• |
ide | kryesore

Vllaznia dhe misteri i Jonuz: “Kemi një surprizë për Partizanin”

Sport



Përplasje kreu në javën e tetë të Superiores. Ndoshta Vllaznia nuk e mendonte se do të ishte në këto pozita kur të sfidonte kampionët në fuqi të Partizanit në Loro Borici, por me 12 pikë kuqeblutë e Mirsad Jonuz janë ndoshta rivali më i vështirë për tu mundur, me një nga mbrojtjet më të forta të kampionatit, me vetëm 3 gola të pësuar. Pauza e kampionatit i ka ndihmuar shkodranët të rikuperojnë dëmtimet dhe kundër të kuqve të gjithë janë në dispozicion të teknikut Jonuz, që ka përgatitur një surprizë për kryeqytetasit: “Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për skuadrën tonë. Pas kësaj ndeshje kemi Flamurtarin e Laçin. Këtu do të shihet karakteri i lojtarëve, ana psikologjike dhe sa pikë do të arrijmë të marrim në fund të këtij muaji. I kam parë ndeshjet e Partizanit edhe një herë në video si dhe atë live me Laçin, kam gjithë javën që flas me lojtarët dhe për nesër besoj se do të kemi një surprizë për Partizanin”.

Përballë do të jenë Vllaznia e Partizani, por edhe Jonuz e Lerda, dy trajnerë të huaj, por që po bëjnë mirë në këtë fazë të parë të Superiores. Maqedonasi ka bërë një krahasim të filozofive të futbollit që ndan me italianin e Partizanit dhe dallimin që i ndan dy teknikët: “Është komplet filozofi ndryshe nga ajo e shkollës italiane, unë jam trajner normalisht i zonës së Ballkanit ku kemi filozofi dhe karakter përafërsisht të ngjashëm, jemi trajnerë të ngjashëm rajoni dhe me të njëjtin karakter, ndërsa trajneri italian normal që ka tjetër filozofi”.

Vllaznia kryeson me 12 pikë, po aq sa Bylis, Teuta e Skënderbeu, ndërsa Partizani dihat një pikë pas tyre. Duke patur parasysh ngjarjet në sfidën me Tiranën, drejtuesit e klubit shkodran, i kanë kujtuar tifozëve kuqeblu që gjatë ndeshjes të mos ketë incidente, që mund të penalizojnë klubin.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *