• |
ide | kryesore

Gara për Kryeprokurorin/ KLP zyrtarizon kandidatët, intervistohen më 13 nëntor

Lajme, Të fundit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka miratuar në mbledhjen e ditës së sotme radhës listën me emrat e kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, të cilët plotësojnë kushtet ligjore pas vlerësimit paraprak.

Në bazë të nenit 148/a të Kushtetutës, të nenit 22 të ligjit nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe nenit 17/pika 4 të rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”, KLP-ja miratoi kandidaturat e tre garuesve, kryeprokurores akutale, Arta Marku, prokurores së Apelit në Tiranë, Fatjona Memçaj dhe prokurorit Olsian Çela.

Ky vendim u miratuar me shumicë votash, ndërkohë që në mbledhje mungonin anëtarët Besnik Cani dhe Nurihan Seiti.

Në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, KLP-ja ka njoftuar se në datën 13 nëntor 2019 duke filluar nga ora 9,30 do të zhvillohen intervistat me të tre kandidatët në garë sipas rendit alfabetik. Në zbatim të nenit 19, pika 1 te rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”, intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video. Kandidatët do të njoftohen nominalisht dhe në adresën e postës elektronike që ata kanë deklaruar në momentin e aplikimit.

Orari i zhvillimit të intervistave do të jetë si më poshtë:

1. Arta Marku 09:30

2. Fatjona Memçaj 11:00

3. Olsian Çela 12:30

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu