• |
ide | kryesore

Unë e takova Marsidën nga Kavaja: Mos e thërrisni kurvë

Blog



Këtë mëngjes hyra në rrjetet sociale dhe nga një seri postimesh kuptova se dje paskësh qënë dita botërore e vajzave. E gëzofshim! Nuk e dija që ekzistonte një ditë e tillë. E nga ta dija?! A mund të ketë festë vajzash në vendin ku jetoj?!

Dy ditët e fundit i kam kaluar në Kavajë. Qytet i vogël, i lidhur fort pas fesë dhe paragjykimeve. Një qytet që në atë që unë pashë m’u duk se kishte 2 jetë. Atë që prezantohej si konservator dhe me atë jetën tjetër të pashfaqur që pëshpëritej nën zë brënda dyerve të mbyllura. Dhe ndodh një ngjarje si ajo e 10 tetorit që jeta e fshehtë të dalë në shesh e të plasin fjalët: Ua sa turp! Një burrë mbeti i vrarë në pragun e shtëpisë së një gruaje e një tjetër burrë ishte brenda I plagosur. Një grua e martuar, me 3 fëmijë, me bashkëshortin në burg, kalonte natën me disa burra në shtëpi mes birrash e plumbash. Në turmë kësaj gruaje iu derdhën në fyt: KURVA!
Dhe jo vetëm kavajsit. Të gjithë. Të njohur e të panjohur.

Unë e takova atë grua. Është shumë e lehtë ta gjykosh e paragjykosh për veprimet e saj e për jetën që bënte. Unë s’e bëj dot ketë. S’e bëra dot kur e pashë me rrathë të zinj në sy. Të denatyruar deri në deje. M’u duk se frymonte një qënie që nuk ishte njeri, as femër, as nënë. Nuk di çfarë ta quaj, por ngjyra e lëkurës së saj, mënyra e jetesës, atë që ajo mendonte më lanë të kuptoja se ngjarja e së enjtes ishte drama e fundit e jetës së saj. Para se t’i thërrisni kurvë, mendojeni që e kanë martuar që 14 vjeç. Kur ajo ishte ende fëmijë u bë nënë. Teksa e pyesja për jetën e saj mes rreshtash kuptova se ajo shihte si vlerë tek partnerët e saj sa njerëz kishin vrarë. Kjo besoj tregon shumë për formimin e saj…

Po ç’mund të them për vajzën e saj 9 vjeç?! A mund të ketë ajo festë?! E pashë teksa kthehej nga shkolla me gjyshen përdore. Gjithë qyteti gumëzhinte për nënën e saj. Më kaloi para këmbëve e heshtur. Në shpinë mbante çantën e shkollës ngjyrë rozë me princesha. Sa larg jeta e saj nga përrallat…

Po vajzat e burrave që nxorën armët në këtë ngjarje?! Njëra është 14 e tjetra 6 vjeç? Uroj që ato kurrë të mos e mësojnë ç’kanë bërë baballarët e tyre.
Nuk mundem të harroj as nënën e Dritan Haxhollit. “Përse të rroj unë tani që s’e kam djalin”, më tha. Një grua e veshur kokë e këmbë me të zeza, në vaj pranonte se djali i saj nuk ishte ai që duhej, por ajo sërish e donte. Më vonë mësova se ajo grua ishte dhunuar e rrahur nga i biri shumë herë, por ajo vazhdonte të jetonte në një çati me të, duke pritur me ankth çdo natë që ai të kthehej në shtëpi pa bërë ndonjë të pabërë me armën që mbante me vete.

E pra, ta gëzojmë festën! Por, para se të bërtasim e shtrembërojmë fytyrën duke thënë “shih kjo kurva”, le t’i hedhim pak sytë vërdallë tek familja jonë, fqinjët, lagjja, shoqëria etj., të bëjë secili pjesën e tij që të rrisim vajza dhe jo kurva.

Dorjana Bezat, gazetare ne News 24



10 Comments

  1. Ketu do kuptuar qe vajzat e pervuajtura si Xhisiela, Marsida, etj., jane viktima te nje shoqerie te mbrujtur me Njeriun e Ri Komunist.
    Keta monstra, dmth, ne burrat por dhe gra tip “Spiropali” nxorren shoqet, komshijet, kusherirat neper rruget e vendit dhe Evropes qe te fitonin e te deheshin me alkol e droga!
    “KURVE” sot eshte cdo burre qe perdhunon, kanos me arme, rreh, shet e blen vjaza ne treg e ne rruge, shperndan droge trotuareve te shkollave, por edhe dyerve te Bllokut Tironc, apo rrugeve te Evropes, monstra dhe llumra qe damkosin popullsine e tere te nje vendi, dhe qe prodhojne vetem viktima te thjeshta per t’u etiketuar “kurva”!
    Riformësoni konceptin “kurvë”, ju lutem! Se na mbyti llumi

  2. Kurva ashtë kurvë, kurvari ashtë kurvar the shoqnia ashtë pasqyre e elites politike qe i misheron te dyja.
    Po nuk u respektu ligji me u permirsu shkollat dhe eduku femijet, me kriju shprese, pune dhe kushte per familjet nuk kemi gja n’dore.
    Fatkeq’sisht edukimi i femijeve, shpresa per nje te ardhme dhe oportuniteti per nje jete ma te mire ne ate vend, po mbahet peng nga politikanet e felliqur dhe kriminel qe kane marrur peng ate vend dhe shoqeri.
    Shkrimet si ky i masipermi apo opninionet e Lubonjes dhe avokat Ngjeles nuk e sherojne apo shpetojne shoqnine shqiptare.
    Kam frike se ai popull ka gjynahe shekullore per me la! Ne nje vend ku jeta njerzore ka ma pak vlere se e nje kafshe, ne nje vend ku realiteti i vlerave,ndergjegja dhe identiteti njerzor ashtë tjetersu dhe perçudnu komplet, ne nje vend ku thirrjet e viktimave te pafajshme injorohen dhe perçmohen tash sa vite e shekuj, ai vend e popull ka nje kalvar per me ngjite. Ai kalvar nuk kerken vetem kambë per me u ngjite, ai ashte nje rrugetim shpirtnor dhe ndergjegjeje, qe fatkeqesisht populli une as nuk i ka hy asaj rruge akoma.
    Ç’ka po flas edhe une! E kam kompliku shume, kujt po i bjen nder mend me e lexu dhe thellu n’kto muhabete. Deri atehere ne vazhdojme e zbukurojme kronika me protagoniste dhe viktima te rralles.

  3. Po per viktimat meshkuj e vret mendjen njeri? Ai qe u vra dhe tjetri qe u plagos kane dhe baballare, djem, velllezer. Po per historine e tyre pyet njeri? Aq sa e dhimshme sa eshte historia e njeres qe u be kurve, po aq mund te jete e tjetrit qe u be vrases. Nuk ka arsye qe gabimet e femres t’i justifikosh me rrethanat shoqerore dhe te meshkujve jo. O te gjithe fajtore se jemi njerez te lire, o te gjithe viktima sepse jemi produkte te rrethanave shoqerore. Ndaje mendjen!

  4. O zoti -Neri-nje fjale e urte popullore thote;Koka e -vogel-e ha koken e madhe-analizoje dhe kuptoje ,sa per shkrimin qe kjo shoqja gazetare shkruan mos e quani –kurve-kete grua sepse familja na e paska martuar qe ne moshen 14 vjec nuk do te thote kjo qe kjo grua te kete lene dy -tre burra dhe ngryset dhe te gedhihet c’do nate me dy tre meshkuj .Si mund ta quajme kete?-Endershmja e shekullit.

  5. Doriana-gazetarja-ka shume te drejte.Kurve quhen ata qe dalin trotuareve (prostituta-i quan europa,ku duam te shkojme),ndersa kjo kavajsja,duhet dhe ne fakt ashtu eshte -LAVIRE.Pse:Nuk ka dale ne trotuare,sepse e ka shtepine ne dispozicion,nuk kerkon kliente,seepse i vijne vete,bile edhe me birra kokaina e tj,e zevendesoka dashnorin sapo nuk ja ploteson kerkesat,me nje tjeter-me kavalier se i pari,bile ky i riu,i shkoka (ne shtepi) edhe me shoke,sepse duket me modern dhe pelqekan veprimet ne grup,ndersa burri,me te cilin na paska edhe femije,i dergoka para edhe nga burgu,per te jetuar si “zonje lavire,dhe t’i shkoje edhe ne Gjermani,per ta vizituar,nder pushimet qe ben ne Kavaje,me dashnoret e saj.Kujdes,mos ndryshoni epitetet,se ndofta i mbetet edhe hatri,e ju padit!

  6. Kjo gazetarja ka shkruar opinion, jo analizë të ngjarjes. Pse duhet postuar mendimi i saj personal si artikull? Apo vetëm sepse njeh dikë në redaksi? ?‍♀️?? Sa shkrim i rëndomtë dhe i pavlerë…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *