• |
ide | kryesore

Ish-kreu i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj përballet sot me vetingun

Arkiva, Lajme, Të fundit



Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të zhvillojë sot seancën dëgjimore me prokurorin e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj.

Ish- kreu i kësaj prokurorie do të përballet me hetimin e trefishtë në kuadër të procesit të rivlerësimit, ndërsa treshja gjykuese përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Suela Zhegu. Hajdarmataj pritet të jetë hetuar në të tre komponentët, ndërsa ka qenë në listën prioritare për shkak të funksionit që ka mbajtur.

Prokurori ka pasur nën hetim disa dosje të njohura, ndër to edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin, ndërsa është një ndër figurat që më së shumti është komentuar, kjo për shkak edhe të përplasjes me Prokuroren e Përkohshme të Përgjithshme, Arta Marku.

Seanca dëgjimore ndaj Besim Hajdaramataj do të fillojë në orën 10:00. Sa i takon pasurisë, të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Besim Hajdarmataj nuk deklaronte asnjë pasuri në vitin 2003, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria e deklaruar prej tij kap vlerën e 10.2 milionë lekëve, me një shtesë mesatare vjetore prej rreth 734 mijë lekësh.

Në fund të vitit 2017, pasuria ndahet në 8.8 milionë lekë likuiditete bankare dhe 1.4 milionë lekë kursime të akumuluara në cash. Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 21.3 milionë lekë.

Rreth 94% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni i prokurorit, ndërsa 6 % kanë si burim likuiditetet e dërguara nga vëllai- emigrant në Angli. Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRNi identifikoi si “flamur të kuq” shtimin e likuiditeteve nga të ardhurat e vëllait në Angli, për të cilat subjekti deklaron se kanë qenë të pashoqëruara me dokumentacion, shkruan panorama.

Deri në vitin 2009, ai i deklaron dërgesat si kursime të përbashkëta me vëllain, ndërsa pas këtij viti nuk caktohet pjesa takuese e secilit. Subjekti ka deklaruar gjithashtu gjendje të akumuluar kursimesh në cash deri në vitin 2016 në vlerën e 7.4 milionë lekëve, nga të cilat janë depozituar në bankë 6 milionë lekë në vitin 2017.



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *