• |
ide | kryesore

Nis mbledhja e KLP-së, pritet t’i jepet “ok” ngritjes së SPAK-ut

Lajme, Të fundit



Ka nisur pak minuta më parë mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) ku do të diskutohet edhe për ngritjen e Strukturës së Posaçme të AntiKorrupsionit (SPAK).

Aktualisht, janë pikëzuar vetëm 8 kandidatë për t’u bërë pjesë e SPAK-ut, të cilët kanë kaluar procesin e vetting-ut, nga 22 kandidatë që garonin në total. Sipas Kushtetutës, ngritja e kësaj strukture të drejtësisë kërkon jo më pak se dhjetë prokurorë për të nisur punën me dosjet e para.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja,  i ka kërkuar kreut të KLP-së, Gent Ibrahimit, që SPAK-u të ngrihet brenda këtij viti me 8 prokurorët, të cilët kanë kaluar të dyja shkallët e vetting-ut, ndërsa dy të tjerët për të plotësuar dhjetëshen, të jenë prokurorë të përkohshëm ose të komanduar.

Ndërkohë, mësohet se anëtarët e KLP-së kanë shprehur mospajtime përsa i përket ngritjes së SPAK-ut me formulën 8, plus dy të komanduar apo të emëruar.

Disa prej tyre e konsiderojnë këtë formulë si shkelje të Kushtetutës, ndërsa pjesa tjetër argumenton se kuadri ligjor e mundëson si rrugëzgjidhje. ©Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *