• |
ide | kryesore

Inaugurim me kampionë bote? Ndoshta njëherë tjetër: Arena Kombëtare ka probleme me pozicionimin e kamerave

Sport



Shqipëri-Francë, në ditën simbolike të çlirimit të Tiranës, është kurora promocionale e inaugurimit të impiantit më modern të futbollit në vend. Në përgatitjet e ethshme të përfundimit në kohë, në respekt edhe të premtimit të presidentit të FSHF, Armand Duka, të “Arenës Kombëtare”, për ndeshjen me Francën, është menduar edhe përplasja femërore Vllaznia-Apolonia si ndeshja test, përpara asaj shkëlqyese, por gjatë orëve të fundit askush nuk mund ta thotë me siguri nëse sfida e fundit e grupit eliminator konfirmohet plotësisht në stadiumin ende të papërfunduar.

Sipas asaj që bën të ditur RTSH Sport, gjatë inspektimit të fundit, të dërguarit e UEFA-s kanë pasur disa kritika dhe kanë vendosur detyra emergjente ndaj njerëzve përgjegjës për finalizimin e punimeve. Nuk është rastësi kërkesa e tyre për raporte periodike për detyrat e shtëpisë që duhet të bëjë pala shqiptare, por thjesht dyshim se Arena Kombëtare nuk do të jetë gati në kohë.

Problemet më të mëdha lidhen me çështjet teknike që kanë të bëjnë me prodhimin e sinjalit, transmetimin e ndeshjes dhe akomodimin e komentatorëve e gazetarëve. Sipas të dërguarve të UEFA-s, pozicionet e kamerave të transmetuesve të ndeshjes duhet të zhvendosen një kat më poshtë për të siguruar një pamje më të plotë, por me të njëjtën arsye duhen zhvendosur edhe vendet e komentatorëve të sfidës. Probleme janë evidentuar edhe në pozicionet ku do të akomodohen gazetarët në pjesën e tribunës, pasi jo të gjithë reporterët do të kenë fushëpamje të plotë. UEFA kërkon që gazetarët të akomodohen në vende sa më komode dhe me pamje sa më të qartë të fushës së lojës. Kjo nuk është fare e thjeshtë, sepse duhet patur parasysh që të gjitha modifikimet duhet të bëhen brenda disa ditësh, në kohë kur nuk është marrë ende një vendim përfundimtar nëse sfida do të luhet në “Arenën Kombëtare”.

Gazetarët francezë, të pranishëm gjatë këtij inspektimi, nën zë kanë pranuar se në ndeshjen inauguruese, përveç presidenti të UEFA-s, Alexander Ceferin, mund të jetë i pranishëm edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, një detaj jo pak i rëndësishëm që ndoshta i nxit edhe më shumë autoritetet shqiptare për të plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga UEFA.



1 Comment

  1. Keshtu ndodh kur ndertimi kryhet me afate inagurimi,si veprat e Partise se Punes,qe duhej te inaguroheshin ne raste festash te Partise.Por edhe profesionalizmi,ne ndertimin e ketij stadiumi,qenka pertoke.Vetem pak verejtje nga disa gazetare franceze,tregojne se ndertuesit dhe zbatuesit e projektit, nuk e pasken fare idene se si funksionon nje stadium,jo vetem per ndeshjen,por edhe per transmetimin televiziv dhe gazetaresk te ndeshjeve.Dhe 70 milion eura (te pakten kaq jane deklaruar),nuk pskan mjaftuar per te mos krijuar asnje problem per ndeshjen dhe transmetimin e saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *