• |
ide | kryesore

Lubonja: Shqipërisë i duhet një proces si ai i Falkones në Italinë e 30 viteve më parë

Lajme, Të fundit



Analisti Fatos Lubonja ka komentuar ngjarjen më të bujshme të fundjavës së shkuar, atentatin ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja. Sipas analistit atje ku mbaron krimi e fillon shteti nuk ka një kufi të dallueshëm duke e cilësuar një shkrirje dramatike. Lubonja flet për nevojën e një “maksi-procesi” si ai i Italisë në 86-87-ën, si dhe një operacion i nevojshëm për të zbërthyer lidhjet e politikës me krimin. Sipas Lubonjës, atentati është çështje shumë e madhe politike përtej asaj se kush qëlloi.

“Këtu kemi një prokuror i cili gjendet në një makinë çuditërisht me një mafioz, tentohet të vritet nga mafiozë të tjerë ai apo prokurori nuk merret vesh. Pastaj flitet për prona në Gjirin e Lalzit që janë shkaku. Kemi një prokurori të Durrësit që është djegur dhe ajo prokurorja e Durrësit ka ardhur dhe në Tiranë, dmth është bërë dhe më e madhe.

Ndjesia që kur mbaron krimi e fillon shteti apo anasjelltas nuk dallohet kufiri. Është një shkrirje dramatike, që shkurt i thonë që krimi ka kapur shtetin sepse ka kapur ekonominë sepse janë të paaftë për të bërë ekonomi. Është çështje shumë e madhe politike përtej asaj kush e vrau, si e vrau. Denoncon strukturën për të cilën është folur aq shumë.

Bashkëpunimi i krimit me partitë politike për të kapur votën, votën e kap për të kapur shtetin, shtetin e kap për të vjedhur shqiptarët, shqiptarët i vjedh për t’u pasuruar dhe për të mbajtur pushtetin dhe në bashkëpunim me krimin. E gjithë kjo histori ka një tregues të qartë tek ky atentat i fundit”, – deklaroi Lubonja në News 24.

Sa u përket deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministrit Erion Braçe për prokurorin Ndoja dhe efektin që mund të kenë pasur në këtë ngjarje, Lubonja deklaroi se duhet hetuar nga prokuroria për të zbuluar lidhjet.

“Ka një pjesë që thonë që duke u sulmuar direkt nga kryeministri dhe nga zëvendëskryeministri, prokurori u bë target i pambrojtshëm. Në një farë mënyrë ata sikur u hapën dritën jeshile atentatorëve duke i hequr këtij imunitetin e figurës shtetërore për ta vrarë për interesa pronash, pasurish, etj.

Kjo është për të hetuar nga prokuroria për të kuptuar se çfarë lidhje kanë ata që qëlluan me pushtetin. Çfarë lidhje kanë ato pronat që flitet me lejet që ka dhënë qeveria. Është një histori që duhet hetuar por që nuk hetohet.

Duhet parë se çfarë lidhje kanë ata që e kanë qëlluar me PS në Durrës të Vangjushit për shembull. Të gjitha këto janë për t’u hetuar, ndryshe jetojmë në një kaos. Por që këtu nuk është çudi që vriten prokurorë, banditë e biznesmenë është një gjë që nuk bën çudi”, – tha Lubonja.

Analisti u shpreh pesimist nëse do arrijnë hetimet t’i shkojnë deri në fund kësaj ngjarjeje.

“Nuk besoj. Sigurisht mund të kapin autorët, por jo që të zbërthehet e gjithë ajo strukturë që të zbërthehet lidhja e politikës me krimin. Këtu duhet një maksi-proces si ai që bëri Falcone e Borselino me mafien në Sicili dhe u arrestuan 400 e ca veta. Këtu është bërë situata për një maksi-proces.

Kush do e bëjë? Se ca thonë do vijnë ta bëjnë amerikanët. Nuk e besoj. Ndaj jap një përgjigje pesimiste për atë që thatë. Këta kanë shtetin. Prokurorët janë bërë bashkëpunëtorë të tyre. Nuk besoj absolutisht që këta që kanë mbetur nga vettingu janë të pastër”, – theksoi Lubonja. ©LAPSI.al



2 Comments

  1. Proceses si te FALCONES, eshte mire te behet e deri ne rrenje, por a ka shqiperia prokurore si ai qe e shembi mafien, e i hapi syte Italianeve per demokracine me te avancuar.Qe duhet duhet, por kush ta beje ate revolucion mbi keta bandito mafize qeveritare qe kemi ne,,,,,,

  2. U mblodhen minjte te diskutonin sesi do tja benin qe ta kuptonin qe macja ishte verdalle .Mbas shume diskutimesh arriten ne perfundimin qe ti varnin nje zile ne qafe ne menyre qe kur macja te ishte afer ta degjonin dhe te largoheshin menjehere .Te gjithe berrtiten urrrraaaaa urrrrra tani e tutje macja nuk ka se çte na beje urrrra . Shoke tha kryetari i minjeve kemi vetem nje problem te vogel , kush do t’ja var zilen ne qafe miut? Te gjithe heshten .

    Kush do jua beje maxiproçesin ketyre o z.Lubonja ? Po keta te drejtesise jane te gjithe per ergastolo .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *