• |
ide | kryesore

Volejboll/ Partizani shkruan historinë: kalon në raundin e dytë të Champions, pas fitores me Brcko

F1, Sport



Partizani në volejboll për femra shkruan një faqe të rëndësishme të volejbollit shqiptar, duke u kualifikuar në raundin e dytë të Champions League, në prezantimin e tij të parë në këtë nivel. Skuadra e kuqe e drejtuar nga tekniku Sanxhak imponohet edhe në Bosnje në ndeshjen e kthimit, ku i mjaftonte fitimi i dy seteve për të shkuar në raundin e dytë ku i prisnin hungarezet e Vashash. E megjithatë fitorja 2-3 është mjaftueshëm sa për ta bërë formacionin kampion të Shqipërisë, entuziast për përballjen e 22 tetorit.

Pas 7 vjetësh mungesë në kompeticionet ndërkombëtar, Partizani i presidentit Huqi arrin të prezantohet në mënyrën më të mirë. E përforcuar me katër lojtare të huaja me eksperiencë, amerikania Mans, turket Kollec e Basa e sllovakja Hudecova, Partizani ka dominuar të dy ndeshjet, duke marrë kualifikimin. Shumë i rëndësishëm seti i parë, i fituar 21-25 nga vajzat e Sanxhak. Kampionet boshnjake reaguan duke fituar të dytin 25-19, por u dorëzuan kur Partizani mori setin e tretë 18-25, që vlente edhe kalimin e raundit, pavarësisht rezultatit final që do të kishte ndeshje. Pak tolerim nga vetëkënaqësia, aq sa lejuan Brcko të barazonte setet duke fituar të katërtin 25-21. Por ndeshja i takoi me meritë Partizanit që fitoi setin final 15-13.

Partizani kishte fituar edhe ndeshjen e parë 3-1 ndaj skuadrës boshnjake të Jedinstvo Brcko, ndeshje e vlefshme për turin eliminator të Champions League. Debutimi i skuadrës së “kuqe” në këtë nivel ka qenë pozitiv, duke nisur me një kualifikim shumë të rëndësishëm. Mund të jetë i kënaqur tekniku turk Sanxhak, që e ndërtoi këtë kualifikim që në ndeshjen e parë në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në kryeqytet. Partizani fitoi me përmbysje, pasi e nisi keq ndeshjen (15-25). Kryeqytetaset përmbysën gjithcka duke fituar tre sete radhazi që i dhanë siguri për ndeshjen e kthimit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *