Dy makina luksoze janë grabitur brenda 24 orëve të fundit në Shqipëri.
Bëhet fjalë për një “Benz” në ngjyrë të zezë me targa AA 183 YO, që është vjedhur pas mesnate në zonën e Plepave në Durrës, si edhe për një “Range Rover” gjithashtu në ngjyrë të zezë me targa “AA020 TO”, që është vjedhur mëngjesin e sotëm në Tiranë. Vjedhjet janë raportuar nga zotëruesit e makinave në median online “JOQ”, ku shkruajnë se ofrojnë shpërblim të majmë kundrejt rigjetjes së tyre.
Vjedhja e automjeteve në Shqipëri është një formë kriminaliteti e përhapur në masë në Shqipëri. Në shumë raste, ngjarjet më të rënda në vend janë kryer duke përdorur makinat e vjedhura, të cilat janë modifikuar duke u ndërruar targat.
Në këto raste, makinat e vjedhura të përdorura për motive kriminale janë gjetur të djegura pak orë më pas, siç ndodhi në ekzekutimin e tregtarit Besnik Hida në Lushnje. Autorët udhëtuan me makinën që i kishin vjedhur një çifti në Tiranë. ©Lapsi.al