• |
ide | kryesore

Futbolli shqiptar humb “Dajën’: mjeshtri i madh i Partizanit ndahet nga jeta

F1, Sport



Mico Papadhopulli nuk është më. Një lajm i trishtë, që e lë futbollin në vend me një mjeshtër të madh më pak. Presidenti i nderit i Fshf-së ndërroi jetë mëngjesin e 16 tetorit, në moshën 86 vjecare. Në vitet 1955 1965, ai ishte një nga mbrojtësit më të mirë të Partizanit, duke arritur të fitojë gjashtë tituj kampion dhe të bëhej kapiteni i të kuqve. Mico Padhopulli do të mbahet mend edhe për lojrat e Leipzig dhe Hanoit, kur Partizani fitoi medaljet e argjendta, duke qenë protagonist i skuadrës dhe një nga emrat më të mëdhenj të të gjitha kohërave për të kuqtë.

Kur mbylli karrierën si lojtar, ai bëri thuajse të gjitha rolet, si trajner, mësues, pedagod, por edhe drejtues, në klube dhe Federatën Shqiptare të Futbollit: u zgjodh edhe president i institucionit që drejton futbollin në vitin 1997 dhe këtë post e mbajti për pesë vite me radhë, duke sjellë edhe ndryshimin e parë në FSHF në lidhjet me institucionet ndërkombëtare të futbollit në Uefa dhe Fifa.

Figura e tij karizamtike e bëri atë shumë popullor dhe për të tilla merita ai është dekoruar me titujt më të lartë, si ‘Legjenda e futbollit shqiptar’, ‘Mirënjohja e Tiranës’, por edhe ‘Mjeshtër i madh’ nga Presidenti i Repuplikës, pa përmendur mjaft nderime të tjera nga institucione te ndryshme. Historia e tij është historia e vetë futbollit shqiptar dhe veçanërisht e Partizanit mitik, të legjendave të papërsëritshme të tij. Me Papadhopullin, futbolli humbi sot ikonën e tij, ‘dajën’ e dashur, ashtu si e thërrisnin të gjithë, që do të kujtohet gjithnjë.

KOMUNIKATA E FSHF PËR PAPADHOPULLIN

Sot, në moshën 86-vjeçare është ndarë nga jeta, një nga figurat më të mëdha të futbollit shqiptar, Miço Papadhopulli, ish-futbollist i Partizanit, trajner dhe pedagog te Instituti i Fiskulturës, mbante titullin Prof.Doktor. Një nga figurat më të spikatura në futbollin dhe sportin shqiptar.

Miço Papadhopulli ka lënë shenjë në drejtimin e futbollit në Shqipëri, nga viti 1997-2002, ka qenë Presidenti i FSHF, dhe prej vitit 2002 President Nderi i FSHF. Si një nga futbollistët më të mirë të viteve 1950-1960, “Daja” siç e njohin të gjithë fitoi plot 6 tituj kampion me skuadrën e Partizanit. “Mjeshtri i madh”, “Mjeshtëri i Merituar”, Miço Papadhopulli i fitoi të gjitha në jetën e tij profesionale, por mbi të gjitha respektin e të gjithë komunitetit dhe qytetarëve që e njihnin, si një njeri të qeshur dhe shumë human.

“Të dashur miq të familjes tonë të madhe të futbollit, me hidhërim të thellë dëshiroj të ndaj me ju lajmin e trishtë se Miço Papadhopulli, President Nderi i FSHF, një ish-mbrojtës i shkëlqyer, drejtues futbolli dhe mik i mirë, është ndarë nga jeta. Në këtë moment të vështirë për të gjithë ne, për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara”, ka deklaruar Presidenti i FSHF-së Armand Duka, sapo ka mësuar lajmin e dhimbshëm.

Homazhet në nder të Presidentit të Nderit të FSHF, do të zhvillohen tek Muzeu Kombëtar, ditën e sotme nga ora 12:00 deri në orën 15:00.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *