP, Klajdi Oshafi. Sipas marrëveshjes, RTSH i jepte kompanisë të drejtën e përdorimit të logos së kompanisë si dhe reklamë falas, ndërkohë që Neutron RP do t’i paguante televizionit publik 5 % të çmimit të shitjes së pajisjes marrëse. Sipas nenit 2 të kësaj marrëveshje, kompania Netron RP sh.p.k, është e detyruar të shesë vetëm dekodera që përmbushin parametrat e caktuara nga vendimi i Këshillit të Ministrave. Por, ndryshe nga sa përcakton marrëveshja me RTSH kompania ka hedhur në treg dekoder të thjeshtë, të cilët nuk janë universal.

I pyetur nga BIRN mbi shkeljen e marrëveshjes nga kompania Neutron RP dhe hedhjes në treg të dekodareve jashtë standardi, Drejtori i Përgjithshëm i RTSH i tha BIRN se nuk e monitoron llojin e aparateve që shiten me logon e televizionit publik.“Sipas marrëveshjes, kompania që blen dekoderat dhe i tregton ato ka detyrimin që të plotësojë parametrat e përcaktuara nga vendimi i qeverisë,” pretendoi Gëllçi.

Nga ana tjetër kompani “Neutron RP” pohon për BIRN se “shoqëria ka ndjekur karakteristikat e kërkuara sipas tenderit të realizuar nga qeveria shqiptare për familjet në nevojë, sipas VKM-ve 758/2015 dhe 480/2015”. Por nga vëzhgimet e BIRN në treg por dhe nga reklamat pa pagesë për kompaninë që transmetohen në RTSH, rezulton që dekoderi është i thjeshtë, pa kartë dhe transmeton vetëm kanalet pa pagesë.

Miliona euro për dekodera jashtë standardi

Dekoderi Vivax i shpërndarë për familjet në nevojë nuk është dekoder universal

Qeveria Shqiptare përmes vendimit nr. 758/2015 të Këshillit të Ministrave, i ka akorduar Ministrisë së Mirëqenies Sociale një fond me vlerë 350 milionë lekë ose 2.6 milion eurosh, duke e ngarkuar këtë të fundit me kryerjen e procedurave për pajisjen me dekodera të familjeve në nevojë, përfituese nga skema e ndihmës ekonomike. Kjo VKM, ngarkonte Ministrinë e Financave për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi si dhe Shërbimin Social Shtetëror dhe njësitë e qeverisjes vendore për shpërndarjen e dekoderave sipas udhëzimeve të Ministrisë se Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, aktualisht institucion i integruar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Afro një vit më vonë, më 15 shtator 2016, Komisioni i Ndihmës Shtetërore, kryesuar nga znj. Milva Ekonomi, vendosi të miratojë skemën e ndihmës shtetërore “për pajisjen me dekodera të familjeve në nevojë”, në të cilin përcaktohet dhe teknologjia e aparateve që do të tenderohet. Në vendimin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore shkruhet se dekoderat DVB-T2 “duhet të jenë universalë”, në respektim të VKM-së 480/2015.  Megjithatë, i njëjti vendim – në kontradiktë me vendimin e Këshillit të Ministrave, përcakton që modeli i dekoderit do të jetë VIVAX, marrës DVB-T2/MPEG 4 F.T.A, një dekoder jo universal.

BIRN ka kontaktuar përmes email-it dhe telefonit kryetaren e Komisionit të Ndihmës Shtetërore, znj. Milva Ekonomi, duke i shprehur këtë problematikë të evidentuar, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale nuk i është përgjigjur një kërkesë për koment, përse dekoderat e përzgjedhur kanë qenë jashtë standardit ligjor. Problematika për shpërndarjen e këtyre aparateve jashtë standardit është denoncuar në raportin vjetor të RTSH-së për vitin 2017, prezantuar në Kuvendin e Shqipërisë, duke nënvizuar se 81,123 dekoderat e shpërndarë nëpërmjet Shërbimit Social Shtetërorë nuk janë universal.

“Këto dekodera mund të përdoren vetëm për kanalet televizive që transmetohen falas dhe pa mundësinë e përfshirjes së një pajisjeje që dekodon kanale të tjera me pagesë”, raportojnë ekspertët e RTSH-së në Kuvend. “Çdo konsumator i interesuar në ndjekjen e programeve shtesë, do ti duhej të përdorë më shumë sesa një dekoder,” shtojnë ata.

Pas dështimit në kor të institucioneve për të mbikëqyrur tregun, ish-kryetarja e AMA-s Endira Bushati sheh një konspiracion tregtar bazuar në një “marrëveshje shumëpalëshe’ në dëm të taksapaguesve dhe konsumatorëve. “Në kundërshtim me ligjin dhe strategjinë, qytetari detyrohet të blejë dhe një dekoder tjetër për kanalet me pagesë, kur në fakt, strategjia i siguronte atij dekoderin universal, që përveç kanaleve free, kundrejt abonimit, të siguronte dhe kanalet me pagesë,” tha ajo.

Ndërsa ish- anëtari i bordit të AMA-së, Zylyftar Bregu, nënvijëzon se çdo gjë ka funksionuar kundër ligjit dhe kundër interesit të abonentëve shqiptarë, ndërsa shton se për këtë fajtori kryesor është qeveria. “Faji nis nga qeveria që ka shpërndarë dekodera kundër vendimit të saj e deri tek institucionet që administrojnë procesin e dixhitalizimit,” tha Bregu.

Ish-anëtari i bordit të AMA-s dhe profesor i gazetarisë në Universitetin e Tiranës, shton se ky dështim i institucioneve ka sjellë kosto shtesë për konsumatorët. “Çdo abonent kur të dojë të ndryshojë kompaninë e ofrimit të shërbimit televiziv nuk do të mjaftohet vetëm me blerjen e kartës, por është i detyruar që të blejë edhe dekoderin,” shpjegoi ai.

Në kushtet kur shumë familje janë pajisur me dekodera jashtë standardi dhe një pjesë e madhe e tyre nuk i kanë blerë akoma dekoderat televiziv, nënkryetari i AMA-s Sami Neza e cilësoi mbylljen e sinjalit analog në qarqet Durrës dhe Tiranë si shkelje të lirisë së shprehjes. “E drejta e informimit, e lirisë së shprehjes, shtypit dhe televizionit, që qytetarëve shqiptarë ia garanton Kushtetuta e vendit, është cenuar,” përfundoi Neza./Reporter.al



9 Comments

    1. Per cfare kanalesh papagese e ke fjalen zoterore? Ne paguajme cdo muaj nga 3€ takse ne faturen e energjise per RTSH. Per dekoderat paguam nga 30€, pra hajdutet na taksojne dhe nuk na sherbejne per parate qe na mbajne, pse duhet qe te paguajme per dekoderin kur ne paguajme takse per sherbimin? Frekuencat e analogut hajdutet do t’ia shesin kompanive te telefonise dhe te internetit. Keto hajdutet tane te vjedhin 3-fish, me takse, dekoder dhe frekuenca.

  1. Nuk eshte shkrim per nje gazetar qe nuk kupton nga teknollogjia. Ose te pakten duhet te merte nje inxhinier qe meren me ket pune. Fjala universal nenkupton qe aparati duhet te listoj te gjitha kanalet qe jan pa pagese. Nuk do te thot qe te ket CAM. sepse nuk ekziston asnje aparat ne bote qe te ket modul CAM universal, sepse moduli CAM ka te beje me menyren e kriptimit qe mund te jete CONAX, IRDETO etj.. etj.. dhe kjo eshte perzgjedhja e operatorit qe ka platformen detyrimisht ai vendos tek aparatet modulin qe i pershtatet kriptimit. Ne rastin e shqiperise te dy operatoret dhe TRING dhe DIXHITALB perdorin te njejtin model kriptimi me modulet CONAX por jo se kan detyrimin por sepse kan zgjedhur si menyre me te sigurt mbrojtjen nga pirateria.
    Nese vertet fjala “universal” do perdorej sic pretendon gazetari qe aparatet qe shiten te ken modul CAM UNIVERSAL atehere duhet ndonje shpikje tjeter nga gazetari.

    1. Modulin CAM e ka vendos qeveria per dekoderat qe importohen ose prodhohen ketu. Lexo VKM 480/2015 specifikat teknike te aparateve

  2. I shohin ende shqipot keto stacione?! Ende shohin tel e ketyre?! Ende shohin e shohin?! Po cfare shikojne nuk e kuptoj. Dhe pastaj flasin per oligarket qe vete i ushqejne.

  3. Tv me drejtora fshatare. Asnje emision edukativ per femije dhe te rinj. Pleqnia shef turkun.
    Shihni si i ben emisionet BBC.
    Ndoshta mora shembull nje nga me te miret por ne jemi poshte mesatares. Nuk behet tv me katunare. Programet argetuese zerro ordinerllek.

  4. Nuk behet opozita me budallalleqe..dekodet univwrsal do me thene qe jane per te gjithe tv jo per tv me pagese ..dakord qe jeta te qeverise spekulojne, po edhe juvw jeni kokrra e …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *