• |
ide | kryesore

Kosova si Norvegjia, Serbia si Zvicra

2, Ide



Në vend të procesit të integrimit evropian u dha një propozim për inkuadrim në tregun e përbashkët evropian. E mundur?

1.

 Maqedonia Veriore (atëbotë quhej Republika e Maqedonisë), më 2004 e përligji Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, ndonjë dhjetë muaj para Kroacisë. Më 2005 u bë shtet kandidat për anëtarësim në BE. Pas pesëmbëdhjetë vjetësh sërish do të mbetet shtet kandidat: vitin e ardhshëm, më 2020, kryeministri i Maqedonisë Veriore do të jetë i ftuar në Samitin e BE-së në Zagreb, kryeqytetit të Republikës së Kroacisë, kryesuesit të radhës së BE-së.

Në atë samit, mund të supozohet me probabilitet të lartë se kryeministrit të Maqedonisë së Veriut do t’i premtohet një ardhmëri e sigurt evropiane, integrim sipas meritave reformuese, përkrahje e plotë për forcat demokratike në vend e kështu me radhë. Atij (apo asaj) dhe kolegëve nga pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor do t’u thuhet se pa integrimin e shteteve të tyre në Bashkimin Evropian nuk do të ketë Evropë të lirë e në paqe me vetveten, një formulim, i cili sa për kuriozitet nuk është prodhim evropian, por u lind në Washington, pas Luftës së Dytë Botërore.

Maqedonia Veriore me kolegët e tjerë – Shqipërinë që nuk u ftua t’i hapë negociatat, Serbinë e Malin e Zi që janë në proces negociator, Bosnjë-Hercegovinën që është shtet jofunksional dhe Kosovën që është shtet i kapur dhe i kontestuar brenda BE-së – po futen në një zonë ku gjendet administratori i dikurshëm i tyre perandorak, Turqia, vend i cili ka statusin e kandidatit që nga viti 1999.

Para pesëmbëdhjetë vjetësh, debati intelektual i njohësve të politikës së jashtme në BE ishte se sa ka gjasa (nëse ka fare) Turqia të jetë një ditë anëtare e BE-së. Sot, gradualisht ky debat ka përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor.

2.

ESI (European Stability Initiative), një think tank i njohur me seli në Berlin që njeh në hollësi regjionin e Ballkanit Perëndimor për tashmë gati një çerek shekulli, ka konstatuar se modeli i deritanishëm i integrimit në BE ka marrë fund. Këtij modeli kapakun ia vuri presidenti francez, Macron, kur ndaloi hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me arsyetimin se duhej reformuar BE-në fillimisht e pastaj pranuar anëtarë të rinj, por sipas ESI-së ky model kishte dështuar që më parë. Në hulumtimin që e bëri ESI-ja del se kriteri kryesor nuk është merita në reforma, por kriteri politik i vendeve anëtare.

Më 2013 Maqedonia ishte më e përgatitur se Serbia e Mali i Zi, por u favorizuan këto dy të fundit, për shkaqe politike. Për po të njëjtat arsye, një vend si Serbia, me listë të gjatë kriminelësh të dënuar dhe të padënuar lufte, ka liberalizim të vizave (si lloj qetësuesi pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës), por Kosova, ku janë kryer këto krime, nuk ka.

Sipas ESI-së, është e nevojshme një qasje e re që do të krijojë një hapësirë autentike integrimi për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe meqë BE-ja është në proces të rishikimit të vet të brendshëm për të gjetur formulë të re qeverisëse, kjo organizatë propozon një mekanizëm i cili tashmë është në zbatim , madje ç’prej vitit 1994 dhe që quhet EEA, shkurt për Hapësira Ekonomike Evropiane. Kjo ishte ide e ish-presidentit të Komisionit Evropian, Jacques Delors, i cili kishte ofertë për “Evropën tjetër”, pra ato shtete që nuk donin të bëheshin pjesë të BE-së, si Norvegjia, Zvicra e Islanda. Atyre iu ofrua që të jenë pjesë e tregut të përbashkët evropian edhe pa qenë anëtare të BE-së; rrjedhimisht këto vende dhe BE-ja do t’i harmonizonin ligjet dhe procedurat administrative në mënyrë që të siguroheshin “katër liritë” evropiane (lirisë së qarkullimit të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe personave).

Pra, ideja është që në vend të një “perspektive evropiane” të padefinuar dhe të pamatshme me parametra realizimi reformistë të ofrohet hyrje në EEA për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga aspekti i subjektivitetit juridik karshi shteteve të tjera të EEA-së, Kosova e Shqipëria do të bëheshin për shembull si Norvegjia e Serbia, e Bosnjë-Hercegovina, për shembull si Zvicra. Pasaporta e Kosovës do të kishte vlerë të njëjtë brenda EEA-së pothuajse sikur ajo e Norvegjisë (Britania e Madhe do të kërkonte viza për kosovarët), shlivovica e Serbisë do të kishte qasje të njëjtë në tregje evropiane si rakia e dardhave “williams” e Zvicrës, investitori belg do të kishte të njëjtën siguri juridike në Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëri e Maqedoninë Veriore sikur edhe në Islandë.

Një shok-terapi e këtillë do të kërkonte dakordim legjislacioni dhe paketë konkrete fondesh për të ndihmuar transformimin. Do të kërkonte, po ashtu, propozon ESI-ja, që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të dalin me kërkesë konkrete politike para Samitit të Zagrebit në pranverën e vitit 2020.

3.

Ideja i ka benefitet e veta të qarta. BE-në e shkarkon prej agjendës së integrimit deri sa të vendosë se çfarë do të jetë vetë. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përgatit për të qenë në sintoni legjislative me vendet e tjera të hapësirës unike ekonomike evropiane për aq sa një ditë të jenë natyrshëm të gatshme të jenë anëtare fuqiplotë të BE-së. Nga aspekti gjeopolitik i jepet sinjal aktorëve joevropianë, si Turqia, Rusia dhe Kina (si dhe disa vendeve të gjirit) për rrumbullakimin e kufijve evropianë, brenda një hapësire unike ekonomike dhe pse jo, politike. Nga aspekti administrativ në BE, kostoja financiare për inkuadrimin e gjashtëshes ballkanike në EEA është e shpërfillshme; të gjashtë vendet bëjnë sa gjysma e ekonomisë rumune.

Por, problemi qëndron tek, siç thonë anglezët, elefanti në dhomë e të cilin do adresuar. Elefanti quhet konfliktet e pambaruara Kosovë- Serbi, si dhe ai në Bosnjë- Hercegovinë. Qe i lehtë propozimi i përfshirjes së Norvegjisë në EEA më 1994, gati 90 vjet pasi kishte shpallur pavarësinë e vet të kontestuar deri më atëherë nga Suedia. Nuk është i lehtë propozimi që Kosova të jetë në EEA meqë pavarësia e saj kontestohet jo vetëm nga Serbia, por edhe nga pesë shtetet anëtare të BE-së. Apo të shikojmë më tutje në konflikte të papërfunduara, qe i lehtë inkuadrimi i Zvicrës në EEA , 800 vjet pasi i kishte përfunduar luftërat e veta identitare. Është i vështirë inkuadrimi i Bosnjë- Hercegovinës, me mungesë të rendit kushtetues çerek shekulli pas përfundimit të luftërave të veta identitare.

Për më tepër Serbia tashmë ka zgjedhur një hapësirë tjetër të tregtisë së lirë, atë Euroaziatike, në të cilën bëjnë pjesë disa shtete të ish-Bashkimit Sovjetik. Nuk mund të jetë pjesë e një hapësire të tregtisë së lirë, njëkohësisht, me Irlandën e Spanjën nga njëra anë, dhe Uzbekistanin e Turkmenistanin, nga ana tjetër.

4.

ESI-ja ka të drejtë që duhet një qasje e re. Dhe ndoshta kjo qasje do të jetë inkuadrimi i gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor në Hapësirën unike ekonomike evropiane, EEA. Si për çdo revolucion tjetër, ndodh të ketë fillimisht vullnet politik e pastaj përqendrim të thellë për detajet.

Ndoshta këtij procesi do t’i ndihmonte një detyrë projektuese: si të zgjidhet paralelisht konflikti i papërfunduar Kosovë- Serbi me hyrjen e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian?

© KOHA



4 Comments

  1. e sa e dhimbshme eshte ajo zgjidhja e problemit te bosnjes
    serbet e kane shume te qarte kush eshte pjesa e tyre
    problemi eshte si do e ndajne kroatet me bosnjaket pjesen e tyre “te perbashket”
    kur fashistet kroate qe kane bere me shume krime se serbet edhe myslymanet te marre bashke ti prezene nga bosnja do jete nje dite e dhimbshme per evropen katoltike, sidomos kur evropa protestante te beje sikur nuk shikon
    vatikani do e kete shume veshtire dashurine me cia-n etj etj ato mijera think tanke edhe perrallat e tyre me multikulturalizem e bashkejetese do ikin per lesh
    po vjen dita e llogarise

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *