• |
ide | kryesore

Video/ Partizani thyen Luftëtarin në dy minuta, por këtë e mundësoi portieri Hoxha

F1, Sport, Video



Partizani fiton me Luftëtarin, ashtu si parashikohej. Ajo që nuk mendohej ishte që të kuqtë do ta kishin kaq të vështirë në Selman Stërmasi përballë gjirokastritëve, që nuk duan të heqin dorë nga Superioria pa luftuar. E kështu, nëse nuk do të ishte Alban Hoxha që priti penalltinë, me rezultatin 0-0, për Lerdën do të ishin probleme. Pastaj kualiteti bëri diferencën dhe në dy minuta të kuqtë u imponuan 2-0.

I rikthyer tek 3-5-2 i preferuar, pas ardhjes nga dëmtimi i Idrizajt, italiani që zgjidhi konfliktin me Dritan Mehmetin, me largimin e këtij të fundit në krye të Partizanit B, bëri pa Solomon, duke i besuar Cinarit e Bardhit. Në mesfushë nuk kishte vend as për Telushin e as për Romeron e ndoshta pa një shkatërrues të mirëfilltë kundërsulmi i Luftëtarit i befasoi në minutën e 16, me Bitrin që shkaktoi penallti ndaj Dushkajt. Rrapo nuk është nga ata që gabon, por përballë ishte një ekspert 11 metërshash si Hoxha, që gjeti krahun, mbajti portën të paprekur dhe i dha një shans të tijve, si një kapiten i vërtetë, për të fituar ndeshjen.

E skuadra u përgjigj, me vështirësi, pa krijuar thellësi dhe me mungesë të theksuar vertikalizimesh, por e bëri vetëm kur Lerda ndryshoi skemën në 4-3-3 duke larguar Bitrin e Brojan për Romeron e Asanin. Partizani fillon të funksionojë dhe në dy minuta përmbys një ndeshje që po dukej e komplikuar. Cinari në minutën 54 shfrytëzon me kokë krosimin e Trashit, ndërsa pa e marrë veten mirë bluezinjtë Asani dyfishoi në të 56, me një penallti të fituar nga vetë ai.

Partizani merr tashmë i vetëm kryesimin me 21 pikë, duke bërë lëvizjen e parë drejt arratisë. Të kuqtë janë shkëputur tre pikë nga Tirana e Kukësi dhe kanë një tjetër sfidë të lehtë në letër kundër Flamurtarit, javën e ardhshme.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *