• |
ide | kryesore

Padia ndaj VKM-së për Kopshtin Botanik/ Shtyhet seanca gjyqësore, pedagogë dhe studentë në protestë

Lajme, Të fundit



Gjykata Administrative ka shtyrë shqyrtimin e padisë së ngritur nga Universiteti i Tiranës ndaj vendimit të qeverisë për të kaluar Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë së kryeqytetit.

Në pritje të zhvillimit të seancës së parashikuar për ditën e sotme, që është zhvendosur për në datën 20 tetor, stafi pedagogjik i Fakultetit të Shkencave të Natyrës (FSHN) dhe studentë të UT-së ishin mbledhur para Gjykatës për të protestuar për rikthimin e pronësisë së hapësirës që ka kaluar nën administrimin e njësisë vendore të Tiranës.

Protestuesit shprehen të revoltuar ndaj vendimit të qeverisë duke theksuar se Kopshti Botanik është një qendër kërkimore për studentët dhe si e tillë nuk mund të merret në administrim nga Bashkia Tiranë. “Nuk do të lëshojmë që Kopshti botanik t’i kalojë bashkisë. Ne do të ndjekim të gjitha kushtet ligjore. Nuk mundet që ministria të japë kopshtin botanik bashkisë së Tiranë. Ajo është një qendër kërkimore për studentët”, u shpreh një nga pedagogët.

Ndaj vendimit të qeverisë ka reaguar edhe rektori i UT-së, Mynyr Koni, i cili theksoi se VKM-ja në fjalë ishte në shkelje të plotë të ligjit, ndërsa paralajmëroi se do të vazhdonte beteja ligjore. Ndërsa, ditën e sotme nuk ka munguar një reagim i kryebashkiakut Veliaj për këtë çështje, i cili e ka sulmuar rektorin e Konin, për të cilin tha se është “legen”, pasi “u përqafuam e më dha fjalën, e ndryshoi se i tha partia”.

Ndërkohë, eksponentë të opozitës së bashkuar joparlamentare u ka bërë thirrje studentëve dhe qytetarëve që të ngrihen në protestë pasi “Rama dhe Veliaj duan të betonizojnë Kopshtin Botanik”.

 

 



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *