• |
ide | kryesore

Dy persona “me probleme” i hapin telashe para Vetingut prokurorit Besnik Muçi

Lajme, Të fundit

Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi u ul përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të mërkurën vetëm pak minuta pas shpalljes nga Presidenca të dekretimit të tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. E megjithatë, procesi në shkallën e dytë të vetingut vazhdoi aty ku ishte lënë nga seanca e kaluar- ballafaqimi i palëve me një raport të ri të DSIK-së tashmë të deklasifikuar.

Kryesuesi i trupës gjykuese, Sokol Çomo deklaroi në fillim të seancës se informacioni i deklasifikuar, bashkë me materialet shoqëruese u ishte shpërndarë subjektit të rivlerësimit, Komisionerëve Publikë si dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ndërsa u kërkoi palëve të shpreheshin mbi to.

Përmbajtja e raportit të DSIK-së u zbulua përmes debatit që u zhvillua në seancë nga Komisioneri Publik dhe prokurori Besnik Muçi. Ai i referohej dokumentacionit të Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme se dy “persona të lidhur” me prokurorin Muçi ishin proceduar më parë për veprat penale të “moskallëzimit të krimit” dhe “drejtimit të automjetit në gjendje të dehur”.

Personat e lidhur në raportin e DSIK-së ishin shtetasi me inicialet A.L, të cilit Muçi i kishte blerë një apartament dhe në kohën e plotësimit të deklaratës “vetting” i detyrohej ende 21 mijë euro, ndërkohë që personi i dytë i kishte shitur automjetin që prokurori tha se e “përdorte edhe sot e kësaj dite”.

Komisioneri Darjel Sina tha në seancë se personat e proceduar dhe të përmendur në raportin e DSIK-së nuk përmbushin kriteret për t’u cilësuar si persona të përfshirë në krimin e organizuar, e për rrjedhojë nuk mund të ndikojnë në vlerësimin e figurës së prokurorit Besnik Muçi.

“Por Komisioneri Publik çmon se ky informacion… mund të shërbejë si rrethanë dhe argument se subjekti i rivlerësimit mund të vihet lehtësisht nën presionin e strukturave kriminale,” tha Sina, duke iu referuar detyrimit prej 21 mijë eurosh që Muçi kishte ndaj shtetasit A.L sipas deklaratës së tij për efekt të vetingut.

Si gjithmonë në këmbë përballë trupës së KPA-së, prokurori Muçi tha se e kishte pritur me ankth raportin e DSIK-së, ndërsa kundërshtoi mënyrën se si ky raport ishte prezantuar në seancat e mëparshme, ç’ka sipas tij kishte shërbyer për të “ushqyer opinionin publik me një gjysmë të vërtetë”.

Duke iu referuar sërish sqarimit të opinionit publik, Muçi shpjegoi se personi i parë i lidhur ishte administratori i kompanisë ku kishte blerë apartamentin, i cili ishte proceduar për moskallëzimin e një rasti të armëmbajtjes pa leje. Ai shtoi se personi i dytë i lidhur për shkak se i kishte blerë makinën ishte proceduar dy herë nga prokuroria për “drejtim mjeti në gjendje të dehur” dhe një herë të tretë për “mosbindje ndaj punonjësit të policisë”.

“E pata të vështirë ta gjeja veten apo shkakun ligjor se ku lidhesha unë me këta persona,” tha Muçi në seancë. “Komisioneri Publik duhej t’u ishte përgjigjur pyetjeve nëse ky informacion lidhej me ankimin e tij apo personat kishin lidhje me krimin e organizuar, përgjigje të cilat janë të dyja JO,” tha ai, duke e konsideruar qarkullimin prej një muaji të raportit sekret si helmues për opinionin publik.

Muçi sqaroi më tej se asnjëra prej veprave penale të mësipërme nuk përfshihej në grupin e veprave të krimit të organizuar, të parashikuara në Kushtetutë dhe i kërkoi gjykatës që të vlerësonte rivendikimin e vendimit të marrjes së raportit të DSIK-së si provë, pasi sipas tij “nuk ka më shkak ligjor për t’u panuar si e tillë”.

I pyetur nga kryesuesi Çomo se kujt i referohej kur thonte se ishte helmuar opinioni publik, Muçi drejtoi gishtin nga Komisioneri Publik, por debati u pre në mes me ndërhyrjen sërish të kryesuesit.

Më pas, Besnik Muçi kërkoi të dorëzonte dokumente të noterizuara dhe me vulë apostile për të vëllanë emigrant-dokumente për të cilat tha se i kishte dorëzuar më parë në KPK, por tashmë i kishte sipas formës së kërkuar ligjore.

Me kërkesë të Komisionerit Publik, trupa gjyqësore u tërhoq për një orë për shqyrtimin e dokumenteve, por me rikthimin në sallë, çështja u fokusua sërish te marrëdhënia e subjektit me personin e lidhur të referuar nga DSIK.

“Trupi gjykues u konsultua dhe kërkojmë të na sqarohet nga subjekti i rivlerësimit se deri në ç’shkallë është paguar detyrimi për blerjen e apartamentit, që i kishit shoqërisë A.N sh.p.k.” pyeti kryesuesi Çomo.

“Deri në fund të vitit 2018 kam paguar edhe 7 mijë euro dhe ngelet për t’u paguar pjesa tjetër,” u përgjigj Muçi. Këmbënguljes së gjyqtarit Çomo se sa ishte detyrimi i mbetur sot, prokurori iu përgjigj se ishte 14 mijë euro.

Kur Çomo i kujtoi se afati në kontratë për shlyerjen e borxhit ishte maji 2019, Muçi tha se kishte pasur shpenzime të paparashikuara për shkollimin e vajzës dhe pas kontaktimin me administratorin, kishte rënë dakord verbalisht me të që shlyerjen ta bënte në fund të vitit 2019.

Atëherë, Çomo i kërkoi Muçit dokumentacion për dy pagesat bankare prej 7 mijë eurosh në total ndaj shtetasit A.L dhe pasi u konsultua në vend me anëtarët e tjerë të trupës gjykuese, vendosi të kryejë verifikime të reja për të zbuluar nëse Muçi kishte trajtuar ndonjëherë çështje hetimore me personat e lidhur, të përmendur në raportin e DSIK-së.

“Trupi gjykues i konsultuar në vend vendosi t’i kërkojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda nëse kanë marrë informacion apo referime për shtetasit A.L, B.O, F.Sh dhe G.H,” lexoi Çomo, ndërsa sqaroi më tej se dy personat e tjerë po përfshiheshin në verifikime për shkak se ndërtuesi A.L e kishte blerë apartamentin tek ata, vetëm një muaj para se t’ia shiste Muçit.

Përveç kërkesës për informacion mbi këta shtetas, trupi gjykues vendosi t’i kërkonte Prokurorisë së Krimeve të Rënda nëse vetë subjekti kishte trajtuar ndonjë hetim të këtyre personave. E njëjta kërkesë iu drejtua edhe Prokurorisë së Rrethit Tiranë për periudhën 2002-2008-kur subjekti ushtronte funksionin pranë saj.

Në pritje të këtyre informacioneve, trupi gjykues vendosi që seanca e radhës të zhvillohej më 4 nëntor, ora 10:00. /BIRN

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu