• |
ide | kryesore

Dy biznese në sherr për guroren në Vlorë, nuk zbatohet vendimi i gjykatës

Arkiva, Lajme, Të fundit



Në zyrën e Përmbarimit Gjyqësor Vlorë qëndron një urdhër ekzekutimi që prej nëntorit të vitit 2018, por që akoma nuk është ekzekutuar për shkak të frikës nga debitori.

Urdhëri i ekzekutimit vjen pas proçeseve gjyqësore që ka bërë biznesmeni Ylli Salla me subjektin “Ana 2013”,ku kjo e fundit shpallet debitore dhe duhet të lejojë subjektin “Salla” të kalojë në të njëjtën rrugë me të për të vajtur në subjektin e saj , në rastin konkret në gurore. Subjekti “Ana 2013” e ka bllokuar këtë rrugë dhe nuk lejon askënd të kalojë duke krijuar edhe konflikte që kanë degjeneruar në dhunë fizike.

Suzana Salla nga Elbasani ankohet në Fiks Fare për një problematikë që ka babai i saj Ylli Salla me një gurore në Lepenicë të Vlorës.
Z.Salla është një biznesmen që ushtron aktivitetin e tij prej 20 vitesh në qytetin e Elbasanit në përpunimin e gurit.
Në vitin 2016 ai merr një leje shfrytëzimi në Lepenicë të Vlorës , për gurore.

Suzana shpjegon se vetëm 3 muaj pasi morën lejen një tjetër firmë mori leje ngjitur me parcelën e tyre po për gurore. Subjekti “Ana 2013” shpk , që në atë kohë e deri sot pengon që subjektin “Salla” të shkojmë në subjektin e saj, duke i bllokuar rrugën.

“Ne i kemi bërë të gjitha proçeset gjyqësore, prej më shumë se një viti jemi në përmbarim, pasi gjykata lëshoi urdhërin e ekzekutimit për lirimin e rrugës , por që deri më sot nuk kemi marrë zgjidhje” thotë znj.Salla. Ajo tregon se nga firma kundërshtare janë dhunuar babai i saj dhe i vëllai, po ashtu janë djegur të gjitha mjetet e firmës që i çuan në fillim për të nisur punën, dhe të tjerat që kanë mbetur të padjegura janë amortizuar.
Znj. Salla thotë ne s’mund të shkojnë atje, pasi është si gjëndje lufte dhe u rrezikohet jeta. Sipas saj policia nuk ndërhyn pasi mbron firmën “Ana 2013″ , sepse një aksionere e kësaj firme është bashkëshortja e një ish drejtuesi të lartë policie.

Gazetarët e Fiksit shkuan në Lepenicë, ku punonjës të subjektit ” Salla” ankohen se vijnë deri në subjekt me kalë, pasi nuk kalojnë dot në rrugë me makinë. ” Ne nuk kalojmë dot në rrugën e makinës, vijmë me kalë se nuk na lejon firma tjetër, ja ku ka qenë rruga dhe është bllokuar” tregon roja.

Ndërkohë kryetari i Dhomës së Përmbarimit Vlorë,z. Fitim Koçiaj tregon se e njohin shumë mirë çështjen. Ai thotë se përmbarimi ka vajtur disa herë dhe nuk e ka ekzekutuar dot vendimin. Herën e parë sipas tij ishte e pamundur, pasi skrepi që dërgoi Bashkia Selenicë nuk shembte dot gurët që bllokonin rrugën për shkak të madhësisë së madhe të tyre. Herën e dytë ai pohon se kishin hasur në një konflikt të madh edhe me banorët dhe kishin shumë pak forca policie në dispozicion.

Kurse herën e tretë penguan kreditorin të mos vinte në ekzekutim duke ja bllokuar mjetin 2 fshatra para se të arrinte në Lepenicë, por pyetjes së gazetares së Fiksit se kishin informacion se ky i fundit ishte kërcënuar, drejtori Koçiaj ngre supet lart duke e mohuar të jetë në dijeni të kësaj situate. ” Zyra e përmbarimit do ndërhyjë në ekzekutimin e vendimit të gjykatës, por që do një plan konkret dhe masa. Duhen më shumë forca policie madje kam bërë thirrrje edhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë për mbështetje dhe do caktojnë një datë shumë të afërt për të bërë ekzekutimin” përfundon drejtori.

Por edhe pse drejtori Koçiaj nuk e pranoi faktin se përmbaruesi ishte kërcënuar, Fiks Fare solli dokumentin e zyrës së përmbarimit që kërkonte ndërhyrjen FNSH-ës, pasi rrezikohej jeta e përmbaruesit dhe kreditorit.

Por përveç proçeseve gjyqësore konflikti midis pronarëve të dy subjekteve ka vajtur deri në përplasje fizike, për këtë arsye Ylli Salla bashkë me djalin dhe punonjës të firmës së tij kanë bërë kallëzime në polici dhe prokurori. Në një prej kallëzimeve të prokurorisë i është vënë në dispozicion edhe raporti mjeko ligjor i djalit të z.Salla , në të cilin shkruhet se ka patur dëmtime nga dhuna fizike, dhe ky raport jepej për 9 ditë.
Por nga 5 kallëzime, për 3 është vendosur mosfillim procedimi dhe 2 jane në proces hetimi.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *