• |
ide | kryesore

Dosja “Santiago Malko”/ Jepet masa e sigurisë për 8 personat e shpallur në kërkim

Lajme, Të fundit



Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë në mungesë masën “arrest me burg” për tetë anëtarët e klanit “Duka”, të cilët janë shpallur në kërkim pasi akuzohen për vrasjen e ish-efektivit të Policisë, Santiago Malko. Bëhet fjalë për dy vëllezërit Leonard dhe Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj, Fatmir Hyseni (Doqja).

Deri më tani, nga anëtarët e bandës është arrestuar Elvis Gaçaj, i ashtuquajturi “gabeli”, i cili është lënë gjithashtu në burg nga Gjykata e Durrësit, si edhe Blendi Teta, i cili luante rolin e informatorit mbi lëvizjet e Malkos.  Teta ishte i pari i arrestuar për ngjarjen dhe është lënë në burg pa afat nga Gjykata e Tiranës, masë që pritet të rivlerësohet brenda pak ditësh.

Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e xhamllikut në Tiranë, në makinën e tij tip “BMW X5”. Ish-polici ishte pjesë e bandës së Ervis Martinajt, i njohur ndryshe si bosi i lojërave të fatit. Malko kishte gjithashtu në pronësi disa pika bastesh sportive. Ai ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit 2018, ku dhe ndodhi vrasja e Fabian Gaxhës në ish-Bllok pas një përplasjeje me armë. Gjithashtu ish-polici i vrarë është përfshirë në një sherr me dy vëllezërit Lashi në vitin 2016 për një borxh prej 1 mijë eurosh. Megjithatë, pavarësisht kësaj ngjarjeje të rëndë, Santiago Malko ka qenë pjesë e Inspektoriatit të Mjedisit dhe Pyjeve, ku ka punuar si inspektor edhe pse ka qenë i shpallur në kërkim. ©Lapsi.al

 

 

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *