• |
ide | kryesore

FOTO/ Ngjarja në Korçë, kush është gjyqtari që mori alarmin fals për bombë në makinë

Lajme, Të fundit



Lapsi.al ka siguruar foton e gjyqtarit të Korçës, Markelian Kuqos, i cili sikurse u raportua pak më parë, mori një telefonatë nëpërmjet të cilës sinjalizohej për vënien e një bombe në automjetin e tij.

Mësohet se telefonata është kryer nga burgu i Drenovës, ndërsa thuhet se bëhet fjalë për një person që vuan nga probleme të shëndetit mendor. Burime nga burgu i Drenovës kanë bërë me dije se telefonuesi i identifikuar është një person ndaj të cilit është vendosur masa “mjekim i detyruar”.

Ndërkohë, nga verifikimet e grupit hetimor, personi në fjalë nuk rezulton të paraqesë rrezikshmëri për gjyqtarin, pasi bëhet fjalë vetëm për një alarm të rremë.

Kush është Markelian Kuqo? 

Kuqo është gjyqtar pranë gjykatës së Korçës. Emri i tij u lakua në shkurt të këtij viti pasi dha vendimin e bujshëm për lirimin me kusht të Gert Gjinararit, që njihej ndryshe me nofkën “Gjenerali”, i cili ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e “të fortit të Tiranës”, Naim Zyberit.

Gjinarari fitoi nga gjykata e Korçës lirinë me kusht. Pas ekstradimit nga Italia, gjykata e Tiranës la në fuqi vendimin me burgim të përjetshëm të gjykatës italiane. Por, gjyqtari i çështjes, Markelian Kuqo, vendosi të pranojë kërkesën e Gjinararit për liri me kusht, gjatë një seance që zgjati pas orarit zyrtar.

Në vendimin e gjykatës, argumentohet se Gjinarari plotëson kriteret për të përfituar liri me kusht, pasi konsiderohet i rehabilituar në raport me veprat penale për të cilat është shpallur fajtor, ka normalizuar marrëdhëniet me trashëgimtaret e viktimës, si dhe për sjellje shembullore në burg.

Mirëpo, kërkesa e Gjinararit për liri me kusht, është kundërshtuar nga Prokuroria, e cila ka konstatuar disa pasaktësi në vendimin e Gjykatës, qeëe bëjnë të pamundur nxjerrjen e urdhrit të lirimit të Gjinararit. ©Lapsi.al

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *