• |
ide | kryesore

Tirana zgjedh Julian Ahmataj: tekniku vihet menjëherë përballë të shkuarës

F1, Sport



Tirana ka bërë lëvizjen pa vonesë: në vend të Ardian Memës është zgjedhur dhe prezantuar me shpejtësi Julian Ahamataj. Tekniku elbasanlli është është akorduar me presidentin e Tiranës Refik Halili, i cili edhe më parë kishte shprehur konsideratën dhe në dy raste të tjera ka qenë pranë firmës me 40 vjecarin. Tani, pas javës së 9 të Superiores, është momenti që Ahmataj të fillojë të tregojë aftësitë e tij me një skuadër të rëndësishme dhe duhet ta bëjë menjëherë kundër të shkuarës së tij: “Nuk do doja ta filloja në Gjirokastër. Kam respekt për atë ambient. Kanë një ekip të mirë, që besoj se do na hapë punë”.

E para e teknikut të ri të Tiranës është pikërisht kundër Luftëtarit në transfertë, skuadër me të cilën impresionoi me një seri rezultatesh dhe lojë të mirë, duke qenë vendimtar në shpëtimin e gjirokastritëve sezonin e kaluar. E të dielën, në Gjirokastër, Ahmataj do të kthehet si armik, për herë të parë, që kur u largua nga qyteti i gurtë. Mënyra e aplikimit të lojës nga bluezinjtë, në kohë që drejtoheshin nga Ahmataj, ka qenë edhe pikë e fortë e tij, në dualizimin me Bledar Devollin, të krijuar në idetë e presidentit Halili: “Dua të falenderoj njerëzit që me besuan dhe presidentin. Kam një shans që të vjen, ose jo në jetë. Do e shfrytëzoj, të jap më të mirën time. Do bëj më të mirën që Tirana të dalë kampion. Sa do ia arrijmë, nuk di si ta garantoj. Të ishte për mua, dilnim kampion që tani. Di që kampion dilet në maj. Duhet të bëjmë mirë çdo ditë që të arrijmë te rezultatet pozitive. Kam miqësi me Memën, dhe e falenderoj për grupin e ndërtuar këtu. Më vjen keq që u largua nga Tirana, është njeri i përsosur, por kjo është puna jonë” tha
Ahmataj.

Tani tekniku nga Elbasani, që më parë ka punuar me Burrelin, Kamzën e Luftëtarin, duhet të tregojë se mund të administrojë edhe një grup lojtarësh të ndërtuar për titullin kampion: “Në futboll, ka një gjë. Ose di ta bësh punën, ose nuk di ta bësh. Nga renditja, po ta shohësh, në Gjirokastër, për pikët që kam marrë atje, mund të isha në vend të parë. Nuk është kjo matësi i një skuadre. Në një ekip të madh, ke më shumë probleme. Ke më shumë alternativa, më shumë lojtarë. Gjëra që të vënë në një situatë që duhet të bësh zgjedhje”.

“Do bëj maksimumin që t’ia jap titullin, bashkë me lojtarët. I uroj suksese të gjithëve, edhe duke qenë 100-vjetori i klubit” përfundoi tekniku i ri bardheblu, që më parë ka mbajtur veshur këtë fanellë si lojtar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *