• |
ide | kryesore

E PLOTE/ Çfarë po ndodh me hetimet për atentatin ndaj prokurorit Ndoja

Kryesore, Lajme



Kur kanë kaluar 2 ditë nga atentati ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja dhe 2 personave të tjerë që ndodheshin me të në makinë në mbikalimin e Shkozetit hetimet nuk kanë dhënë ende asgjë konkrete. Burime të lapsi.al pranë grupit të hetimit thanë se pista kryesore ku po hetohet është ajo e përplasjeve për pronat në bregdet, konkretisht në Gjirin e Lalzit.

Para prokurorëve Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj ka dhënë dëshminë e tij edhe kolegu i plagosur, Ndoja ndërsa dy të lënduarit e tjerë e kanë pasur të pamundur. Shoferi Andi Maloku ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në kryeqytet ndërsa Aleksandër Laho ka marrë një plumb në nofull dhe e ka pasur të pamundur të flasë.

Ende asnjë i ndaluar

Të njëjtat burime i thanë lapsi.al se janë shoqëruar në polici rreth 20 persona për t’u marrë në pyetje. Mes të shoqëruarve mësohet se ka qenë edhe Plaurent Dervishaj, kunati i Lulzim Berishës dhe Julian Meçe, të cilët u plagosën në atentatin e organizuar ndaj tyre në qershor të këtij viti, thuajse në të njëjtën zonë, ku ndodhi ngjarja të premten. Pas marrjes në pyetje ata janë lënë të lirë pasi kanë pasur alibi të besueshme në momentin që ndodhi ngjarja. Mësohet se celularët e dy të plagosurve në atentat janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës për t’u ekzaminuar, të cilët mund të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Një pikë tjetër mbi të cilën prokuroria po punon mbi këtë çështje është edhe përgjigja e ekspertizës së policisë shkencore mbi automjetin, i cili u gjend i braktisur rreth një orë pas ngjarjes, pranë varrezave të fshatit Shkafanë, në drejtim të Ishmit. Brenda mjetit të braktisur policia gjeti dy armë kallashnikovë, maska dhe shishe me benzinë. Mbetet ende e paqartë për hetuesit se përse ata nuk e dogjën makinën e përdorur në krim.

Ka të dhëna se ata janë pikasur nga banorë të zonës dhe për të mso u identifikuar janë larguar me shpejtësi. Burimet i thanë lapsi.al se ka edhe një pistë tjetër se kjo makinë nuk është përdorur fare në krim, por është lënë aty me qëllim për të shpërqendruar hetimet. Makina e autorëve e vjedhur në Tiranë dhe me targa gjithashtu të vjedhura dhe makina e prokurorit Ndoja është dërguar në policinë shkencore për të bërë ekzaminimet e nevojshmë dhe për të nxjerrë prej andej gjurmë gishtash apo profile ADN-je.

Kush ishte shënjestra?

Prokurori Arjan Ndoja dëshmoi para prokurorëve se nuk beson që ka qenë ai shënjestra e këtij atentati. Ai u tha hetuesve se nëse do të kishin dashur ta eliminonin mund të gjenin një vend tjetër dhe jo autostradën. Mbetet e paqartë kush ka qenë shënjestra, prokurori Ndoja, miku i tij Aleksandër Laho, person me precedentë penalë apo të dy bashkë.

Drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit kanë zhvilluar mëngjesin e së dielës një mbledhje që ka zgjatur më shumë se 4 orë ku çështja e vetme e diskutuar ka qenë pikërisht ky atentat. Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Ardi Veliu ka kërkuar informacion nga grupi i ngritur për ngjarjen mbi ecurinë e hetimeve. Ai ka kërkuar gjithashtu zbardhjen me prioritet të të gjitha provave të gjetura në të dy automjetet, atë me të cilën udhëtonte Ndoja, si dhe atë të atentatorëve.

Në makinën që dyshohet se u përdor në atentat, janë gjetur dy kallashnikovë, dy maska si dhe një shishe me benzinë, por edhe gjurmë gishtërinjsh. Prokurorët Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj po i kryejnë hetimet per atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja për dy akuza: atë të “vrasjes për shkak të rrethanave cilësuese e mbetur në tentative” dhe “grup i strukturuar kriminal”. ©LAPSI.al



4 Comments

  1. Po ndodh ajo qe duhet te ndodhe , bandat kriminale pa pushte po luftojne me bandat kriminale me pushtet . Te gjitha keto behen per te miren e vendit , do thoshte i gjati ine . Babezia e te gjatit tone per para’ nuk paska fund .

  2. Secila parti ka repartet e veta te armatosura te cilet jane bandite e kriminele. Nje pale jane ne pushtet e pala tjeter lufton te vije ne pushtet. Kur eshte partia qe perkrah ne pushtet krimineli behet shef policie, kur iken partia quhet kriminel dhe krimineli i pales tjeter behet shef policie. Nje plehrllik i madh, Na myti llumi.

  3. Shkullak s ke qene ndonje here ne jetimore ku skane buk te hane.Ju hengert mortja,na Cate bythen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *