• |
ide | kryesore

Video/ Partizani pushton kalanë e Shkodrës në kohën shtesë: Çinari shënon, por nuk feston

F1, Sport, Video



Partizani del fitues në Loro Boriçi: Cinari e Asani me dy gola në dy minutat e fundit i dhanë suksesin e rëndësishëm 1-3 të kuqve të Franco Lerdës, që edhe njëherë merr bonuset e alternativave në pankinë, duke u vënë në ndjekje të kreut. Italiani i Partizanit ka hequr dorë përfundimisht nga tre mbrojtësit e fillimi i jep të drejtë me Melon në gol pas 14 minutave. Braziliani shfrytëzoi pasigurinë e vetme të ndeshjes së Sherrit, për ta dërguar topin në rrjetë.

Vetëm katër minuta zgjati euforia e kryeqytetasve, sepse në mënyrë pothuaj identike si Melo shënon edhe Krymi, pasi Hoxha nuk largoi sa duhet goditjen e Likës. Barazimi i bën të kujdesshme skuadrat, që e kuptojnë se mund të jenë edhe të thyeshme. Në minutën e 57 Partizani krijoi rastin më të mirë të ndeshjes. Cinari iu vodh Gurishtës dhe kontrolloi i vetëm përballë Sherrit, por portieri shkodran u bë barrikadë ndaj tij dhe Asanit, që zgjodhi trajektoren e gabuar duke injoruar për më tepër Solomon të lirë në qendër të zonës.

20 minuta për Idrizajn, që nuk luante nga derbi i sezonit të kaluar i dëmtuar dhe Mala u la i lirë të kthehej në mesfushë, duke vënë shenjën në depërtimin e minutës së dytë shtesë, ku i dha mundësinë Cinarit të ndëshkojë ish-skuadën e tij. E majta e sulmuesit nuk i la asnjë shans Sherrit, ndërsa shkodrani nuk festoi në respect të tifozëve.

Vllaznia u dorëzua plotësisht, duke menduar që nuk kishte më kohë, por në fakt kohë kishte për golin e 1-3 të shënuar nga Jasir Asani në minutën e 94, në një inkursion personal, të finalizuar në shtyllën e parë të Sherrit. Ishte mbrojtja më e mirë e kampionatit, ajo e Vllaznisë, me tre gola të pësuar në 7 ndeshje, por tre i mori vetëm nga Partizani, edhe pse në fakt rezultati nuk tregon mënyrën si u përballën skuadrat. Të kuqtë shkojnë me 14 pikë, në shoqërinë e Tiranës dhe mbajnë nën presion vetëm një pikë larg Teutën kryesuese.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *