• |
ide | kryesore

Komisioni i Venecias publikon raportin përfundimtar për Metën

Arkiva, Kryesore



Komisioni i Vencias ka publikuar raportin përfundimtar të opinionit mbi antikushtetueshmërinë e vendimit të presidentit të Republikës Ilir Meta, për anulimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Sikurse artikulohej në draft-opinionin e publikuar në fund të shtatorit, në dokumentin e përpiluar nga ekspertët e “Venecias” theksohet se “Presidenti mund të anulojë zgjedhjet vetëm për organet e qeverisjes vendore në situatë e cila i plotëson kriteret për marrjen e masave emergjente. Edhe atëherë Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike – ad-hoc – për të shtyrë zgjedhjet”.

Sipas Komisionit të Venecias, rregullat e zbatueshme kushtetuese për situata emergjente nuk ishin e ndjekur në këtë rast dhe nuk kishte një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore ad-hoc.

Në të njëjtën kohë, “Venecia” vëren se mungesa e një baze ligjore dhe disponueshmëria e alternativave (shtyrja e zgjedhjeve sipas masave emergjente sipas nenit 170 të Kushtetutës ose rifillimi i dialogut politik pas zgjedhjeve), prek të drejtat elektorale të njohura nga instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si edhe e bën jo proporcionale ndërhyrjen në këto drejta.

Ndërsa, bojktoti zgjedhor nga partitë politike, që është reshtuar nga kreu i shtetit si një nga arsyet e vendimit të tij për shtyrjen e lokaleve, me qëllim sigurimin e pluralizimit dhe të gjithëpërfshirjes së garës elektorale, “nuk mund të parandalojë që të bëhen zgjedhje të rregullta”. Në mbështetje të këtij përfundimi, “Venecia” hipotetizon se në të kundërt “këto parti do të merrnin levën për të parandaluar plotësisht çdo zgjedhje”.

Megjithatë, siç është vënë theksi edhe më parë, përcaktimi se anulimi dhe më pas shtyrja e zgjedhjeve, ka përbërë një shkelje të Kushtetutës nga ana e Metës, i takon Kuvendit dhe hallkës fundore dhe determinuese që është Gjykata Kushtetuese.

Mirëpo, në përmbyllje të konkluzioneve, Komisioni i Venecias nënvizonn se edhe nëse konstatohet se dekreti i presidentit përbën një shkelje të librit themeltar të shtetit, “kjo nuk duhet domosdoshmërisht të çojë në një fajësim të presidentit, duke marrë parasysh fuqinë e sesionit plenar të Kuvendit për të marrë parasysh qëllimet kushtetuese, siç janë check and balances”.

Konkluzionet:

Në përgjigje të kërkesës për një mendim nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Komisioni i Venecias arrin në përfundimin se, në mungesë të një dispozite ligjore për këtë çështje, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet vetëm për organet e qeverisjes vendore në situatë e cila i plotëson kriteret për marrjen e masave emergjente. Edhe atëherë Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike – ad-hoc – për të shtyrë zgjedhjet.

Ky përfundim mbështetet nga rregulli i përgjithshëm interpretues. Anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Sidoqoftë, rregullat e zbatueshme kushtetuese për situata emergjente nuk ishin e ndjekur në këtë rast. As nuk kishte një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore ad-hoc.

Anulimi i zgjedhjeve gjithashtu prek të drejtat elektorale të njohura nga instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe thjesht aplikimi i “actus contrarius” parandalohet nga kërkesa për proporcionalitet në çdo ndërhyrje.

Mungesa e një baze ligjore dhe disponueshmëria e alternativave (shtyrja e zgjedhjeve sipas masave emergjente sipas nenit 170 të Kushtetutës ose rifillimi i dialogut politik pas zgjedhjeve) e bëjnë ndërhyrjen në të drejtat elektorale jo proporcionale.

Bojkoti zgjedhor nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit, nuk mund të parandalojë që të bëhen zgjedhje të rregullta. Përndryshe, këto parti do të merrnin levën për të parandaluar plotësisht çdo zgjedhje.

Do t’i takojë Kuvendit dhe në fund Gjykatës Kushtetuese që të përcaktojë nëse anulimi, dhe më pas shtyrja e zgjedhjeve lokale do të thotë një shkelje e Kushtetutës dhe nëse shkelja është e një karakteri serioz, i cili do të lejonte një fajësim të Presidentit.

Siç përcaktohet në këtë opinion, një numër faktorësh tregojnë se vendimi mund të mos ketë qenë i një karakteri të tillë të nevojshëm për të përbërë një shkelje serioze. Këto të dhëna lidhen veçanërisht me thirrjet e Presidentit për dialog, pritshmërinë se përmes shtyrjes së zgjedhjeve do të kontribuohej në arritjen e një kompromisi midis palëve, mungesën e një sfide të drejtpërdrejtë të dekreteve të Presidentit para një Gjykate dhe statusin kushtetues të zgjedhjeve lokale në krahasim me zgjedhjet parlamentare.

Të marra së bashku, kjo mund t’i sigurojë Parlamentit elemente që kanë tendencë për një pikëpamje që – megjithëse presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale pa një bazë të veçantë ligjore – këto akte mund të mos plotësojnë kriteret e domosdoshme të seriozitetit të mjaftueshëm në rrethana për të garantuar fajësinë e presidentit.

Në fund, edhe nëse u konstatua serioziteti i shkeljeve, kjo nuk duhet domosdoshmërisht të çojë në një fajësim të presidentit, duke marrë parasysh fuqinë e Sesionit Plenar të Kuvendit për të marrë parasysh qëllimet kushtetuese, siç janë check and balances.

Komisioni i Venecias mbetet në dispozicion të autoriteteve shqiptare për çdo ndihmë të mëtejshme në këtë çështje.

Ekspertët e Komisionit të Venecias “zbarkuan” muajin e kaluar në Tiranë, në kuadër të kërkesës për dhënien e një opinioni nga Komisioni Hetimor i ngritur për verifikimin e ligjshmërisë së vendimit të Metës për çdekretimin e 30 qershorit si datë të paracaktuar për mbajtjen e lokaleve.

Më datë 27 shtator, u publikua raporti paraprak ku shkruhej ndër të tjera se sipas “Venecias”, presidenti ka tejkaluar kompetencat që i jep Kushtetuta, por duke theksuar nga ana tjetër se nuk bëhej fjalë për një shkelje të rëndë, në bazë të të cilës mund të merret vendimi për ta shkarkuar.

“Në mungesë të një dispozite ligjore, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, vetëm në një situatë e cila plotëson kriteret për marrjen e masave të jashtëzakonshme”. Edhe atëherë Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike për të shtyrë zgjedhjet.”- vërehej në raportin paraprak.

Nga ana tjetër, Presidenca publikoi qendrimin mbi draft-opinion e  “Venecias”, ku Meta kishte shkruar edhe një letër adresuar presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio. Në këtë letër theksohej se disa çështje kyçe nuk janë marrë parasysh në përpilimin e raportit paraprak. Meta nënvizonte se: “Nëse ky projekt miratohet siç është atëherë çdo lider autokrat mund ta intepretojë këtë opinion të Komisionit të Venecias në favor të tij”

Në një prej pikave të listuara, ku Meta shpaloste problematikat që ka konstatuar në raportin paraprak, shtonte se ekspertët e “Venecias”, “kanë tejkaluar objektin e punës së tyre duke ndërhyrë në kompetencat dhe vlerësimin e OSBE/ODHIR, institucioni më i lartë i autorizuar për monitorimin dhe trajtimin e çështjeve zgjedhore.”

Më tej në letrën për presidentin Buquicchio, Meta shton se projekt-opinioni është shpeshherë kontradiktor, i pabalancuar dhe jo i plotë. Sipas presidentit, drafti nxirrte disa konkluzione që nuk përputhen me mandatin e Komisionit të Venecias si organ këshillimor.

“Projekt-opinioni është shpeshherë kontradiktor, me vlerësime diametralisht të kundërta për të njëjtën çështje. Krijohet përshtypja se ekspertët e Komisionit të Venecias janë udhëhequr apriori nga disa ide fikse duke bërë që faktet dhe analiza të mos kenë përputhje racionale me konkluzionet e projekt-opinionit; Paraqitja e fakteve dhe rrethanave në projekt-opinion është e pabalancuar dhe e paplotë.”, shkruhej ndër të tjera në letër. ©Lapsi.al

 

 

 



3 Comments

  1. Pergjigje pak me shume peshk se mish. Gjithsesi po behet e madhe nje gjoja shkelje e presidentit, shkelje e cila nuk eshte hera e pare qe ndodh. Nese duan ta shkarkojne presidentin, bejne mire te gjejne arsye te tjera. Por problemi nuk qendron ketu. Problemi qendron ne faktin se vendi qeveriset (me mire mund te thuhet qe ka nja 10 vite qe nuk qeveriset fare, po hajt mo) ne paligjshmeri te plote dhe askush nuk mban pegjegjesi. Parlamenti eshte ne kundershtim me Kushtetuten (pra absolutisht i paligjshem) por ndermerr edhe nisma ligjore te cilat per hir te se vertetes jane ne kundershtim me cdo kushtetute. Vendi nuk ka Gjykate te Larte dhe as Gjykate Kushtetuese dhe perseri askush nuk mban pergjegjesi. Paligjshmeria e presidentit ne kete rast duket shume me e vogel se pergjegjesia e atyre qe e cuan vendin ne kete grade. Nese presidenti duhet cuar ne burg dhe mund te kete shume arsye per kete, le te shkoje, por jo per paligjshmerine e ndryshimit te dates se zgjedhjeve se i ka tre precedente kjo histori dhe do duheshin derguar ne burg edhe tre te tjeret.

  2. Kush po e rruan per ju kurvat e politikes , kokat hengeshit . Populli do pune , drejtesi , qetesi dhe respekt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *