Kombëtarja kuqezi ka lënë tokën shqiptare mëngjesin e sotëm e në bordin e Lasgushit me destinacion Stambollin, aty ku të premten në mbrëmje do të sfidojë Turqinë për kualifikueset e Euro 2020. Për formacionin e Edy Reja një ndeshje shumë delikate, që mund të përcaktojë shanset për të shkuar për herë të dytë në finalet e një Europiani.
Tensioni që duhet të ketë një ndeshje e tillë në fakt nuk është reflektuar në ambjentin e kombëtares, që ka zbarkuar në Turqi me entuziazëm me lojtarët në kërkim të një rezultati pozitiv e tekniku italian, ndoshta, të një rinovimi. Reja ka qenë ulur bashkë me lojtarët, por presidenti i FSHF-së Armand Duka ka kërkuar që udhëtimin italiani ta bëjë pranë tij, duke diskutuar me të gjatë gjithë kohës.
Axhendë e ngarkuar për kuqezinjtë që në orën 19.00 do të prezantohen në konferencën për shtyp të trajnerit Reja së bashku me kapitenin e skuadrës, ndërsa do të zhvillojnë edhe seancën zyrtare stërvitore në stadiumin ku do të luhet ndeshja 30 minuta më pas.