• |
ide | kryesore

PD akuza Ramës për Kajmakun: I ke dalë zyrtarisht në mbrojtje, por ai s’ka shpëtim (VIDEO)

Lajme, Të fundit



Partisë Demokratike ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama për mbrojtjen e kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.

Në një dalje për mediat nga selia blu, ish-deputetja demokrate, Dhurata Çupi, u shpreh se kreu i qeverisë po tregon se antiligji është modeli i tij i qeverisjes, pasi vazhdon të mbrojë Kajmakun edhe pasi Prokuroria verifikoi zyrtarisht se ai ka shkelur ligjin e dekriminalizimit. Sipas Çupit, për Kajmakun nuk ka shpëtim dhe fshehja pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është një qëndrim prej burracaku i Ramës.

Ditën e djeshme, PD-ja  i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të vendosë pa vonesë për shkarkimin e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Kjo kërkesë e selisë blu vjen si përforcim i deklaratës së para pak ditëve të numrit dy të demokratëve, Gazmend Bardhit, i cili u shpreh se Prokuroria ka konfirmuar akuzat e ngritura nga PD-ja ndaj Kajmakut, përmes përputhshmërisë së shenjave të gishtërinjve të tij me “Jorgo Toton”, emër i përdorur prej tij gjatë qendrimit në Greqi.

Në këtë mënyrë sipas PD-së, u verifikua se Kajmaku ka fallsifikuar Formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave fallco, si dhe duke fshehur identitetin e rremë të përdorur për prindërit e tij. Në kërkesën e firmosur prej Bardhit, PD-ja kujton se për këtë vepër të kryer nga Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg.

Fakti që në Formularin e Vetëdeklarimit, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me arrestimin dhe hetimet përkatëse në shtetin grek, si dhe indentitetin e rremë të përdorur nga vetë ai, bën që Agim Kajmaku të përfshihet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si Kryetar i Bashkisë. Kjo pasjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga funksioni publik që mban.”- shkruan në kërkesën e tij Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Në këtë kërkesë drejtuar kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri, por edhe ambasadës së SHBA -ve dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë, theksohet qëndrimi i mëparshëm që organi zgjedhor ka mbajtur në rastet e heqjes së mandatit të deputetëve Gledion Rahovica dhe Aqif Rakipi, “raste këto që janë identike me atë të Agim Kajmakut”. “Për prokurorinë është e provuar se Agim Kajmaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Ai ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare.”- shkruhet në kërkesën e PD-së.

Prej dy muajsh, PD-ja e ka akuzuar Kajmakun për “llogari të hapura” me drejtësinë greke. Ndërkohë, përkundër pretendimit të ngritur nga PD-ja, Kajmaku ka deklaruar për mediat se nuk është dënuar dhe as është dëbuar ndonjëherë nga shteti grek dhe sipas tij, këto akuza kanë sfond politik. Kajmaku është shprehur se emrin e ka ndryshuar si “një pjesë e mirë e shqiptarëve”, për t’iu dhënë mundësia e qendrimit në shtetin fqinj.

Në gusht, PD-ja publikoi “dokumentin autentik” të Gjykatës së Janinës, sipas të cilës kandidati i Partisë Socialiste dalë nga zgjedhjet vendore monopartiake të 30 qershorit, është arrestuar në territorin grek në vitin 2003 për veprën penale “për përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsfikuara”, për të cilën parashikohen më së paku 10 vjet burg. Sa i përket kësaj akuze, Kajmaku thotë se më 12 shtator të këtij viti, Gjykata e Apelit në Janinë e ka shpallur të pafajshëm.

Në këto kushte, sipas PD-së, Kajmaku duke qenë subjekt i Ligjit të Dekriminalizimit, nuk mund të ushtrojë funksione publike. ©Lapsi.al

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DHURATA ÇUPI: 

Sot bëhen 3 ditë që Edi Rama është zyrtarisht në mbrojtje të Agim Kajmakut, i cili fshehu me qëllim arrestimin e tij në Greqi disa vjet më parë me emrin Jorgo Toto.

Edi Rama duhet ta kishte shkarkuar Agim Kajmakun që në momentin, kur prokuroria verifikoi zyrtarisht se ai kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit, duke fshehur krimin për të cilin ishte arrestuar dhe ishte në kërkim në Greqi dhe në kërkim europian deri pak kohë më parë.

Duke mbajtur në detyrë një funksionar të lartë publik që shkel ligjin, që kryen vepra të rënda penale dhe mashtron qytetarët, Edi Rama tregon se antiligji është modeli i tij i qeverisjes.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Edi Rama ka qenë në mbrojtje të Agim Kajmakut, edhe pse e dinte se ai ishte subjekt i ligjit të dekriminalizimit. 3 javë më parë, Edi Rama e mbrojti atë edhe publikisht.

Qendrimi i Edi Ramës në mbrojtje të një funksionari publik që e ka vendin në burg dhe jo në krye të një bashkie, tregon se Edi Rama dhe Agim Kajmaku ndajnë të njëjtin moral. Për ta ligji nuk ka vlerë, kur cënon pushtetin e tyre.

Duke kandiduar persona me të kaluar kriminale, si në Shkodër, Vorë apo Vaun e Dejës, Edi Rama dëshmon se nuk ka ndërmend të marrë seriozisht plotësimin e 9 kushteve të Bundestagut, që është e vetmja rrugë për të hapur derën e mbyllur të Europës për të katërtën herë radhazi.

Marrja në mbrojtje e Agim Kajmakut, siç ka bërë më çdo kriminel tjetër që ka futur në politikë, dëshmon, gjithashtu, se Edi Rama as nuk ka bërë ndonjëherë shtet, as nuk ka ndërmend të respektojë shtetin ligjor. Në shtetin e Edi Ramës ligji nuk është I barabartë për të gjithë. Njësoj si në “Fermën e kafshëve” të Orëellit, kriminelët e Edi Ramës, janë më të barabartë se qytetarët e zakonshëm. Ata janë të paprekshëm, veçanërisht nëse janë politikanë apo klientë biznesi të Edi Ramës.

Fshehja pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është një qendrim prej burracaku i EdI Ramës. Ai e di shumë mirë se, siç thotë Zëri i Amerikës, për Agim Kajmakun nuk ka shpëtim.

Edi Rama e di, po aq mirë, se shumë shpejt do t’i vijë rradha edhe atij!

 

https://www.youtube.com/watch?v=zDenMFkgUtw



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *