• |
ide | kryesore

Video/ Partizani i pari pa shkëlqim: Kukësi dështon në kapjen e kreut

F1, Sport, Video



As arratisje e as kapje kreu: supersfida Partizani-Kukësi nuk ka fitues, por ndoshta të kënaqur po. Të kuqtë e Franko Lerdas ruajtën ecurinë pozitive, të shtrirë tashmë në 5 ndeshje e bashkë me të edhe kryesimin e kampionatit, me një pikë diferencë ndaj Bylis e Tiranës. Nuk mund të ankohet as Shpëtim Duro, që nuk humbi ndeshjen që mund të kishte qenë fatale për pankinën e tij, por edhe për moralin e Bluve, që megjithatë duhet të rikuperojnë tre pikë me vendin e parë për të qenë në linjë me objektivin e tyre.

Teknikët nuk e patën jetën e lehtë në 90 minutat e treta të sfidës mes tyre këtë sezon, që prodhoi edhe rezultatin e vetëm të paprovuar mes tyre: barazimin. Duro humbi sulmuesin e tij kryesor në nxemje, për një tërheqje muskulare, ndërsa Lerda e kishte mësuar se do të ishte pa Solomonin e tij që më parë. E megjithatë, të paktën në pjesën e parë ndeshja ishte zbavitëse, me skuadrat që i patën mundësitë e tyre për të bërë keq, por nuk i shfrytëzuan.

I pafat Cinari, e majta e tij u stampua në traversë, por edhe Abazaj humb një shans nga ato që nuk duhej, kur i vetëm përballë Alban Hoxhës nuk arriti dot të kalonte kapitenin e të kuqve. Dy skuadrat u munduan ta fitonin ndeshjen, me të kuqtë që i besuan sërisht Cinarit në një goditje me kokë këtë herë, që u bllokua nga portieri, ndërsa Kukësi u mundua të dilte pa dëme nga presingu i kryeqytetasve, që në pjesën e dytë e dominuan fushën, por pa arritur të shënonin.

18 pikë për Partizanin, që tashmë do ta kërkojë arratinë në dy javët e ardhshme, kur të përballet me dy skuadrat e vendit të fundit në renditje Luftëtarin e Flamurtarin, ndërkohë që Kukësi mbetet me 15 pikë në vendin e pestë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *