• |
ide | kryesore

OKB “shuplakë” qeverisë: Nuk po respektohen të drejtat e PAK-ut

Lajme

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë hap përpara në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. (PAK) Në një dokument të publikuar nga Komiteti i OKB-së për PAK-un, evidentohet shqetësimi për mungesën e përmirësimit ndër vite të trajtimit të personave të PAK.

OKB-ja ngre problemin e përjashtimit nga jeta publike të këtyre personave me aftësi të kufizuara, për mungesën e masave specifike dhe të vlefshme të marra për të siguruar akses gjithëpërfshirës në sistemin e drejtësisë të tilla, si: ndihma juridike falas, shërbimet juridike të aksesueshme dhe interpretët e gjuhës së shenjave në dhomat e gjyqit, stacionet e Policisë etj. Këto u vunë në dukje edhe nga eksperti për çështjet e aftësisë së kufizuar, Sinan Tafaj.


Komiteti i Kombeve për të drejtat e PAK, në raportin e hartuar, ka ngritur vetëm shqetësime. Në pikën 47 thuhet konkretisht se personat me aftësi të kufizuara janë të përjashtuar nga jeta publike. Kjo vjen në formën e një akuze shumë të rëndë. Komiteti po ashtu ka bërë vërejtje të rënda për ligjin 93 të 2019-ës. Një tjetër problem i ngritur po ashtu është edhe çështja e aksesit në sistemin e drejtësisë.

Mbrojtja e të drejtave nëpërmjet sistemit të drejtësisë është një shans shumë i madh që ka çdo qytetar për të qenë i barabartë para ligjit, por për hir të së vërtetës, edhe këtu nuk është marrë ndonjë masë konkrete e qenësishme. Nëse e shikoni të plotë raportin, do të vini re që Komiteti është i shqetësuar për mosrespektimin e të drejtave të PAK dhe ka vetëm rekomandime për çdo fushë të jetës”, tha Tafaj në aktivitetin e organizuar nga Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, ku ishin të pranishëm edhe nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, zvministrja e Shëndetësisë, Bardhylka Kospiri, ish-deputetja e PD-së, Oriola Pampuri, dhe përfaqësues nga organizatat e PAK-ut, shoqëria civile dhe media.

Disa nga shqetësimet e ngritura nga Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

Përpjekjet e pamjaftueshme për të rishikuar legjislacionin ekzistues dhe për ta sjellë atë në përputhje të plotë me Konventën.

Mungesa e një mbështetjeje të rregullt dhe të qëndrueshme financiare për organizatat e personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht në nivelin lokal.

Mungesa e një plani gjithëpërfshirës të veprimit kombëtar në zbatimin e ligjit për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara dhe vendimin e qeverisë nr. 1074 për heqjen e barrierave mjedisore dhe infrastrukturore në ofrimin e shërbimeve publike.

Komiteti është i shqetësuar për mungesën e masave specifike dhe të vlefshme të marra për të siguruar akses gjithëpërfshirës në sistemin e drejtësisë, të tilla si ndihma juridike falas, shërbimet juridike të aksesueshme dhe interpretët e gjuhës së shenjave në dhomat e gjyqit, stacionet e Policisë etj.

Komiteti është i shqetësuar që legjislacioni aktual lejon privimin e lirisë, shtrimin e detyruar në spital dhe trajtimin e detyruar të personave me aftësi të kufizuara. Komiteti është i shqetësuar për përjashtimin në praktikë të personave me aftësi të kufizuara nga jeta publike.

Komiteti vëren me shqetësim raportet e dhunës dhe abuzimit ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe mungesën e masave efektive për kompensime.

Komiteti është i shqetësuar që personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht fëmijët përballen me pengesa për të marrë pjesë në jetën kulturore, argëtim, sporte etj.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu