• |
ide | kryesore

Pas takimit me Mitsotakis, Rama ndryshon grupin negociator për “Marrëveshjen e Detit” (VENDIMI)

Lajme, Të fundit



Pas takimit që zhvilloi dy ditë më parë me homologun grek në Athinë, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri Edi Rama ka ndryshuar grupin negociator për “Marrëveshjen e Detit”, të ngritur që në kohën kur në krye të diplomacisë shqiptare shërbente ish-ministri, Ditmir Bushati.

Përmes një “Vendimi të Këshillit të Ministrave” (VKM), qeveria ka reduktuar grupin negociator nga 13 në 7 anëtarë.

Komisioni tashmë përbëhet nga 7 zëvendësministra dhe në cilësinë e kryetarit do të vendoset njëri prej zëvendësministrave për Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj ose Sokol Dedja.

Po kështu, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka rolin e sekretariatit teknik të Komisionit dhe do të raportojë periodikisht tek kryeministri Rama për veprimtarinë e Komisionit.

VKM-ja: 

“Vendim për përbërjen dhe funksionimin e komisionit të posaçëm për administrimin e ujërave ndërkufitare

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përbërja e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare (në vijim, Komisioni) është, si më poshtë vijon:

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme, kryetar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mjedisin, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për energjinë, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për peshkimin, ujitjen dhe kullimin, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen, anëtar.

2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka rolin e sekretariatit teknik të Komisionit dhe kryen këto detyra:

a) Organizon mbledhjet e Komisionit dhe njofton anëtarët;

b) Planifikon dhe harton projektaktet, sipas tematikave përkatëse;

c) Realizon çdo detyrë tjetër që i ngarkon kryetari i Komisionit;

ç) Raporton periodikisht pranë Kryeministrit për veprimtarinë e Komisionit.

3. Komisioni ngarkohet për administrimin e ujërave ndërkufitare, administrimin e marrëdhënieve me shtetet kufitare për këto ujëra, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar, në marrëveshjet ndërkombëtare, konventat dhe protokollet e nënshkruara nga Republika e Shqipërisë.

4. Komisioni ka të drejtë të krijojë nënkomisione me ekspertë të fushave përkatëse për probleme dhe çështje specifike.

5. Titullarët e institucioneve përgjegjëse të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, caktojnë përfaqësuesit e tyre në këtë Komision.

6. Vendimi nr.177, datë 26.3.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, përbërjen, funksionimin, përgjegjësitë dhe detyrat e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare”, i ndryshuar, shfuqizohet.

7. Ngarkohen Komisioni i Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe institucionet e përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Lidhur me “Marrëveshjen e Detit”, të përmendur së fundmi nga Mitsotakis si një kusht për vijimin e përkrahjes së Greqisë në integrimin e Shqipërisë në BE, në një intervistë të dhënë për “Euronews Greece” Rama tha se me qeverinë e mëparshme janë bërë përparime, ndërsa shprehu gjithashtu shpresë për arritje e një konsensusi me ekzekutivin e ri.

Tanimë numërohen 9 vjet nga bllokimi i marrëveshjes së qeverisë Berisha me Greqinë, pasi me vendim unanim të Gjykatës Kushtetuese, më 26 janar 2010, u shpall në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. ©Lapsi.al

 



10 Comments

  1. Nuk drejtohet shteti me VKM-ra o Ndrio o bir njeriu!

    …Hiq o Ndrio hiq, se edhe pak mbritem ne Kasabah…

  2. I biri I kristaqi e nipi I spiros Ben marrveshje me greqin ne emer te shqiptareve ha ha ha ropt o ksulkuqa

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *