• |
ide | kryesore

Video/ Champions nën shenjën e kampionëve: Mbappe, Sterling e Dybala shkatërrojnë kundërshtarët

F1, Sport, Video



Goleada, përmbysje e topa në shtëpi për një mbrëmje të madhe të Champions League. Të gjithë pretendentët fitojnë pa zhgënjyer, edhe pse në Torino ndjenë 68 minuta frikë, ndërsa Real Madrid shpëton mirë në disa raste për të mbrojtur atë gol suksesi, që shpëton pankinën e Zidane dhe kthen merengues në pozitat e duhura për kualifikimin.

Shuplakë e PSG për belgët e Bryzh, që u goditën pa mëshirë nga Icardi e Mbappe (për fat nuk ishte Neymar). Pikë të plota për formacionin e Tuchel, që mban larg rreziqet, duke shkuar gjithnjë e më i sigurtë drejt vendit të parë të Grupit A. Icardi dy herë dhe tregolëshi i Kylian Mbappe, në fushë vetëm për 45 minutat e dyta, treguan forcën franceze në këtë sezon të Champions. Asnjë surprizë, asnjë tolerancë, ky Paris është i frikshëm dhe mungojnë ende Cavani e Neymar.

Në transfertën turke Real Madrid ishte i thirrur në cështje të fitonte, edhe pse në fakt merengues u frikësuan shumë më tepër se frikësuan. Vendosi ndeshjen kundër Galatasaray një gol i Kroos, në sugjerimin inteligjent të Hazard, që ende nuk është belgu i Chelsea, por bëri provat në Turqi, edhe me një traversë të goditur. Me këtë fitore, e para në grup për Blancos, Zidane shkon në 4 pikë pas tre ndeshjesh, 5 larg francezëve kryesues, por dy para belgëve të Club Brugge.

Spektakël në grupin B, ku kthehet hierarkia, pavarësisht se për Bayern Mynih nuk ishte një mbrëmje e qetë në Pire, ku Olympiacos ia bëri jetën të vështirë, sidomos me avantazhin e shpejtë të El Arabi. Gjermanët kërkonin fitoren e tretë radhazi dhe kthejnë rezultatin, me krenari nën shenjën e Leëandoëski dhe Tolisso, që vrau shpresat e grekëve. Olympiacos nuk hoqi dorë dhe ngushtoi diferencën me golin e Guilherme, por pa mundur ti shpëtojë humbjes së dytë në tre ndeshjet e grupit, ku fitorja mbetet ende tabu.

Tottenham iu përgjigj goleadës në pasiv të sfidës së kaluar kundër Bayern, me një shuplakë të fortë për Crvena Zvezda. Fitorja e parë për Spurs dhe Pochettino e sheh veten tashmë në vendin e dytë të grupit, pas bavarezëve. Kane mbetet golashënuesi i ftohtë i portave, por emrin në listën e shënuesve, e vunë edhe Son, dygolësh për të e Lamela, përpara se Kane të mbyllte llogaritë. 4 pikë për londinezët, që parakalojnë pikërisht serbët, duke lënë në vendin e fundit Olympicos, me vetëm një pikë.

Manchester City nuk ka asnjë problem në Grupin C dhe e ka vendosur diktatin me zhurmë golash. Atalanta, përvec elozheve që kishte marrë një ditë më parë nga Guardiola, ka marrë edhe pesë gola kur të kthehet në Itali, duke e bërë golavarazhin e skuadrës së Gasperinit të tmerrshëm; dy gola të shënuar dhe 11 të pësuar. Citizens u imponuar 5-1 në Etihad, dhe diskutuan ndeshjen deri në momentin e penalltisë së Malinovsky që kaloi surprizisht në avantazh bergamaskët. Por ndoshta zgjuan luanin që flinte, sepse dy gola Aguero dhe tre Sterling shkatërruan cdo ide të Gasperinit për të dalë me pikën e parë nga një ndeshje Champions. E kundërta për Guardiolën, që sheh skuadrën e tij me pik të plota. Në ndeshjen tjetër 2-2 mes Shakhtar Donetsk dhe Dinamo Zagreb, me kroatët më të avantazhuar, duke qenë se kanë marrë pikë në transfertën e rivalit direkt për vendin e dytë. Dy skuadrat kanë nga katër pikë e javën e ardhshme sfida shpërngulet në Zagreb.

Paolo Dybala është heroi i mbrëmjes së Torinos, ku Lokomotiv Moskva rrezikoi ta bënte edhe më të ftohte, duke qenë në avantazh për 68 minuta. Pikërisht atëherë numri 10 vendos maskën e superheroit dhe shënon dygolshin që përmbysi avantazhin provizor të Miranchuk, duke i dhënë fitoren Sarrit. Në mbrëmjen ku nuk shkëlqeu Ronaldo, e ku Higuain hyri në fushë si zëvndësues kampionët e Italisë rizbuluan Dybala, me dy të majta që lanë zero mundësi për portierin moskovit. 7 pikë për bardhezinjtë, në kuotë të barabartë pikësh me Atletiko Madrid që fitoi 1-0 përballë Bayer Leverkusen.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *