• |
ide | kryesore

Video/ Champions, Inter nxjerr KO Dortmund, ish-sulmuesi i Skënderbeut i jep fitoren Barcelonës

F1, Sport, Video



24 gola në 8 ndeshje në katër grupet e Champions League: nuk janë shifrat e mbrëmjes së të martës, por janë rezultate impresionuese dhe ndonjë edhe vendimtar. Fiton Inter, të parën në Champions me Conte dhe kthehet në lojë për kualifikim, fiton edhe Barcelona me vuajtje: fitoren ja dhuron autogoli i Olayinka në Pragë, ndërsa Liverpool bën poker në Belgjikë.

Grupi E – Të kuqtë e Jurgen Klopp nuk mund ti linin asgjë në dorë rastësisë dhe kundër Genk, që në shtëpi kishte treguar se mund të bllokonte një skuadër si Napoli, përdorin artilerinë e rëndë. Oxalade Chamberlain me dygolëshin e tij, i hapi rrugën suksesit të Reds, ndërsa në pjesën e dytë Mane e Salah i dhanë përmasa humbjes së Genk, që nuk e zbut dot as goli i Odey, dy minuta nga fundi. 6 pikë për Liverpool, që mbetet një pas Napolit kryesues.

Skuadra e Ancelotti tregoi forcë karakteri, duke shkuar të fitojë 2-3 në një transfertë të vështirë si ajo e Salzburg. Austriakët ishin një skuadër shumë e vështirë për tu mundur e me një Haaland rrezik konstant për portën e Napolit. Norvegjezit iu anullua goli i mundshëm i avantazhit, për pozicion jashtë loje, ndërsa u ngjit në katedër Dries Mertens, që me dy golat e shënuar kaloi rekordin e Maradonës, duke shkuar në 116 gola me fanellën e të kaltërve. Minutat e 72 e 73 janë të cmendura me Haaland që barazoi rezultatin, por ende pa u gëzuar mirë, Insigne riktheu avantazhin për skuadrën e Ancelotti.

Grupi F – Një Inter i madh riktheu shpresat për kualifikim, duke mundur 2-0 në San Siro Borussia Dortmund. Gjermanët kanë ndjerë shumë mungesën e Marco Reus dhe Alacer, që shpresojnë ti kenë në kthimin në Signal Iduna Park. Lautaro Martinez shënoi golin e parë për Inter, duke i shpëtuar pozicionit jashtë loje. Por argjentinasi nuk arriti të bëhej plotësisht protagonist, sepse në minutën e 82 humbi penalltinë, e fituar nga vetë ai, por e pritur nga Burki. Në fund levida është e gjitha e Candreva, që finalizoi një kundërsulm të shpejtë, që e con Inter në kuotën e 4 pikëve, po aq sa Dortmund.

Barcelona në ndeshjen tjetër, vuan shumë më tepër se sa e kishte menduar. Skuadra e Valverde i falet Messi, por mbi të gjitha ish-lojtarit të Skënderbeut, Petr Olayinka që shënoi autogolin që vendosi ndeshjen. Slavia e Pragës u dorëzua 1-2, por krijoi raste të shumta shënimi, duke e vënë në një provë të vështirë Ter Stegen. Me këtë fitore Barcelona merr vendin e parë me 7 pikë, ndërsa cekët mbajnë vendin e fundit me vetëm një pikë, atë të marrë në barazimin me Inter.

Grupi G – Red Bull Leipzig merr kryesimin e grupit, me fitoren me përmbysje përballë Zenit San Petersburg. Rakitskiy i dha avantazhin rusëve në minutën e 25, por gjermanët kthyen rezultatin në pjesën e dytë me një performancë mbresëlënëse. Laimer dhe Sabitzer shënuan dy herë në 10 minuta, duke i dhënë fitoren 2-1 Leipzig, që ngjitet në vendin e parë me 6 pikë, duke parakaluar pikërisht Zenit. Lyon nuk përfiton nga përplasja mes Leipzig dhe Zenit, duke dalë vetë i mundur nga trasferta me Benfikën. Depay iluzionoi me barazimin e minutës së 70, kur më parë kishte shënuar Silva, por kapitullimi erdhi katër minuta nga fundi në golin e Pizzi. Mbetet me katër pikë Lyon, po aq sa Zenit, ndërsa portugezët morën fitoren e parë në grup.

Grupi H – Chelsea merr një fitore të çmuar në Amsterdam përballë Ajax, duke barazuar hollandezët me 6 pikë në krye të klasifikimit. Në një ndeshje të ekuilibruar e ku Ajax mund ti kishte bërë gjërat ndryshë, nëse Promes do të kishte shënuar penalltinë në minutën e 35, vendosi në fund Batshuayi. Belgu shënoi katër minuta nga fundi, duke i dhënë suksesin londinezëve të Lampard. Në ndeshjen tjetër Lille e Valencia barazojnë 1-1 me spanjollët që humbën mundësinë për tu barazuar me dy skuadrat e tjera në krye të renditjes. Cheryshev kaloi në avantazh Valencian, por gjërat u komplikuan në daljen me karton të kuq të Diakhaby në minutën e 84, gjë që solli edhe barazimin e francëzve në minutën shtesë me Ikone. 4 pikë për spanjollët dhe pika e parë për Lille në tre ndeshjet e para të grupit.

CHAMPIONS LEAGUE – GROUP E
Genk 1 – 4 Liverpool
Salzburg 2 – 3 Napoli
CHAMPIONS LEAGUE – GROUP F
Inter 2 – 0 Borussia Dortmund
Slavia Prague 1 – 2 Barcelona
CHAMPIONS LEAGUE – GROUP G
RasenBallsport Leipzig 2 – 1 Zenit St. Petersburg
Benfica 2 – 1 Lyon
CHAMPIONS LEAGUE – GROUP H
Ajax 0 – 1 Chelsea
Lille 1 – 1 Valencia



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *