• |
ide | kryesore

Ngjarja në Kavajë/ Flet nëna e Bledar Toçit: E vërteta e fotos me Dritan Hoxhollin

Lajme, Të fundit



Vrasja e 10 tetorit në Kavajë tronditi mbarë opinionin publik. Një ngjarje komplekse dhe me shumë enigma. Tre burra ndodheshin në shtëpinë e Marsida Qatjes, një nënë me tre fëmijë dhe bashkëshortin në burg. Pas mesnate aty shkon një burrë i katërt që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit. Për vrasjen është arrestuar Bledar Toçi, i cili me armën e shërbimit qëlloi Dritan Haxhollin.

Në banesën ku ndodhi krimi policia tha se është konsumuar lëndë narkotike, kokainë. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e Toçit (shef sigurie në burgun e Durrësit) u gjetën 8 doza kokainë. Për këtë ra në burg edhe i vëllai Bernardi. Mbi këtë ngjarje të rëndë ka folur sonte në Top Channel, Fatbardha Toçi, nëna e dy djemtë që janë në arrest me burg.

“Po të ishin në grup, në lidhje, si do të jetonim në këtë shtëpi 50 m2? Ai ka qenë në shtëpi me qera në Tiranë 10 vjet dhe erdhi këtu se nuk i dilte. Gruaja i iku në Itali me djalin se ka prindërit dhe Bledari do të ikte, por po priste të bënte dokumentet. Është thënë se është në atë punë prej xhaxhait të vet ish-deputet, po Bledari është i përgatitur me 3 fakultete. Bledari është pa shtëpi. Jeton këtu me ne. Ka punuar te Presidenti, në Gardë… Nëse do të merrej me këto që thuhet si do të merrej në ato pozicione pune?!” – shprehet nëna e Bledar Toçit.

Si nënë, ajo ka frikë se e gjithë zhurma mbi Bledarin dhe rolin e tij në ngjarje mund të ndikojë për keq në shëndetin e të birit.

“Them se mund të kalojë në depresion me këto që po i bëjnë. Nuk na lejojnë ta takojmë përditë po të dhënat i kemi marrë nga mjeku që është më mirë. Tani e kanë dërguar në QSUT te Spitali i Burgut, ndërsa djali i vogël është në Peqin. As me të nuk kemi folur”, – shprehet nëna e Bledarit.

Jehonën e gjerë dhe debatet e shumta që zgjoi ngjarja e trajtuar fillimisht si një krim pasioni e më pas si vepër e një grupi të strukturuar kriminal, Fatbardha e lidh me një sulm politik ndaj të birit si pjesë e strukturës shtetërore, ndërsa foton e Bledarit me viktimën, Dritan Haxhollin e quan “montazh”.

“Si nënë nuk e besoj që kjo të jetë e vërtetë, them se u bë kaq mediatike për arsye politike. Meqë ka detyrën si person publik i shtetit. Këtu sulmohen gjithmonë ata që janë në punë dhe jo ata që rrinë nëpër rrugë. Nuk e besoj që Bledari të ketë foto me viktimën. Është një montazh, një bashkim fotosh për të bërë lidhjen mes tyre. Ai ka qenë person i dënuar”, – thotë ajo.

Lidhur me gjetjen e dozave të kokainës në apartamentin e tyre, ajo i qëndron deklaratës së bërë nga avokati i djemve se “ato përdoreshin nga bashkëshorti për arsye shëndetësore”.

“Në shtëpi u gjendën 7 doza të vogla që i përdor burri im si qetësues për dhembjen e kokës. Ai i ka siguruar vetë ato diku në Laprakë. Tani vonë i ka filluar se nuk po i duronte dot dhembjet e kokës. Ka pësuar një aksident të rëndë dhe e ka jetë të dytë këtë”, – tregon Fatbardha.

Që nga dita kur ndodhi ngjarja Fatbardha nuk ka dalë më nga shtëpia. Ndjehet nën presion ndaj i bën thirrje medias të presin përfundimin e hetimeve, para se të aludojnë dhe të përflasin familjen e saj.

Me lot në sy, ajo ngre pyetjen pse policia nuk e kapi më parë viktimën, një person problematik dhe në kërkim, po lejoi që të ndodhte ngjarja e rëndë, teksa shpreh bindjen se i biri e kreu vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes.

“Dihet kush është ai që u vra. Le ta merrte policia në dorë. Pse e la atë?! Pse e akuzojnë Bledarin pse e vrave?! Po vetëmbrojtje është! Kushdo që ka përballë një që do ta gjuajë si do të reagojë?! Do të mbrosh veten përballë një krimineli. …Ne nuk e kemi pasur e as do ta kemi këtë traditë të vrasjes. Ishte aksidentale. Ai u mbrojt”, – shprehet nëna e policit Bledar Toçi.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *